PDK me akuza: Pushteti bëri presion që të ndërrohen vendi dhe data e betimit të kryetarëve në veri - NACIONALE

PDK me akuza: Pushteti bëri presion që të ndërrohen vendi dhe data e betimit të kryetarëve në veri

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Më 28 maj përfundon afati ligjor për betimin e kryetarëve të zgjedhur në veri të vendit, ndërsa është konfirmuar se kryetari i zgjedhur i Zveçanit e ai i Zubin Potokut japin betimin të enjten, por ende nuk dihet se kur do të betohet ai i Leposaviqit. Tashmë pothuajse të gjithë aktorët kryesorë kanë folur për këtë çështje, ndërsa Serbia e Lista Serbe kanë zgjedhur të kërcënojnë haptas, duke e kundërshtuar betimin e kryetarëve.

Ndërsa PDK ka disa ditë që po flet për presione nga Qeveria Kurti rreth modaliteteve të betimit, gjë e cila nuk ka mbetur pa marrë përgjigje nga eksponentë të VV-së. Por çfarë tha PDK-ja?

Hiç më larg se sot, në lidhje me presionet nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, që drejtohet nga minsitri Elbert Krasniqi, ka folur edhe Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së. Në një intervistë për RTV Dukagjini, ai ka deklaruar se MAPL-ja ka kërkuar që të ndryshohet vendi dhe data e betimit të kryetarëve të zgjedhur të veriut.

“Ka pasur presion nga Qeveria dhe MAPL që të ndërrohet vendi dhe data. Nuk duhet të fshehen Qeveria dhe ministrat, duhet të rekomandojnë një vend të caktuar dhe një orë ku të mbahet. Neve krejt çka na takon dhe gjithë ajo që kemi kërkuar me respekt dhe pa presion, kemi thënë të krijohet konteksti dhe kushtet që kryetarët të bëjnë betimin. Nuk e di kë dojnë ta mashtrojnë vetveten, sepse neve nuk mund të na mashtrojnë.” - deklaroi Krasniqi.

Ditë më parë, për këtë temë ka folur edhe Betim Gjoshi, sekretar organizativ i PDK-së, i cili i theksoi “presionet nga MAPL-ja”.

“Ka disa ditë që dy Kryetarët e Komunave nga radhët e PDK-së, të cilët kanë fituar në Zveçan dhe në Zubin Potok, po përballen me presion dhe nënçmim nga zyrtarë e segmente të Qeverisë, posaçërisht nga MAPL. Të dy komunat kanë thirrur seancat solemne për dhënien e betimit, por, Ministri i Pushtetit Lokal dhe zyrtarë të kësaj ministrie, kanë ushtruar vazhdimisht presion për ndërrimin të datës dhe lokacionit për mbajtjen e seancave.” – shkroi ai dy ditë më parë.

Në lidhje me këto deklarata ka reaguar Arjeta Fejza, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje nga Mitrovica e Jugut. Këto deklarime të Gjoshit e PDK-së, ajo i cilësoi si absurditet.

“Çfarë absurditeti! PDK ndihet në presion që kryetarët e saj të marrin detyrën. Cila na qenka alternativa? Të digjen mandatet?” – shkroi ajo.

Megjithatë, tashmë janë bërë publike data e ora kur kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit në Zubin Potok e Zveçan do të betohet në një seancë solemne. Kryetari i zgjedhur i Zveçanit, Ilir Peci, dhe ai i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, i kanë konfirmuar Klan Kosovës, se do ta japin betimin si kryetarë të rinj të enjten duke filluar nga ora 10:00.

“Të enjten jepet betimi, seanca do të nisë nga ora 10:00.” – janë deklaruar Peci e Zeqiri për Klan Kosova, transmeton Nacionale.

Por ende nuk dihet se kur do të betohet kryetari i zgjedhur pari i Leposaviqit, Lulëzim Hetemi, ndonëse i njëjti e konfirmoi se Kuvendi komunal do të konstituohet enjten.

Ndryshe, siç ka shkruar gazeta Nacionale, ish-kryetari i Mitrovices së veriut, Milan Radojeviq, ka paralajmëruar konflikte dhe incidente, siç ka thënë ai "për t’i mbrojtur institucionet dhe mënyrën e jetëses së tyre".

Ne vetëm se po mbrojmë mënyrën tonë të jetës. Ultimatumi jonë për Kurtin që të ndalojë represionin deri më 1 qershor është një lëvizje skajshmërisht e detyruar dhe që detyrohemi ta bëjmë. Askush nuk po pyet se kur Kurti do ta ndalojë represionin, askush nga komuniteti ndërkombëtar nuk po pyet kur do të tërheq njësitë speciale, t’u bindet ligjeve për kthimin e tokave të Manastirit të Deçanit. E po, këtë e thotë Gjykata Kushtetuese e tyre para shtatë viteve. Ajo Kushtetutë nuk po duket të zbatohet në këtë rast.” - deklaroi ai.

Ndërsa Slavko Simiq, përfaqësues i Listës Serbe, e kishte cilësuar si okupim të komunës së Mitrovicës së Veriut betimin e Erden Atiqit nga VV-ja. Tutje, Simiq deklaroi se Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, duhet të ndalë “përndjekjen e serbëve”, ose pas 1 qershorit do të tregojnë format e tyre të rezistencës.

Sot ka filluar okupimi i veriut zyrtarisht, ne jemi për ta ruajtur paqen por durimit i ka ardhur fundi, andaj i japim afat Albin Kurtit që deri më 1 qershor të ndaloj represionin, përndjekjen, arrestimin e serbëve dhe të tjera. Nëse kjo nuk ndalet deri më 1 qershor, ne do të tregojmë format tona të rezistencës”, tha Simiq.

Lajme të ngjashme