Për suksesin në Asamble të KiE-së merrnin merita, për dështimin në Komitet të Ministrave Kurti e Osmani po heshtin - NACIONALE

Për suksesin në Asamble të KiE-së merrnin merita, për dështimin në Komitet të Ministrave Kurti e Osmani po heshtin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Duket se liderët institucionalë preferojnë të flasin vetëm për sukseset dhe jo për dështimet.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është përfshirë në agjendën e Këshillit të Ministrave të kësaj organizate, i cili do të mbahet të premten.

Për këtë dështim të madh diplomatik nuk e kanë thënë asnjë fjalë nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryediplomatja Donika Gërvalla.

Për dështimin në fjalë, ka folur vetëm zëvendësministrin i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti, raporton Nacionale.

Krejt ndryshe ishte vepruar më 16 prill, kur Asamble Parlamentare e Këshillit të Evropës kishte votuar pro raportit, cili rekomandonte anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Kosovës. Aso kohe liderët institucionalë ngarendnin për të shkruar statuse në rrjete sociale dhe për të treguar se sa i rëndësishëm është anëtarësimin i Kosovë në këtë organizatë. Votimi në asamble ishte cilësuar si historik për Kosovën.

Presidentja Vjosa Osmani kishte falënderuar të gjithë deputetët e Asamblesë Parlamentare për votimin.

Zëri i evropianëve është dëgjuar! Faleminderit të gjithëve deputetëve që votuan pro anëtarësimit të Kosovës sot në Asamblenë Parlamentare. Një falënderim i madh për delegacionin tonë dhe të gjithë ata që mbështesin vazhdimisht popullin e Kosovës. Edhe një hap!”, kishte shkruar Osmani në “X”.

Edhe më euforik ishte treguar kryeministri Albin Kurti. Në profilin e tij në “Facebook”, ai ishte shprehur shumë optimist se edhe Këshilli i Ministrave do të votojë pro anëtarësimit të Kosovës.

“Asambleja Parlamentare i thotë PO Kosovës. Jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Faza e radhës dhe e fundit që na pret është ministeriali në muajin maj. Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë. Nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut. E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut”, kishte shkruar Kurti.

Merita për këtë çështje kishte marrë edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Arritje historike për shtetin e Kosovës falë gjeneratave të tëra që punuan dhe sakrifikuan shumë për Kosovën dhe të ardhmen e saj evropiana. Kosova edhe një hap më afër Këshillit të Evropës”, kishte shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.

Një ditë pas votimit, Misioni i Republikës së Kosovës në Strasburg kishte organizuar edhe një pritje zyrtare, ku kishte marrë pjesë edhe kryeministrit Kurti dhe kryediplomatja Gërvalla.

Kur kanë kaluar gati 24 orë që Kosova nuk është futur fare në agjendë, askush prej krerëve institucionalë nuk e ka thënë asnjë fjalë për këtë dështim.

Zëvendësministri fyen Këshillin e Evropës

Zyrtari i vetëm qeveritarë që ka folur për dështimin e Kosovës në Këshill të Evropës ka qenë zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmetaj.

Në një postim të gjatë në profilin e tij në “Facebook”, ai ka fajësuar disa shtete anëtare të Këshillit të Evropës për mos futjen e anëtarësimit të Kosovës në agjendë.

Megjithëse ka mbështetje për vendosjen e anëtarësimit të Kosovës në agjendën e Ministerialit të 17 majit, qendrimi i disa vendeve që Kosova duhet ta pranojë draft statutin e Miroslav Lajcak për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe ta dërgojë atë në Gjykatë Kushtetuese, në një mënyrë që është e pranueshme për Gjykatën, bëri që pika e Kosovës të mos vendoset sot në agjendën e ministrave të jashtëm. Në dy vitet e fundit shqyrtimet e detajuara të disa instancave të Këshillit të Evropës kanë konfirmuar që Kosova duhet të behët anëtare e kësaj organizate”, ka shkruar ai.

Më pas, ai ka treguar rrugëtimin e Kosovës në këtë proces.

Në mars të vitit 2024, tri raportueset politike të drejtuara nga Dora Bakoyannis konfirmuan që Kosova ka plotësuar të gjitha parakushtet e nevojshme dhe duhet të bëhet anëtarë e plotë e organizatës; Në prill të vitit 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi opinionin e saj ku bën thirrje për anëtarësimin e Kosovës pa asnjë parakusht shtesë. Opinioni u votua me mbi 80% të votave në favor të anëtarësimit. Pra, tashmë nuk mbetet asnjë hap tjetër përveç votimit përfundimtar nga ministrat e jashtëm, sipas Opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, ka vlerësuar ai.

Ai ka bërë me dije se KiE-ja po shfrytëzohet si levë presioni mbi Kosovën.

Por, ka gjasë që ky votim të shtyhet. Shtyerja eventuale vjen si rezultat i ngatërrimit të dy proceseve të pavarura, me ç’rast Këshilli i Evropës po shfrytëzohet si levë presioni mbi Kosovën për ta pranuar draft Statutin e Lajcakut dhe për ta dërguar atë në Kushtetuese, në shpërputhje gjithashtu edhe me procesin e dialogut në Bruksel”, ka shkruara ai.

Sipas tij, kusht i ri ndaj Kosovës nuk është në përputhje me parimet e KiE-së.

Ky kusht i ri, i vonshëm e jo zyrtar, nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale. Nëse ka një gjë nga Marrëveshja Bazike e Brukselit që do të mund të lidhej me anëtarësimin në Këshillin e Evropës është neni 4 i saj, me të cilin Serbia është pajtuar që të mos e pengojë Kosovën në anëtarësime në organizata ndërkombëtare. Siç dihet, ky nen është shkelur disa herë nga Serbia dhe kjo shkelje ka mbetur çdo herë e pa adresuar nga Bashkimi Evropian”, ka shkruar ai.

Ndonëse Gjermania dhe Franca kishin bërë me dije më herët, kryeministri Albin Kurti vetëm javën e kaluar ka treguar se Kosovës i është vendosur kushti i ri.

Ai ka bërë me dije se Qeveria e tij nuk do ta dërgon draft-statutin e Asociacionit për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese.

Lajme të ngjashme