I shpërfillur nga Bideni, Kurti po takon njerëzit e Trumpit: Takimi me “sekretarin më të keq të të gjitha kohërave”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po qëndron në Greqi të nga 5 korriku në një tavolinë të organizuar nga The Economist. Ai gjatë këtij takimi zhvilloi një takim edhe me njeriun e dytë të administratës Trump, sekretarin Pompeo e me të cilën ishte përplasur vazhdimisht mu në kohën kur ky i fundit po lufton ashpër ndaj "të majtës radikale". Për ironi, ai nuk është takuar me asnjë zyrtar të lartë të administratës Biden.
Përsëri hoteli ishte luksoz dhe përsëri stina në të cilën udhëtoi Kurti ishte verë dhe koha ishte kohë pushimesh.
Bashkë me të ishte edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, dhe ish kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev. Ai do të ishte pjesë e një paneli bashkë me dy të lartpërmendur, e ku do të flitej për tema që dukej se ishin vendosur sa për të thënë.
“Evropa Juglindore: A mund të ketë stabilitet dhe prosperitet në rajon?”
Por, në këtë tavolinë diskutimesh ishin 118 pjesëmarrës, mes të cilëve shumica ishin politikanë dhe sipërmarrës nga Greqia.
Sidoqoftë, aty mori pjesë edhe ish Sekretari amerikan Mike Pompeo. Megjithëse ish shefi i të Dërguarit Special Richard Grenell nuk publikoi asnjë postim në lidhje me rastin, Zyra e Kryeministrit në Prishtinë e dha një njoftim për atë se çka ishte folur.
““Në tryezën ndërkombëtare vjetore të revistës prestigjioze The Economist, e cila po mbahet në Athinë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takim me ish-Sekretarin Amerikan të Shtetit dhe ish-Drejtorin e CIA-s, z. Mike Pompeo. Në këtë takim u theksua miqësia dhe partneriteti i Kosovës me ShBA-të, nevoja për shtimin e investimeve ekonomike amerikane në Kosovë dhe hapat, që po ndërmerr Kosova për të shtuar sigurinë dhe mbrojtjen,” – shkruhej në komunikatë.
Në pjesën vijuese tregohet se madje dyshja ishte pajtuar “që Rusia nuk bën kurrsesi ta fitojë këtë luftë”. Është fjala pra, për Luftën e Ukrainës.

Takimi me Republikanin radikal është veçanërisht i çuditshëm pasi vjen pas takimit që Kurti kishte pasur me senatorin kontrovers nga Teksasi, Ted Cruz. Për çudi, edhe me të Kurti kishte folur për situatën gjeopolitike në Evropë pas agresionit rus.
Në anën tjetër, përkundër vizitës së gjatë 18 ditore në ShBA Kurti nuk është takuar me figurat e fuqishme të Partisë Demokratike, Sekretarin Blinken apo Zv. Presidenten Kamala Harris.
Përplasjet me administratën Trump
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i kishte dhënë mbështetje të qartë e publike asokohe kandidatit të Partisë Demokrate për president të ShBA-ve, z. Joe Biden për të fituar garën presidenciale 2020 kundër kandidatit republikan Donald Trump.
Madje, ai iu kishte bërë thirrje edhe bashkëkombësve tanë në ShBA që t’i jepnin votën Bidenit në dëm të presidentit Trump.
Po ashtu, kryeministri i Kosovës Kurti kishte deklaruar publikisht se nuk do të respektonte marrëveshjen e 4 shtatorit të arritur nga administrata Trump pasi të vinte në pushtet.
Ndërkohë, as akuzat nuk kishin pushuar.
Kurti kishte deklaruar se marrëveshja e arritur në Shtëpinë e Bardhë dëmtonte interesat e Kosovës dhe ishte bërë në mënyrë që të përdorej nga Trump për t’i fituar zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit në ShBA.
Përveç kësaj, Kurti e kishte akuzuar emisarin special Richard Grenell për ndërhyrje në politikën e brendshme të Kosovës dhe për rrëzimin e tij nga pushteti më 25 mars 2020.
Megjithatë, gjërat duket se po shkojnë drejt përmirësimit në mënyrë të njëanshme. Derisa Kurti po takon madje edhe republikanët më radikalë amerikanë - dhe po akuzohet për ndryshim të kursit të majtë ekonomik drejt një kursi centrist e bile edhe të djathtë - Pompeo dhe besnikët e Trumpit vazhdojnë ta polarizojnë politikën amerikane.
“Ne duhet të mbrojmë ushtrinë tonë nga E Majta Radikale. Si një i diplomuar nga West Point dhe si veteran, unë e marrë mbështetjen për ushtrinë shumë seriozisht.” – kishte shkruar z. Pompeo gjatë kohës sa po zhvillonte takimin me Kurtin, një i vetëdaklaruar si i majtë radikal dikur.
Në një opinion të shkruar në vitin 2020 nga autori i famshëm Thomas L. Friedman, Mike Pompeo quhej si “Sekretari më i keq amerikan i Shtetit i të gjitha kohërave.”
Nuk dihet nëse vizita e Kurtit me Pompeon ka qenë e paracaktuar dhe nëse do të ketë ndonjë ndikim në zhvillimet politike në vend.

