Përplasja e re me aleatët: A po rrezikohet Kosova nga sanksione të reja shkaku i dinarit? - NACIONALE

Përplasja e re me aleatët: A po rrezikohet Kosova nga sanksione të reja shkaku i dinarit?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Refuzimi i Qeverisë për të shtyrë zbatimin e Rregullores së re të BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit në Kosovës, po e shtyn Kosovën drejt një përplasje të re me aleatët perëndimorë.

Reagimet e fundit të SHBA-së dhe BE-së kanë qenë të ashpra ndaj Kosovës, duke thënë se insistimi në zbatimin e kësaj rregullore mund të shkaktojë pasoja për vendin.

Kjo ka bërë që njohës të rrethanave politike të mendojnë se Kosova mund të përballet me ndëshkime të reja shkaku i injorimit të kërksave të SHBA-së dhe BE-së.

Këtë shqetësim e ka shprehur edhe ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri.

Në profilin e saj në “Facebook”, ai ka shkruar se kryeministri Albin Kurti po shkon drejt ndëshkimeve të reja amerikane.

Kurti drejt ndëshkimeve te reja amerikane - vetëm pas kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare të Kosovës Kurti kërkon koordinim me amerikanët!”, ka shkruar Tahiri.

Në anën tjetër, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka mohuar mundësinë që Kosova të sanksionohet për shkak të ndalimit të përdorimit të dinarit serb. “Nuk besoj që do ketë sanksione ndërkombëtare për Kosovën për këtë çështje. Vërejtjet që janë nuk kanë lidhje me ligjshmërinë e saj, është mungesa e një afati të nevojshëm kohor për konsultime paraprake mes bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të Kosovës”, ka vlerësuar ai.

Madje, ai i ka siguruar aleatët se kjo çështje nuk do të sjell as tensione në veri.

Shqetësimi ishte që mund të ketë turbulenca për shkak të këtij vendimi. Ne i sigurojmë se kjo nuk do të ndodhë dhe që siguria do t’u ofrohet të gjithëve. Situata nuk del prej kontrollit pse dinari është hequr nga përdorimi si valutë”, është shprehur Konjufca pas mbledhjes së Kryesisë.

Ndërsa, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës po e humb cdo argument me aleatët.

Sipas tij, me këtë logjikë nuk pritet heqja e masave ndëshkuese të BE-së.

Kur nuk di, siç po dëshmohet se nuk di, Qeveria e Kosovës po e humb argumentin me miqt dhe aleatët tanë, madje edhe për kauza të drejta. Prandaj, për fajin e kësaj Qeverie të padijshme dhe të papërgjegjshme, Kosova po i vuan pasojat e sanksioneve ndërkombëtare. Për herë të parë në historinë e vet. Dëmet ekonomike janë të matshme: deri tani rreth 300 milionë euro vlera e projekteve të bllokuara. Dëmet për imazhin ndërkombëtar të Kosovës të pamatshme! S’ka shenjë se sanksionet do të hiqen. Ka gjasë të mbesin në fuqi për sa kohë Kosova e mban këtë klasë politike diletante në pushtet”, ka shkruar Hamiti.

Vendim pa konsultime paraprake

Reagimet nga BE-ja nuk janë ndalur as gjatë ditës së premte.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi ka shprehur keqardhje për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb.

Me anë të një postimi në platformën X, Varhelyi ai ka vlerësuar se këtë vendim institucionet e Kosovës e kanë marrë pa konsultime paraprake.

Pikëpamja e Komisionit për rregulloren e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës e cila ishte caktuar të hynte në fuqi më 1 shkurt 2024: Komisioni shpreh keqardhje që ky vendim është miratuar pa konsultim paraprak duke pasur parasysh ndikimin që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës”, ka shkruar ai në X.

Për këtë çështje, sot ka reaguar edhe Komisioni Evropian.

Gjatë një konference në Bruksel, zëdhënësi i KE-së, Eric Mamer, ka theksuar se veprimi ka qenë i ngutshëm.

Komisioni shpreh keqardhjen për faktin se ky vendim është miratuar pa konsultime paraprake, duke marr parasysh pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë dhe komuniteteve të tjera në Kosovë. Komisioni është veçmas i shqetësuar për ndikimin te shkollat dhe spitalet, duke marr parasysh se nuk ka alternativa të tjera”, ka thënë Mamer.

Për këtë vendim, institucionet e Kosovës janë kritikuar ashpër edhe nga ShBA-ja.

Lajme të ngjashme