“Përzierja” e Qeverisë në votimin jashtë vendit, DnV: Veprimet e MPJD-së janë antiligjore, po cenohet integriteti zgjedhor
Koalicioni i organizatave joqeveritar, “Demokracia në Veprim”, i cili monitoron zgjedhjet në Kosovë, është shprehur i shqetësuar me ndërnyjën e Qeverisë Kurti në votimin jashtë vendit.
Në një konferencë për media, ky koalicion sot ka publikuar raporton “Drejt Ditës së Zgjedhjeve”, ku konfirmohen shkrimet e gaztës Nacionale për ndërhyrjen e MPJD-së në procesin zgjedhor.
Raporti DnV-së ka vlerësuar se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës me veprimet e saj po e cenon integritetin zgjedhore.
Sipas këtij koalicioni, kërkesa e MPJD-së për hapjen e qendrave të votimit në hapësira të tjera është e paligjshme, meqenëse KQZ-ja është institucioni i vetëm që ka autoritetin për të organizuar dhe administruar zgjedhjet.
“Që nga shpallja e zgjedhjeve dhe fillimi i zbatimit të operacioneve zgjedhore, janë vërejtur elemente të cilat tregojnë për përpjekje të qarta të Qeverisë për të ndikuar drejtpërdrejtë në vendimmarjen që lidhet me operacionet e caktuara zgjedhore. Përkundër statistikave që tregojnë se votimi përmes postës mbetet aktualisht formati më i preferuar i aplikuesve për t’u regjistruar si votues jashtë vendit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka shfaqur tendencë për ndërhyrje në procesin zgjedhor”, thuhet në raportin e DNV-së.
Në raport përmenden shkrimet e gaztës Nacionale për këtë çështje.
Sipas DnV-së, letra e MPJD-së për ambasadorët, për të cilën ka raportuar Nacionale, cenon integritetin zgjedhor.
“Së fundi, kishin qarkulluar lajme se MPJD-ja u ka dërguar letër disa drejtuesve të misioneve diplomatike të Kosovës, për të kërkuar gjetjen e hapësirave alternative që do të shfrytëzoheshin si qendrave të votimit. Një kërkesë e tillë është e paligjshme, meqë KQZ-ja është i vetmi institucion me autoritet kushtetues dhe ligjor për të caktuar qendrat e votimit jashtë vendit, proces në të cilin roli i MPJD-së është lehtësues. Për më tepër, kjo letër, përbën tejkalim të kompetencave të ekzekutivit, duke e cenuar integritetin zgjedhor”, është thënë në raport, duke shtuar se VV-ja po tenton të maksimalizon votën.
“Shtimi i mundësive të votimit jashtë vendit - fizikisht në misionet diplomatike të Kosovës - ka qenë një ndër idetë dhe premtimet kryesore të partisë në pushtet, që ishte materializuar përmes ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor gjatë vitit 2023. Tanimë, përtej ofrimit të kësaj mundësie, janë evidente përpjekjet për maksimizimin e votës së diasporës, madje "në kurriz" të kapaciteteve të munguara të KQZ-së”, ka vlerësuar DnV-ja.
Më tej, DnV-ja ka shprehur shqetësimet edhe për çështjen e Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të MPJD-së dhe KQZ-së.
“Për më tepër, tejet e diskutueshme është edhe iniciativa për nënshkrimin e një Memorandumi mes KQZ-së dhe MPJD-së, lidhur me bashkëpunimin mes këtyre institucioneve lidhur me operacionin e votimit jashtë vendit. Ndonëse memorandumi nuk ka karakter obligativ, vet nënshkrimi i tij, për përcaktimin e përgjegjësive të palëve – ndonëse përgjegjësitë dhe detyrimet ligjore janë qartazi të përcaktuara me ligj dhe Kushtetutë – mbetet problematik”, është thënë në raport, duke treguar edhe paqartësitë tjera të memorandumit.
“Për më tepër, i njëjti përmban disa paqartësi sa i përket “sigurimit të hapësirave të përshtatshme për zhvillimin e procesit zgjedhor”, proces ky i cili veçse është përmbyllur me miratimin e listës përfundimtare të qendrave të votimit jashtë vendit”, ka vlerësuar në DnV.
Çka thuhet në kërkesën e MPJD-së?
Para disa jave, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kërkuar nga ambasadorët dhe drejtuesit e posteve konsullore që të kërkojnë hapësira të reja për votim në vendet ku janë akredituar.
Kërkesa në fjalë udhëzon në detaje shefat e misioneve se si duhet të veprojnë në sigurimin e këtyre hapësirave.
“Me qëllim të përmbushjes së obligimit ligjor të MPJD-së, lidhur me organizimin e Zgjedhjeve të Përgjithshme 2025, kërkojmë nga ju që me prioritet të kërkoni nga autoriteti komunal\rrethi konsull\operator, informacion mbi mundësitë e ofrimit të hapësirave publike ose publiko/private, me apo pa pagesë, me qëllim të realizimit të procesit zgjedhor përmes votimit fizik, nën kontraktimin dhe shfrytëzimin e përfaqësive diplomatike apo posteve konsullore”, thuhet në kërkesën e MPJD-së për misionet diplomatike, të cilën e ka siguruar Nacionale.
Aty specifikohet, se shefat e misioneve diplomatike mund të marrin në shfrytëzim qendra sportive, salla dhe objekte tjera për ditën e votimit.
“Nga autoritet\operatori duhet kërkuar ofrimi i objekteve si: qendra sportive, kulturore, salla, galeri, apo tjetër, të cilat janë të përshtatshme të shfrytëzohen për organizimin e votimit fizik, gjatë ditës së zgjedhjeve, më datë 7 dhe 8 shkurt 2024. Objekti duhet të ketë hapësirë ose dhoma shfrytëzimi”, thuhet në kërkesë.
Në fund të kërkesës, kërkohet që misionet diplomatike të gjitha informacionet lidhur më marrjen e këtyre objekteve të dërgohen në MPJD deri me datën 29 tetor.
MPJD-ja me memorandum ia kërkon KQZ-së kompetencat
Gazeta Nacionale këtë javë e ka publikuar të plotë Memorandumin e Bashkëpunimit në mes të MPJD-së dhe KQZ-së, ku ministrja e drejtuar nga Donika Gërvalla ka kërkuar kompetencat për organizmin dhe administrimin e procesit zgjedhor jashtë vendit.
Përmbajtja e këtij memorandumi e paraqet hapur tendencën e Qeverisë Kurti për të ndërhyrë në procesin e organizimit dhe administrimit të zgjedhjeve në një segment kryesor të saj, siç është votimi jashtë Kosovës.
Në hyrje te Memorandumit të Bashkëpunimit, MPJD-ja i tregon qëllimet që dëshiron t`i arrijë.
Në nenin 1, ministria e Gërvallës kërkon që të këtë bashkëpunim me KQZ-në për administrimin dhe organizimin e zgjedhjeve në diasporë.
“Ky memorandum i bashkëpunimit synon: të sigurojë një strukturë të qartë bashkëpunimi ndërmjet palëve në organizimin dhe administrimin e të gjitha formave të votimit të shtetasve të Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit në Zgjedhjet e Përgjithshme të vitit 2025 në përfaqësitë diplomatike dhe postet konsullore të Republikës së Kosovës”, thuhet në pikën e parë.
Në nenin 2 të memorandumit të shkruar nga MPJD-ja, ky institucion qeveritar i ka caktuar vetes detyra me të cilat nuk ngarkohet me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Pika më shqetësuese e këtij neni është ajo 1.3, ku MPJD-ja ia cakton vetes kompetencat që nuk i takojnë.
“Të sigurojë hapësira të përshtatshme për zhvillimin e procesit zgjedhor, në përputhje me të drejtën e aplikueshme ndërkombëtare dhe legjislacionin vendor”, thuhet në këtë pikë.
Kjo “detyrë” nuk i është dhënë askund MPJD-së në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Pasi në nenin 2 MPJD-ja i ka caktuar vetes detyra jashtë ligjit, kjo ministri është kujdesur që në pjesën e dytë të tij ta reduktojë rolin e KQZ-së në rol krejtësisht logjistik.
Sipas dokumentit, roli i KQZ-së mbetet në mbulimin e shpenzimeve dhe për çështje teknike.
Askund në këtë dokument nuk thuhet se KQZ-ja është institucioni që e organizon procesin zgjedhor jashtë vendit.