PDK: Presidenti nxori në pah ambiciet e Kurtit për pushtet absolut – opozita do të ketë rezultat tjetër
Për Partinë Demokratike të Kosovës, manovrat e fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, rreth çështjes së presidentit nuk janë thjesht kalkulime politike, por shprehje e ambicies për ta nënshtruar edhe institucionin më të lartë të shtetit ndaj logjikës së kontrollit absolut. Në një intervistë në “Pressing”, nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, e akuzoi Kurtin se ka synuar president pa peshë politike e intelektuale.
Sipas Ismailit,Kurti nuk ka dashur kurrë një president që mbron Kushtetutën, por një person që nuk ka mendim të vetin. “Ai ka dashur një person që nuk e rivalizon fare — as intelektualisht, as kombëtarisht. Prandaj i ka propozuar emrat që i ka propozuar,” thotë Ismaili.
Ai tha se frika e Kurtit nuk ishte se PDK do të dërgonte një emër partiak, por se opozita mund të propozonte personalitet të denjë që do t’i bënte hije autoritetit të tij.
“Prandaj nuk ka dhënë mundësinë. Jo sepse është frikësuar se ne e dërgojmë një të PDK-së, por se ne mund ta propozojmë një personalitet të denjë, i cili nesër e luan rolin e vet të presidentit ose presidentes. Ai ka dashte dikë të besueshëm.”
Nënkryetari i PDK-së u shpreh i bindur se në zgjedhjet e ardhshme do të ketë rezultat tjetër për opozitën, teksa akuzoi Kurtin se “ka bërë shaka me votën e madhe popullore” që i është dhënë.
Sipas Ismailit, Kurti nuk është përqendruar te përgjegjësia që i është dhënë nga qytetarët, por vazhdimisht ka kërkuar më shumë pushtet.
“Unë besoj që do të ketë rezultat tjetër. Mendoj që PDK dhe e gjithë opozita do të ketë rezultat tjetër. Mendoj që zoti Kurti ka bërë shaka me votën e madhe popullore, e cila i është dhënë. Nuk po i del boll pushteti asnjëherë.
Po e ka një zbrazëti. Nuk po punon me atë që po ia jep populli, por po kërkon më shumë. Mirëpo çka është problemi, që edhe ministrat e tij po abuzojnë gjithnjë e më shumë. Kjo është duke shkuar në sinkronizim – ai po kërkon pushtet më shumë, qeveria po sinkronizon më shumë.”
Ismaili kujtoi aferat dhe lidhjet e pushtetit me kompanitë e sektorit të energjisë, ku citoi një raport të OECD-së për vitin 2025, sipas të cilit, siç tha ai, Kosova nga viti 2021 deri në vitin 2025 ka shpenzuar rreth 2 miliardë euro për energji. Brenda këtyre vlerave, Ismaili përmendi aferat dhe lidhjet e pushtetit me kompani energjetike.
“Ke një raport të OECD-së në vitin 2025, i cili ka dalë, që nga viti 2021 deri në vitin 2025 Kosova ka shpenzuar 2 miliardë euro për energji. Në këto 2 miliardë euro për energji janë tri afera të mëdha: GEN-i i Serbisë me ambasadorin Martin Berishaj. E ke të dytën NOA-n, kompani nga Shqipëria me dy punëtorë në Kosovë dhe me zyrë të mbyllur, që ka marrë mbi 350 milionë euro.
Si dhe e ke një kompani të tretë, ETMT-në, e cila është partner në një biznes tjetër me deputetin e VV-së, Ejup Ahmetin. Nga tri kompani që kanë pasur qarkullim qindra milionësh, dy nga këto kompani janë direkt të lidhura me eksponentë të VV-së.”
Ismaili ngriti shqetësim edhe për korrupsion në shëndetësi, duke përmendur blerjen e patericave me çmim prej 140 eurosh, për të cilat tha se kushtojnë shumë më pak në treg.
Ai kritikoi edhe heshtjen e ambasadave, duke thënë se më herët ato reagonin për çështje korrupsioni, ndërsa tani, sipas tij, “askujt nuk po i dëgjohet zëri”.
"Mendoj që ka abuzim. Ka korrupsion. Ta merr një shembull në shëndetësi. Patericat që mbahen, janë blerë 140 euro – gjëra të cilat kushtojnë nga 10-15 euro. Para syve të njerëzve po ndodhin këto. Unë kam kritika këtu nga pak edhe për ambasada të ndryshme, se më kujtohet ambasada të ndryshme dilnin dhe flisnin për çështje korrupsioni. Këtu po ndodh korrupsion dhe askujt nuk po i dëgjohet zëri. Unë mendoj që zoti Kurti është duke nënçmuar durimin e njerëzve. Pra, mundësitë që ia ka dhënë populli, njerëzit.", tha Ismaili.