PDK si Shën Augustini: O Zot, më bëj të virgjër, por jo edhe pak
Po të ishte PDK person, familja çdo vit do ta dërgonin për rehabilitim në Manastirin e Mostarit.
Njëra prej figurave qendrore të krishterimit, Augustini i Hippo’s, ose Shën Augustini, si i ri e kishte jetuar jetën si hedonist. Nuk ishte kursyer nga përvojat e ndryshme seksuale, si me gjininë e njëjtë ashtu edhe me të kundërtën. Ishte i vetëdijshëm për mënyrën se si po jetonte. Nana e tij vazhdimisht e qortonte dhe provonte ta bindte që t’i kthehej jetës së krishterë.
Në një moment pendese, duke e parë se çfarë jete po bënte, e duke e ditur se çfarë jete duhej të bënte, duke e ndier presionin e nanës, ai filloi t’i lutej Zotit që t’i ndihmonte. Ta kthente në rrugën të mbarë.
“O Zot më bëj të virgjër”, kishte bërtitur, por kur i ranë ndërmend kënaqësitë tokësore tha “por jo edhe pak”. Dëshironte edhe pak më shumë seks e dalldi, e ndoshta më vonë t’i kthej Zotit.
Partia Demokratike e Kosovës ka kohë që dëshiron të bëhet e virgjër, duke e ditur se çfarë partie hedoniste ka qënë. Por jo edhe pak.
Po të ishte PDK person, së paku dy a tri herë prindërit do ta dërgonin në Mostar për rehabilitim. Në këtë qytet boshnjak është një manastir katolik, i njohur për terapi të ndryshme. Në kërkim të ilaçit për varësi nga droga dhe alkool, shumë familje i dërgojnë fëmijët e tyre, me shpresën që gjërat do të bëhen më mirë.
PDK do të kishte qënë pacient i rregulltë i kësaj klinike, por që fatkeqësisht, sikur shumë persona të tjerë, edhe PDK, sapo të kthehej prej manastirit, do të kishte vazhduar jetën plot mëkate.
Duhet ta pranojmë, PDK, në mënyrë formale dhe publike, ka kohë që është duke provuar ta bindë publikun që e ka filluar rrugën e reformave, duke e lënë prapa hedonizmin.
Mirëpo ajo çfarë thotë dhe çfarë bën PDK është një hermafroditizëm. Brenda personit PDK janë futur engjulli dhe djalli, e mira dhe e keqja, që luftojnë me njëri-tjetrin, tërheqin secili në anën e vet, njëra drejt mëkatit e tjetra drejt rrugës së mirë. Rëndom në këso situatash, kur personi nuk është shumë i bindur, fiton mëkati, sepse është më tërheqës, me efekt të atypëratyshëm.
Efekti që të jep një vije kokainë apo një gotë e mirë e rakisë është shumë i fortë dhe është larg teje vetëm 30 sekonda, ndërsa efektët e jetës së dëlirë janë shumë më të largëta, që mund të presin dhe shumë më pak joshëse. Prandaj, gjysma e personit PDK janë me hundë në vijën e bardhë, kurse gjysma tjetër në Germi duke vrapuar. PDK është dy trupa, dy karaktere, dy qasje, dy mendime. E gatshme për t’u ndarë nga krimi, por jo edhe pak.
Pas shumë vitesh në pushtet, e tash larg tij, PDK është si ata rokerët e Kosovës të viteve të 90’ta, që të premteve në mëngjes shkojnë e falën në xhami, kurse në mbrëmje përfundojnë në WC të ndonjërit prej klubeve të natës duke i bërë vijat. Ose, gjysma në xhami, gjysma në WC.
Personi PDK nuk është sikurse personi LDK. Nuk është monolite. Nuk ka karakter uniform. Nuk mund të përshkruhet me një definicion të thjeshtë. Personi PDK është sikur ai personi që thuhet është “hanë hanë”. PDK është sikur moti i muajit prill. Dita mund të fillojë me diell, mesi i ditës me shi, kurse mbrëmja me 20 centimetra borë.
Fatkeqësisht, për personin PDK ditët e lavdishme kanë kaluar, kurse krejt çfarë i kanë mbetur prej asaj kohe janë disa mëkate. Ai ka dëshirë të flas për kohët e arta, kur shtroheshin autostradat, ose me gjuhën e rokerit të viteve të 90’ta, për kohën kur dëgjohej muzikë cilësore, kur ai ishte ylli i mbrëmjes, por assesi nuk dëshiron ta kuptojë që ajo kohë ka ikur. Kjo si pikë e parë, kurse si pikë e dytë, ajo kohë nuk ka qënë aq e lavdishme sa i duket atij.
Brenda trupit të këtij personi bashkëjetojnë dhe bashkëveprojnë edhe ai Shefi i tenderave që jetonte pas përfundit të luftës në Hotelin Grand, ku biznismenet shkonin dhe i puthnin unazën bash sikur në filmin “Godfather” Don Vito Corleones, edhe ai studenti i Harvardit, edhe ai i shefi i pamëshirshëm i prokurimeve, ai ish udhëheqëse i OSHP’së, edhe ai sekretari permanent, edhe ai biznismeni halabak, e mandej befasisht aty është edhe ai djali i Twitterit edhe ajo vajza e Londrës që kërkon ndryshim.
Me fjalë të tjera PDK është e pamundur që të jetë një person i vetëm.