Përgatitja e zgjedhjeve: Si po cenohet liria e qytetarëve në pjesën veriore me granata të prodhimit jugosllav - NACIONALE

Përgatitja e zgjedhjeve: Si po cenohet liria e qytetarëve në pjesën veriore me granata të prodhimit jugosllav

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Të martën, disa grupe kriminale në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut e penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente, por pa pasoja në njerëz. Fillimisht u dëmtuan zyrat e KQZ-së në Mitrovicë të Veriut e pastaj u dëgjuan për disa herë krisma e granta, për të cilat zyrtarë të Policisë së Kosovës deklaruan se ishin prodhim jugosllav.

Policia e Kosovës tha se "persona, grupe dhe të dyshuar të maskuar dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në veri të Kosovës", duke përdorur "mjete të rrezikshme".

“Referuar gjendjes në teren ju njoftojmë se dëmtime të zyrave të komisionit zgjedhor komunal në Mitrovicë Veri janë bërë nga persona/grupe të dyshuar/a të maskuar, të dhunshëm të cilët kanë përdor mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav”- deklaruan zyrtarët e Policisë së Kosovës të martën në orët e mbrëmjes.

Për situatën atje, pati edhe reagime nga krerët shtetërorë të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se "grupe të organizuara, me disa individë të maskuar" i sulmuan zyrtarët zgjedhorë dhe policët "me shok bomba dhe të shtëna në ajër".

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se të martën e 6 dhjetorit Policia e Kosovës ka asistuar për funksionalizimin e zyrave të Komisioneve Komunale Zgjedhore në Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, me qëllim të vazhdimit të procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale të 18 dhjetorit.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti tha se bandat kriminale janë të vetëdijshme se po u vjen fundi dhe se bombat që i hedhin dhe maskat që i vendosin, janë pafuqia e tyre politike e popullore.

Çka thanë qytetarët që jetojnë në veri?

Një banor i Mitrovicës së Veriut, i cili nuk ka dashur t'i përmendet emri, tha për Nacionalen se për disa net me radhë, njerëz nga komuniteti serb janë mbledhur në rrugë.

“Qe 3-4 netë, nëpër rrugica qëndrojnë njerëz të komunitetit serbë, kah 3-4 persona minimum (mbrëmë ose parmbrëmë keni mujt me e pa videon e tre rrokaqiejve). Sot ku KQZ vendosi me polici me shku nëpër zyrës e tyre dhe me ushtru detyrën, nuk ka pasë gjasa me u afru afër zyrës, për shk kqë tërë kohën, në një distancë jo të largët prej zyrës, kanë qendruar persona të komunitetit serbë, të gatshëm mos me leju kërkon me hy.” – ka thënë qytetari.

“Ka pasur edhe të shtëna të kohë pas kohshme të armëve, të cilat po vazhdojnë edhe në këtë moment. Siguri nuk ka. Polici pothuajse hiç. Sidomos në pjesën e tre rrokaqiejve, përveç një veture të Carabinierve që patrollojnë, tjerë nuk ka. Sa për Eulex, në rast eskalimi të situatës, janë të parët që ikin.” – tha ai.

Pse u tensionua situata më 6 dhjetor?

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë rritur qysh para disa muajve. Atëherë kur Qeveria e Kosovës mori vendim fillimisht që të mos lejojë më në veri makina me targa që i lëshon Serbia.

Ky vendim u kundërshtua nga serbët. E si rrjedhojë më 1 nëntor, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, si në nivel lokal, ashtu edhe në atë qendror.

Komunat në veri të Kosovës janë pa kryetarë qysh në fillim të nëntorit.

Tutje bazuar në Ligjin për zgjedhjet, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli më pas 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve atje.

Kujtojmë se Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar dhe ka udhëhequr komunat në veri - i kundërshton këto zgjedhje.

Lajme të ngjashme