Përplasja e Presidencës me Qeverinë: Guxo s`guxon t`i dalë në krah Osmanit, heshtin Peci, Gërvalla dhe Avdyli
Presidenca dhe Qeveria e Kosova kanë shprehur qëndrime të ndryshme për incidentin e presidentes Vjosa Osmani në Maqedoni të Veriut, ku sigurimi i Aeroportit të Shkupit kërkoi skanimin e çantës dhe telefonit të presidentes Osmani.
Derisa Presidenca në reagimet e saj këtë incident e ka quajtur provokim dhe shkelje të rregullave ndërkombëtare, kryeministrit Albin Kurti është shprehur i rezervuar.
Madje, dje pas takimit me homologun e tij maqedonas, Kurti tentoi ta minimizoi rastin, duke hedhur poshtë pretendimet e Presidencës.
Kjo ka nxitur sot një reagim të ashpër të Presidencës, duke thënë se trajtimin që ju bë rastit në fjalë në këtë konferencë e djeshme për media ishte për keqardhje.
Kjo përplasje e Precedencës me Qeverinë duket se e ka zënë të papërgatitur partinë Guxo, e cila ishte themeluar nga presidentja Vjosa Osmani, raporton Nacionale.
Dy udhëheqësit e kësaj partie, Faton Peci dhe Donika Gërvalla Guxo, që drejtojnë dikasteret e Bujqësisë dhe Politikës së Jashtme në Qeverinë Kurti, deri me tani kanë injoruar këtë përplasje.
Deri me tani as Peci dhe as Gërvalla nuk janë deklaruar në lidhje me rastin.
Derisa Peci vazhdimisht është parë si përkrahës i madh i presidentes Osmani, Gervalla ka shkëmbyer replika të ashpra me shefen e shtetit për disa çështje.
Për çështjen në fjalë nuk është deklaruar as deputeti i zëshëm i partisë Guxo, Haxhi Avdyli.
I heshtur ka qëndruar edhe deputeti tjerë i kësaj partie, Burim Meta, i cili shpesh i shpërndan postimet e presidentes Osmani.
E vetmja deputete e kësaj partia që ka reaguar ka qenë Jeta Statovci.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se trajtimi që i është bërë presidentes Osmani ka qenë jo dinjitoz.
“Trajtimi jo dinjitoz ndaj Presidentes së Kosovës, Zonjës Vjosa Osmani, nga një zyrtar tendencioz maqedonas dhe me mendësi të së kaluarës, në kundërshtim total me Konventën e Vjenës, është i pa pranueshëm. Raportet e Kosovës me Maqedoninë kanë qenë përherë konstruktive dhe evropiane, sjellje të tilla nuk i takojnë mendësisë demokratike dhe rregullave ndërkombëtare midis shteteve të pavarura”, ka shkruar Statovci.
Qëndrimet e Qeverisë dhe Presidencës
Kryeministri Albin Kurti për herë të parë rreth kësaj çështje është deklaruar dje. Gjatë një konference të përbashkët me homologun e tij maqedonas, është shprehur i but me institucionet maqedonase.
Sipas tij, veprimet ndaj shefes së shtetit nuk kanë qenë një provokim.
“Nuk e di që kem pasur qëndrim të tillë (si provokim) si institucione të Republikës së Kosovës. Mund ta ketë ndokush prej qytetarëve por jo institucionet. MPJD ka dhënë deklaratë që paraqet qëndrimin tonë, po ashtu kemi parë qëndrimin e MPJ-së maqedonase.”, është shprehur Kurti.
Ai është shprehur optimist se institucionet maqedonase do ta zbardhin rastin.
“Besoj që duhet të synojmë të vërtetën dhe kurrësesi tensionimin, le të zbardhet rsati. Kryeministri Mickoski dhe unë s’mund ta bëjmë zyrtarin doganor dhe policin hetues dhe inspektoriatin e policisë...siç u tha në takim po bëhemi ngadalë dhe sigurt ekspertë të detaje takimeve.”, ka thënë Kurti.
Atij nuk i ka penguar fare që në komisioni që do ta hetojë çështjen nuk do të marrë pjesë asnjë zyrtar i Republikës së Kosovës.
“Pa dyshim që ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë e Presidentes, shkëlqesisës Vjosa Osmani me 2 gusht në aeroport. Aq më tepër që ka qneë me familje dhe dy vajza të vogla. Autoritetet e RMV-së, krerët shtetërorë kanë shprehur keqardhje, dhe do të ketë raport zyrtar që do të zbardhë këtë çështje, që të kuptojmë se çfarë ka ndodhur por edhe të mos përsëriten kurrë më sitauta të tilla”, ka thënë Kurti.
Ndaj pretendimeve të kryeministrit Kurti ka reaguar ashpër Presidenca.
Përmes një komunikate për media, Presidenca e Kosovës ka vlerësuar se mënyra se si u trajtua incidenti gjatë konferencës për media është për keqardhje.
“Mënyra se si u trajtua incidenti ndaj Republikës së Kosovës në Shkup gjatë konferencës së djeshme për media, është për keqardhje, sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës. Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës.”, thuhet në komunikatë.
Presidenca ka vlerësuar se për rastin në fjalë nuk duhet hetime, për të cilat kanë folur dy kryeministrat.
“…për këtë as nuk duhen raporte e hetime shtesë për ndonjë gjendje faktike, sepse ato janë komplet jorelevante para pranimit publik te institucioneve të Maqedonisë së Veriut se një rregull i tillë është imponuar qëllimshëm, pavarësisht kërkesave të qarta të së drejtës ndërkombëtare.”, është thënë në komunikatën e Presidencës.