Pendarovski: Ballkani i hapur ndër 50 iniciativat ekzistuese për rajonin, Procesi i Berlinit kryesori
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, vizitoi Shqipërinë, ku u prit nga homologu i tij Bajram Begaj.
Pendarovski nga aty tha se, Procesi i Berlinit është iniciativa kryesore për adresimin e interesave të shteteve të ballkanit perëndimor, ndërsa Ballkani i Hapur është vetëm një ndër 50 iniciativat e tjera.
“Ballkani i Hapur që nga fillimi i tij është që të jetë një bashkëpunim rajonal mes vendeve të Ballkanit. Ekzistojnë mbi 50 iniciativa që krijojnë kushte të përshtatshme për bashkëpunim mes vendeve. Ballkani i Hapur ka qenë një prej tyre dhe shpresoj që në një format të tillë të vazhdojë dhe më tej. Është e pakontestueshme se vendet që marrin pjesë në Ballkanin e Hapur e kanë të qartë se “çadër” për të gjitha iniciativat është procesi i Berlinit i cili ka marrëdhënie strukturore më të sakta se Ballkani i Hapur. 6 shtete marrin pjesë në procesin e Berlinit, ndërsa vetëm 3 në Ballkanin e Hapur dhe kjo është një mangësi e madhe për Ballkanin e Hapur”- ka thënë Pendarovski