“Për elektorat”: Kritikohen ashpër Osmani, Kurti dhe Gërvalla pas zbulimit të shtatores së Rugovës
Sot në Podujevë është bërë zbulimi i shtatores së presidentit, Ibrahim Rugova, shtatore kjo që u zbulua nënparonatin e kryetarit të kësaj komune, Shpejtim Bulliqi. Në ceremoni morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryediplomatja Donika Gërvalla dhe shumë personalitete të tjera.
Prania e Osmanit, Kurtit dhe Gërvalles në zbulimin e shtatores së presidenti Ibrahim Rugova, në Podujevë, u kritikua dhe nxiti shumë reagime.
Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, ka thënë se zbulimi i shtatores së ish-presidentit Ibrahim Rugova në Podujevë, nga ana e Kurtit, Osmanit dhe Gërvalles, është një luftë e pakompromise për “elektoratin rugovist” në Podujevë.
“Luftë e pakompromis e Vjosës, Albinit dhe Donikës për elektoratin rugovist në Podujevë. Secili, në formën e vet të mashtrimit, pretendon se çmon vlerat e Presidentit Rugova. Përderisa Albini dhe Donika, për të gjallë të tij, nuk e kanë fshehur urrejtjen dhe mosrespektin ndaj tij, Vjosa, si më e reja, përveç retorikës së pasur pro-rugoviane, asgjë rugoviste nuk ka. Lirisht, njeriu mund të konkludojë se qasja e të treve ndaj politikëbërjes dhe vlerave për të cilat ka qëndruar Prof. Dr. Ibrahim Rugova, ka qenë aq e ultë sa që sa herë e përmendin Rugovën, atij i rrotullohen eshtrat në varr.” – ka shkruar ai.
Në lidhje me këtë reagoi edhe analisti politik, Artan Behrami.
Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë:
“Dikur ishin në gjendje ta varrosnin Ibrahim Rugovën për së gjalli për të ndërtuar karrierë mbi trashëgimin e tij politike”.
Tutje, ai ka thënë se Osmani, Kurti dhe Gërvalla janë antipod i filozofisë politike të Rugovës.
“Rugova ishte paqësor, bashkues, emancipues dhe largpamës!
Këta janë ekstremistë të dhunshëm, kamikazë, përçarës, primitivë dhe fatalistë!” – është shprehur ai.
Nga ana tjetër, analisti dhe gazetari, Parim Olluri ka reaguar pasi zbulimit të shtatores së presidentit, Ibrahim Rugova në Podujevë.
Olluri ka thënë se pushteti i Kurtit e vendosi shtatoren e Rugovës në prag të zgjedhjeve për ta shfrytëzuar për fushatë emrin e tij.
‘“Kolaboracionist”, “I dëmshëm për Kosovën”, “Nuk mund të na mashtroj me sepse vdiq”. Këto janë vetëm disa prej fjalëve të renda që i ka thënë Vetëvendosja e Kurtit në ditën kur është varrosur presidenti Rugova. Sot pushteti i Kurtit ia vendosi një shtatore në Podujevë. Në prag të zgjedhjeve. Për ta shfrytëzuar për fushate emrin e tij.” – ka shkruar Olluri.
Ndërsa, avokati Dastid Pallaska ka thënë se përpjekja e njerëzve që e kanë shkatërru LDK-në, për të nderuar Rugovën duhet të refuzohet.
Pallaska ka thënë se asnjë monument për presidentin Rugova nuk fsheh dot faktin se këta politikanë të pacipë çdo ditë çnderojnë figurën dhe trashëgiminë politike të Presidentit Rugova.
“Përpjekja e njerëzve që kanë shkatërruar LDK-në për të nderuar Presidentin Rugova duhet të refuzohet nga secili votues rugovist. Asnjë monument i Presidentit Rugova nuk fsheh dot faktin se këta politikanë të pacipë çdo ditë çnderojnë figurën dhe trashëgimimë politike të Presidentit Rugova, duke i përbuzur dhe shkatërruar aleancat euro-atlantike që ai i krijoi me aq shumë mund.”
“Kjo gjeneratë e dështuar e politikanëve do te mbahet ne mend vetëm për paturpësinë e gënjeshtrave me të cilat erdhën në pushtet dhe protagonizimin adoleshent që ekspozon mungesën e përmbajtjes politike nga e cila vuajnë.” – ka shkruar ai.