Petkoviq për lirimin e tre policëve: Serbia shtet ligjor, këtu respektohen vendimet e gjykatave; Kurti i çmendur
Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë dhe Metohi në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar pas lirimit të tre policëve kosovarë të rrëmbyer nga Serbia.
Ai ka deklaruar se vendimi i Gjykatës së Lartë në Kralevë që konfirmoi aktakuzën ndaj tre policëve por edhe i la që të mbroheshin në liri është “jopolitik”.
Për Tanjug, z. Petkoviq u shpreh se kjo nënkuptonte që procesi gjyqësor do të vazhdonte.
“Ne këtu e kemi një vendim gjykate, pavarësisht se a jemi të kënaqur... Serbia është shtet ligjor dhe këtu duhet të respektohen vendimet e gjykatave, ndryshe nga Prishtina ku nuk ka gjykata, nuk ka prokurori, por të gjitha vendimet merren nga Kurti dhe Sveçla.” – u shpreh kryenegociatori i Serbisë në dialogun me Kosovën, përcjell Kosovo-Online.
Ai vazhdoi tutje akuzat ndaj Kosovës duke thënë se nuk ka sundim të ligjit, derisa e ofendoi kryeministrin e Kosovës duke e quajtur “të çmendur”.
Petkoviq u shpreh se tash do të ushtronin presion ndaj bashkësisë ndërkombëtare për të liruar serbët e arrestuar.
