Përgjimi: A i kishte premtuar Kusari Simiqit se Kurti do të bisedojë me Sveçlën e Haxhiun për Radojiçiqin?
Gazeta Nacionale ka publikuar pjesën e parë të përgjimit të bisedave të shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lilës, me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq.
Një pjesë mjaft problematike e bisedës, është pikërisht nga minuta e 9:00, deri në minutën 9:30, ku biseda ndërmjet Kusarit e Simiqit, teksa flisnin për Radojiçiqin implikon Kryeministrin Kurti, Ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu e Ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla.
“Njeriu nuk e ka meritu aspak tretmanin që i është bërë, duke e futë në listën e ndalimit..” – thotë Simiq fillimisht, referuar urdhër-arrestit për Radojiçiq.
Kusari i kthehet: “Pse po më thua mua?”
Pjesa problematike vazhdon kësi soji “Ti mu më ke thënë, ti mu më ke thënë që ki me folë me kryeministrin, dhe kryeministri ka me shiku se çka bëhet fjalë, që ka me folë edhe me ministren e drejtësisë, edhe me ministrin e punëve të brendshme, a është kështu?”
Nuk dihet se për çfarë premtimi, e përçka do të fliste Kryeministri Kurti, me Ministren Haxhiu e Ministrin Sveçla në lidhje me Radojiçiqin.
Në lidhje me këtë pjesë të përgjimit ka reaguar edhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.
Kica-Xhelili pyet se pse do të fliste Kusari-Lila me Ministren e Drejtësisë dhe atë të Punëve të Brendshme.
“Më ke thënë që do të flasësh me kryeministrin, e ai me ministren e drejtësisë dhe ministrin e punëve të brendshme” i tha Slavko Mimozës, teksa flisnin për Radojçiçin.
Pra koordinim me kryeministrin, ministren e drejtësisë, ministrin e punëve të brendshme, për Radojçiçin. Pse? Për çka?”
Kush është Milan Radojiçiq
Është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ishte i dyshuar për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Tash, dyshohet për frikësim të dëshmitarëve në rastin Brezovica. U arratis tri herë nga Policia e Kosovës. Me kaq pak fjali, mund të përshkruhet figura e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiq.
Radojiçiqi që në përgjimet e publikuara nga Nacionale mes Mimoza Kusarit e Slavko Simiq quhet shkurt në emrin e tij “Milan”, po del se ka komunikuar edhe me shefen e deputetëve të VV-së.
Kjo është zbardhur në përgjimet e publikuara, e ku Kusari-Lila e pranon se ka folur me Radojiçiqin. Por, thotë “2-3 minuta”.
Radojiçiq që është sanksionuar nga Amerika, dyshohet për frikësim dhe ndikim te dëshmitarët për rastin e ndërtimeve në Brezovicë. Në listën e të kërkuarve ai u fut nga Prokuroria e Ferizajt, më saktësisht prokurori Rasim Maloku.
Një nga grupet kriminale të rrezikshme gjithashtu në Mitrovicën e Veriut, ishte ai me emrin “Mjekrroshat” apo në serbisht “Bradonja”. Edhe ky grup, udhëhiqej nga i sanksionuari nga Amerika, Milan Radojiçiq.
Ky grup përkujdesej për tensionimin e situatës në veriun e vendit, dhe merrej me aktivitete të ndryshme kriminale. Këtë e kishte konfirmuar edhe ish-prokurori Sylë Hoxha.
“Ai (Radojiçic) e ka edhe një grup tjetër të ashtëquajtur ‘Mjekrroshat’ apo ‘Bradonja’ ku ka pasur persona që kanë ardhur nga Serbia që kanë kryer vepra kriminale atje dhe janë ardhur janë strehu në pjesën Veriore, përpos që kanë kryer vepra penale tjera këtu ata kanë qenë edhe mbrojtja e Radojocicit”, deklaronte Sylë Hoxha.
Në këtë grup ishte i përfshirë edhe Zvonko Veselinoviq.
Rasti më tipik për fuqinë e këtyre grupeve kriminale është vrasja e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Procesi për këtë rast po shkon tepër ngadalë, pasi dëshmitarë e kanë konfirmuar zyrtarisht se ndihën të frikësuar nga grupet e caktuara që veprojnë në Veriun e Kosovës.
Milan Radojiçiq i njohur si bosi i veriut bashkë me Zvonko Veselinoviqin, është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E të zeza po del se janë edhe aksionet për ta arrestuar Radojiçiqin. Kjo pasi asnjë prej tyre, nuk ka realizuar me sukses.
Në nëntorin e vitit 2018, Policia e Kosovës kishte ndërmarrë një aksion për të arrestuar disa persona për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. U arrestuan disa persona, por sërish ‘çuditërisht’ në banesën e tij nuk u gjet Milan Radojiçiq. Ai arriti të arratiset.
Megjithatë, urdhër-arresti i gushtit të vitit 2020 për Radojiçiqin, ishte anuluar më 23 shkurt të vitit 2021. Kjo pa asnjë arsyetim, e as sqarim për publikun se si ndodhi.
Kurse, në fillim të shkurtit të këtij viti, Milan Radojiçiq kishte mësyrë Kosovën nga pika kufitare në Bërnjak. Pasi u ndalua nga Policia e Kosovës, ai e ktheu veturën dhe iku nga vendi i ngjarjes. Kamerat në atë kohë nuk po punonin, si rezultat disa policë u suspenduan. Por, ata pas pak ditësh sërish u kthyen në vendin e ngjarjes. Edhe një arratisje kjo e të fortit të veriut.
Më 5 korrik të vitit të kaluar, Radojiçiq ishte paraqitur me një video nga kodra në veri, ku ishte zotuar për mbrojtjen e serbëve.
“Terrori i vërtetë kundër popullit tonë serb po fillon tani. Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, vetëm më lejoni t’u them, dhe atyre të tjerëve, unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”, tha Radojçiq nga Leposaviqi.
Radojiçiq bashkë me Zvonko Veselinoviq dyshohet se ishin pjesë e grupeve kriminale në veriun e vendit që vendosnin barrikada, digjnin vetura e kryenin kontrabandë në atë zonë.