Përgjimet e Kusari-Lilës, avokati Shkoza: Kuvendi dhe zyrat e tij janë hapësira publike - NACIONALE

Përgjimet e Kusari-Lilës, avokati Shkoza: Kuvendi dhe zyrat e tij janë hapësira publike

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Avokati Armend Shkoza ka komentuar publikimin e përgjimeve nga Gazeta Nacionale në mes të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe Sllavko Simiqin e Listës Serbe.

Shkoza ka thënë se incizimi i paautorizuar është i sanksionuar me dispozita të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe sipas tij për tu konsideruar se kjo vepër është kryer, incizimi i tillë duhet të jetë bërë në banesën private ose në një vend ku personi ka pritje të arsyeshme për privatësi.

“Incizimi i paautorizuar është i sanksionuar me dispozita të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Mirëpo, për tu konsideruar se kjo vepër është kryer, incizimi i tillë duhet të jetë bërë në njërën nga këto rrethana: a) incizimi i paautorizuar i personit të jetë bërë në banesën e tij private; dhe b) incizimi i pautorizuar të jetë bërë në ndonjë vend ku personi ka pritje të arsyeshme për privatësi. Mirëpo në cilëndo nga këto dy rrethana faktike, kjo vepër nuk kryhet poqë se përmbajtja e incizimit nuk cënon thelbësisht privatësinë e personit. Ky është element shtesë objektiv i kësaj vepre penale.” – ka shkruar Shkoza në Facebook.

Avokati Shkoza tutje ka thënë se Kuvendi i Kosovës dhe zyrat e tij janë hapësira publike në të cilat nuk duhet të ketë asnjë person pritje të privatësisë.

“Kuvendi dhe zyret e tij janë hapësira publike në të cilat nuk duhet të ketë asnjë person pritje të privatësisë. Një përjashtim mund të bëhet, pasi që i vetmi vend ku mund të ketë pritje të privatësisë janë toaletet e Kuvendit. Mos të flasim që elementin tjetër objektiv që e kërkon kjo normë penale e që përmbajtja e diskutimit nuk cënon thelbësisht privatësinë e personit. Kryerja apo mos kryerja e veprës penale nuk është teke individuale. Është çështje e ligjshmërisë për të cilën njerëzimi është përpjekur sidomos oesë shekuj të fundit.” – ka përfunduar ai.

Lajme të ngjashme