Përtej shifrave, ekziston realiteti: Ekonomistët komentojnë “progresin ekonomik” të Kurtit - NACIONALE

Përtej shifrave, ekziston realiteti: Ekonomistët komentojnë “progresin ekonomik” të Kurtit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dje, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë një postim lidhur me progresin ekonomik në vend në të cilin përmendi se që nga vitit 2021 janë regjistruar 40 mijë vende të punës më shumë.

Shkruan: Blendrita Avdiu

Specifikisht, sipas tij 25 mijë vende të punës janë regjistruar gjatë vitit 2021, ndërsa 15 mijë vende të tjera janë regjistruar nga janari deri në gusht të këtij vitit.

Komentet e ekonomistëve

Ekonomisti, Nagip Skenderi për Naciaonlen ka thënë se të dhënat e prezentuara të Kryeministrit Kurti nuk janë aspak reale lidhur me rritjen ekonomike, pasiqë siç thotë ai jemi duke u përballur me situatë inflacioniste dyshifrore, ku të gjithë indikatorët ekonomikë tani ndryshojnë në shifra për shkak të kësaj situate inflacioniste.

Ai gjithashtu shtoi se këtë nuk mund ta quajmë lulëzim ekonomik të qeverisjes Kurti, ngase ekzistojnë faktet reale ekonomike ku qarkullimi i bizneseve është rritur, jo si një rezultat i rritjes së fuqisë blerëse konsumatore apo rritjes së performancës së bizneseve, por kryekëput është rezultat i rritjes së inflacionit dyshifror.

Kurse, sa i përket "rritjes se vendëve të reja të punes", Skenderi tha se të dhënat flasin më shumë jo për shtim të ri të të punësuareve në vende të reja të punës, por ka formalizim të të punësuareve nga vendet ekzistuese të tyre, gjë që demanton rritjen e punonjësve përmes ndonjë investimi të ri për vendet e punës.

“Kurse, nga ana tjeter kemi të dhënat e prezentuara nga ana e ARBK dhe ASK që kemi shlyrje të bizneseve edhe më shumë se viteve paraprake, dhe kjo kundërshton të dhënat se "bizneset janë në prosperitet ekonomik, kur ato me vështirësi të madhe po mbijetojnë në treg". Këtë e dëshmon edhe kërkesa e djeshme e naftetarëve drejtuar Kryeministrit Kurti se shumë biznese që ofrojnë shërbimin e shitjeve të naftës dhe derivateve të saj janë buzë falimentimit, që demanton rritjen e pretenduar të Kryeminsitrit për rritje të punë-dhënies në këtë periudhë,” - ka thënë Skenderi për Nacionale.

Edhe kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi në një prononcim për gazeten Nacionale sot ka thënë se të dhënat e lëshuara nga Kryeministri Kurti janë joserioze, pasiqë siç thekson ai rritja prej 40 mijë vende të punës nuk mund të jetë e vërtetë.

Ai thotë se që nga vitit i kaluar ka pasur rënië prej afro 15 mijë punëtorë.

“Për vitin 2021 janë paguar 419 mijë e 300 kontributdhënës, ndërsa në vitin 2022 ka rreth 405 mijë kontributëdhënës,” - ka deklaruar Azemi.

Sipas Azemit, aktualisht në sektorin privat janë 220 mijë punëtorë aktivë ndërsa në sektorin publik mund të jenë 80 mijë deri në 100 mijë punëtorë.

Lidhur më këtë çështje, për gazetën Nacionale ka folur edhe Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahni i cili shkurt e komentoi me ‘haha katastrofë’ postimin e Kurtit.

Ndryshe, edhe ish-Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka reaguar ndaj postimit të Kryeministrit Kurti lidhur me progresin ekonomik.

Me anë të një postimi në Facebook, ai ka thënë se “Vendet e reja të punës” janë formalizim i vendeve të punes, të cilat kanë ekzistuar si vende pune, pra nuk janë vende të reja të punes, si rezultat i ndonjë investimi apo rritje e bizneseve ekstistuese.

Ai gjithashtu përmendi edhe faktin se qarkullimi i bizneseve është rritur, jo si rezultat i rritjes së fuqisë blerëse apo ndonjë performance më të mirë ekonomike. Siç thekson ai rritja e qarkullimit, është rezultat i inflacionit (në shumicën e produkteve, rritja e çmimeve është mbi 20%).

“Eksporti eshte rritur nga kompanite private dhe performanca e tyre. Qeveria nuk mund ta thotë që ka ndërmarre ndonjë masë apo politikë të vetme që ka ndikuar ne kete performance te eksportit. Minimalisht çka duhet te bej Kryeministri, eshte te vizitoj dhe te ju jep perkrahje simbolike, atyre qe sot jane mbi 25% e eksportit te Kosoves, perkatesisht kompanise “Devolli Corporation”, po edhe kompanive tjera qe me shume mund kane arritur nje pozicionim në tregjet globale”, ka shkruar Rukiqi në Facebook.

Raporti i Bankës Botërore

Bazuar në raportin e “Mbrojtjes Sociale për Rimëkëmbje” të Bankës Botërore, punëdhënësit raportojnë gjithnjë e më shumë vështirësi në plotësimin e vendeve të lira të punës, informaliteti dhe mospërputhje të aftësive që kanë përcaktuar prej kohësh tregun e punës janë ende të pranishme.

Sipas këtij raporti, pjesëmarrja e ulët e fuqisë punëtore dhe punësimi, veçanërisht në mesin e grave, vazhdojnë të jenë një pengesë e madhe për rritjen dhe reduktimin e varfërisë.

Publikimi i fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), “Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP) tregon se për tremujorin e tretë të vitit 2021”, në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, shkalla e papunësisë ka qenë 17.7 për qind.

Për të parë se çka mendojnë qytetarët, administratorët e gazetës Nacionale në Viber kanë hapur një sondazh në këtë grup duke shtruar pyetjen: "A u zhvillua ekonomikisht Kosova nën Qeverinë Kurti?"

Lajme të ngjashme