Përveç Qeverisë, tash edhe Kuvendi jashtë binarëve kushtetues: Hoti alarmon për “uzurpim” të zyrave nga VV - NACIONALE

Përveç Qeverisë, tash edhe Kuvendi jashtë binarëve kushtetues: Hoti alarmon për “uzurpim” të zyrave nga VV

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Deputeti i Lidhjes Demokratike, Avdullah Hoti, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për sabotimin e konstituimit të Kuvendit përmes, siç i cilësoi ai, veprimeve arbitrare dhe në kundërshtim flagrant me frymën kushtetuese. Në një intervistë për RTK, Hoti ua artikuloi deputetëve të VV-së ABC-në e dallimit mes Kryeparlamentarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit, në dritën e argumentit të stërpërdorur se "nuk po u perzihen partive tjera në emrin e kandidatit për nënrkyetarë."

Sipas tij, thelbi i të gjithë bllokadë disa-mujore qëndron në mosnjohjen e të drejtave elementare të grupeve parlamentare për të deleguar dhe propozuar kandidatë për pozitat përkatëse.

Po të ishin sjellë në mënyrë konstruktive në Kuvend, 5–6 herë nuk është votuar një kandidate dhe pastaj, në mënyrë arbitrare, kryesuesi i Kuvendit jokushtetueshëm e ka ndërruar rendin e ditës,” deklaroi ai, duke shtuar se shumica “kishte mundësi që, kur nuk është votuar një kandidate 2–3 herë, ta ndryshonte kandidatin siç edhe e ndryshoi më vonë.” Sipas tij, nëse këto veprime do të ishin ndërmarrë që në fillim, Kuvendi do të ishte konstituuar pa vonesa.

Hoti bëri më tej një dallim thelbësor mes kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, duke kritikuar këmbënguljen e VV-së për një emër të vetëm, ndonëse pa elementin bazik të demokracisë:

“Për kryetarin e Kuvendit duhet të ketë konsensus politik. Nënkryetarët përfaqësojnë grupet parlamentare përkatëse; pra është diskrecion i plotë i grupit parlamentar për nënkryetarë. Ndërkohë që për kryetar Kuvendi nuk është diskrecion i plotë i grupit më të madh parlamentar në rastet kur nuk i ka 61 vota,” theksoi ai, duke nënvizuar se respektimi i këtij standardi do të shmangte tensionet procedurale.

Duke komentuar zhvillimet rreth vendimit të kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha Basha, për t'i dhënë epilog seancës konstitutive edhe pa zgjedhjen e një Nënkryetari serb, Hoti tha se kjo situatë krijon precedent të ngjashëm me ushtrimin e posteve ekzekutive nga deputetët e Vetëvendosjes.

Deputeti i LDK-së kujtoi letrën e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë drejtuar Albin Kurtit ditë m) parë, në të cilën njoftohet se takimet me të nuk do të zhvillohen më në Zyrën e Kryeministrit apo në ndërtesën e Qeverisë.

“Ka një vendim të Gjykatës Supreme që është anulu një udhëzim administrativ i Ministrit të Financave. Baza e argumentit është që ministri është duke ushtruar detyrën në mënyrë joligjore, sepse është deputet i Kuvendit të Kosovës. Kjo nënkupton se të gjithë ata anëtarë të qeverisë që janë edhe deputetë janë duke uzurpuar zyrat e tyre. Janë duke qëndruar në mënyrë joligjore në zyrat e tyre. Kjo prodhoi efekt që vendet formale të dërgojnë letër formale se ne nuk mund të vijmë më në zyrat e juaja sepse ka nje vendim gjykate. Edhe Kuvendin e Kosovës e kemi me funksionim jokushtetues.” – deklaroi Hoti.

Lajme të ngjashme