Përpjekja e radhës në ora 19:00: Haxhiu me lutje ndaj opozitës, PDK e AAK i kërkojnë Feride Rushitit të tërhiqet nga loja e Kurtit - NACIONALE

Përpjekja e radhës në ora 19:00: Haxhiu me lutje ndaj opozitës, PDK e AAK i kërkojnë Feride Rushitit të tërhiqet nga loja e Kurtit

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ka shtyrë sërish vazhdimin e seancës për zgjedhjen e presidentit.

Në mungesë të kuorumi, ajo ka bërë me dije se përpjekja e radhës do të mbahet në ora 19:00.

Kryeparlamentarja sërish ka kërkuar nga partitë opozitare që të marrin pjesë në këtë seancë për të zgjedhur presidentin.

Në përpjekjen e saj të dytë për të vazhduar sot këtë seancë, ajo ka thirrur me emër e mbiemër gjithë deputetët e opozitës, duke kërkuar që të marrin pjesë në këtë seancë.

“Për shkak të mungesës së opozitës, dhe gjithnjë duke u përpjekur që t’i kemi ata në seancën për zgjedhjen e presidentit dhe për shkak të obligimeve. Ju njoftoj që kjo seancë vazhdon sot në orën 19:00”, ka thënë ajo.

Me përpjekjen e Haxhiun kanë ironizuar edhe gazetarët që po e përcjellin seancën nga vendi i ngjarjes.

Kur ajo ka njoftuar kohen e vazhdimit të seancës, gazetarët që përcillni seancën kanë ironizuar, duke duartrokitur.

Kjo ka bërë që ajo të ua tërheq vërejtën gazetarëve që të mos pengojnë seancën.

Media të cilat janë të pranishme, me mirëkuptim iu kërkoj që të mos pengojnë zhvillimin e seancës. Jeni këtu për të raportuar për qytetarët e Republikës së Kosovës. Pra, për interesim publik, por të mos ndikoheni nga diskutime tona”, ka thënë Haxhiu.

Opozita injoron thirrjet e pushtetit

Partitë opozitare kanë injoruar thirrjet e pushtete për të marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit.

Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë akuzuar VV-në për cenim të rendit kushtetues.

Madje, PDK-ja dhe AAK-ja i kanë bërë thirrje Feride Rushiti, kandidates së propozuar nga VV-ja për presidente, që të tërhiqet nga kandidatura e saj.

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka vlerësuar se ajo që po bën kryeministri Albin Kurti është lojë politike antikushtetuese.

Në një konferencë për media, ajo ka shprehur keqardhje që Rushiti ka pranuar të propozohet nga VV-ja për presidente.

Në këtë situatë reagimi opozitar dhe qytetar është detyrim për të mbrojtur rendin kushtetues dhe të ardhmen e vendit tonë Ne si subjekt politik opozitar do t’ i ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për këtë. Sot nga Kuvendi dua të apeloj te partia në pushtet që t’i ndërpresë të gjitha këto veprime karateje të dhunës politike. S’është kuvend i karatesë, por institucion i të zgjedhurve të popullit. Nga zemra i bëj thirrje zonjës Feride Rushiti të tërhiqet nga kjo lojë politike antikushtetuese e Albin Kurtit. E turpshme për shtetin dhe atë vet. Më vjen keq që ka pranuar të huazojë emrin e saj për maskaradë politike”, ka thënë ajo.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar të njëjtën gjë.

Sipas tij, ajo nuk duhet të bëhet pjesë e një procesi që cenon rendin kushtetues.

“Ne si AAK besojmë se Kosova meriton më shumë, propozimi ynë i parë është që Feride Rushiti të tërhiqet nga kandidatura e saj për shkak se po bëhet pjesë e një procesi politik, i një procesi i cili po rrënon rendin kushtetues”, ka thënë Tahiri.

Lajme të ngjashme