“Personalitet me integritet”: Gërvalla e mbron sërish Martin Berishajn, raportimet i quan “fushatë” - NACIONALE

“Personalitet me integritet”: Gërvalla e mbron sërish Martin Berishajn, raportimet i quan “fushatë”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministrja e Punëve të Jashtmë, Donika Gërvalla, ka raportuar në Komisionin për Punë të Jashtme, të cilin dikur e udhëhiqte i shkarkuar Haki Abazi, deputet i rebeluar i VV-së. Gjatë raportimit, tensionet u shtuan, posaçërisht kur u përmend një emër i përveçëm, ai i Martin Berishajt, i cili dyshohet të jetë përfshirë në një skandal të madh financiar në shtetin slloven.

Në fakt, emrin e ambasadorit problematik të Kosovës në Kroaci e përmendi deputetja e AAK-së, time Kadrijaj, e cila foli për dyshimet për përfshirjen e Berishajt në një skandal të madh financiar në Slloveni.

“Ju e mbani një ambasador të korruptuar që është Martin Berishaj që është turp i Kosovës dhe i kësaj qeverie.” – deklaroi Kadrijaj, raporton EO, transmeton Nacionale.

Sigurisht, ndaj një akuzeje të tillë nuk ka qëndruar e heshtur zonja Gërvalla, e cila regoi në mënyrë të shpejtë. Gërvalla u mor së pari me zërin me të cilin folin Kadrijaj, duke e cilësuar si “bërtitje”. E pasi e kreu analizën për decibelët e zërit, Gërvalla i cilësoi si raportimet e medieve si fushatë e padrejtësi ndaj një njeriu me integritet të lartë.

“Sa i përket ambasadorit Berishaj, ju që më së shumti bërtisni, e dini shumë mirë çfarë padrejtësie ndaj ambasadorit Berishaj është edhe sa shumë gënjeni kur pretendoni që nuk e dini…absolutisht nuk thonë mediat rajonale. Është një medium i cili merret me këtë çështje dhe ai përtypet dhe ripërtypet këtu. Unë jam shumë kureshtare t’ju shoh në fund nëse do të skuqeni ose jo që keni zhvilluar fushata të papara kundër një personaliteti me një integritet të tillë. A duhet ai me qenë a jo ai moralisht aty, atë për fat të mirë e vendos dikush tjetër dhe jo ju. Asnjë prej akuzave që ia bëni atij nuk qëndron. Shumë mirë e dini.” – citohet të ketë thënë zonja Gërvalla.

Por, komplimenteve të Gërvallës, së paku në një rast i është përgjigjur edhe vetë ambasadori Berishaj. Madje, Berisha kishte zbuluar edhe një fjalë në tentim për ta zmadhuar lëvdatat ndaj zonjës Gërvalla. Siç raportonte Nacionale, në Forumin e Dubrovnikut në Kroaci, ambasadori kontrovers Berishaj pati rastin të takohej me shefen e tij, Gërvalla.

Në përpjekje për t'u servilosur, Ambasada e Kosovës në Kroaci, që udhëhiqet nga Berishaj, e kishte cilësuar përfaqësimin që i ka bërë Gërvalla Kosovës përmes fjalës “vehement”, e cila nuk ndodhet fare fjalorin e gjuhës shqipe. Megjithatë, e përkthyer nga anglishta, fjala vehement ka kuptimin si vijon: “të shfaqësh ndjenja të forta; të fuqishme, pasionante apo intenzive.”

Kujtojmë se Martin Berisha, drejtuesi i Ambasadës në Kroaci, është përfshirë në një skandal të madh në Slloveni pasi ishte zënë duke marrë para kesh në një institucion financiar në vlerën që shkonte në 600 mijë euro, e për të cilën gjë Nacionale ka raportuar vazhdimisht.

Lajme të ngjashme