Peci thotë se mediat nuk raportuan saktë për rastin e ish-selisë në AAK: Të vërtetën le ta thotë drejtësia - NACIONALE

Peci thotë se mediat nuk raportuan saktë për rastin e ish-selisë në AAK: Të vërtetën le ta thotë drejtësia

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar pas bastisjeve në ministrinë që ai e drejton.

Peci ka thënë se mediat nuk kanë raportuar saktë.

“Dje kam pasur një agjendë shumë të ngarkuar. Fillimisht kam qenë në komunën e Gjakovës në aktivitete, mandej në Deçan, në Pejë, në Istog, në Gjilan edhe në fund në mbrëmje si adhurues i futbollit kam përcjell në stadium ndeshjen futbollistike Kosovë-Islandë, diku rreth orës 12:00 jam kthyer para Ministrisë së Bujqësisë, e kam marr veturën edhe kam shkuar në shtëpi. Disa të ashtuquajtur gazetarë kanë raportuar që unë kam qëndruar deri në ora 12:00 të natës, duke fshehur dosje. Ky është një prej raportimeve të mediave. Raportimi tjetër ka qenë që Agjencia Zhvillimore e Bujqësisë është në proces të bartjes nga objekti me qira, tek objekti i Ministrisë së Bujqësisë, objekti shtetëror në Ulpianë, edhe procesi i bartjes ka filluar më shumë se një javë. Raportimi tjetër medial ka qenë se Prokuroria po merr dosje nga Ministria e Bujqësisë me kamion. Tash kjo është vetëm si shembull se çka raportojnë disa media”, tha ministri Peci.

Ai ka sqaruar se nuk ka ekzistuar asnjë pozicion në dokumente, ku thuhet se është bërë bartje e mobilieve dhe se raportimi medial për këtë çështje është i pabazuar.

“Ne e përgëzojmë, e falënderojmë çdo aktivitet të mekanizmave të drejtësisë që vihet në funksion të zbardhjes të së vërtetës. Unë nuk merrem me specifika teknike. Ju e keni A deri në ZH shpjegimin se si ka shkuar e gjithë procedura, edhe mes tjerash, mua më kanë njoftuar pas raportimit medial që ka qenë, që krejt çka është raportuar në media ka qenë e pavërtetë, ka qenë shpifje, edhe është tendencë”.

“Të vërtetën ta thonë institucionet e drejtësisë, edhe akterët, të cilët janë intervistuar edhe që kanë përgjegjësinë ligjore dhe institucionale të merren me procedurën. Mua më kanë thënë që nuk ekziston pozicion, ku thuhet që është bartje e mobilieve, aq më tepër që në këtë raportim medial ekziston një video që është bërë te kati i objektit të Ministrisë së Bujqësisë që nuk ka qenë hiç pjesë e kontratës për të bërë renovimin në atë objekt. Është bërë video, është bërë shpifja se në katin, ku nuk është hiç pjesë e kontratës për çka pretendohet se ka mundur të ketë abuzim financiar”, ka thënë ministri Peci.

Lajme të ngjashme