Betimi i kryetarëve në veri: Pse betimi i kryetarit të Mitrovicës së Veriut është më i lehtë?
Procesi i betimit të kryetarëve të katër komunave të veriut, të cilët janë zgjedhur më 23 prill, do të fillojë sot. I pari që do ta realizojë këtë proces është kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, i cili vije nga Lëvizja Vetëvendosje.
Mbajtja e seancës solemne për betimin e Atiqit po shihet si proces më i lehtë në krahasim me tri komunat tjera.
Kjo për shkak se ndërtesa e kësaj komune është në afërsi të urës së lumit Ibër, që e lidh dy pjesët e qytetit.
Kurse, procesi i betimit të tre kryetarëve tjerë po shihet si më sfidues.
Kjo për shkak të rezistencës që mund të bëjnë serbët lokal për të hyrë në objektet e komunave të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.
Kundërshtimi i serbëve mund të ndikojë që betimi i kryetarëve të këtyre tri komunave të mos bëhet në objektet e komunave.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës që nuk ka ofruar kushte që kryetarët e rinj t`i marrin detyrat sipas ligjit.
“Unë kom kërkuar prej Qeverisë me kriju kushtet për me e dhanë njerëzit betimin. Këta janë marrë vetëm me kandidatin e vet në Mitrovicë të Veriut. Nesër e ka betimin kryetari i zgjedhur i Mitrovicës së veriut”, ka thënë Krasniqi mbrëmë në Kanal 10.
Ai ka thënë se Qeveria edhe me këtë proces po bën propagandë.
“A e dini pse e kanë bërë? Sepse në Mitrovicë të veriut është një ndertës komunale të cilën e ka ndërtuar Qeveria e Kosovës në kohen kur ka qenë ajo Zyra Ndërlidhëse me Ardiana Hoxhiqin. Aty mundet me shku ky kryetari. Edhe aty po duan të na tregojnë një pallavër propagantisitke, duke thënë se këtu jemi hy në organ komunal”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, problem do të jetë betimin i kryetarëve në tri komunat tjera.
“Ndërsa pikëpyetja më e madhe dhe arsyeja që kanë tentua me u tërheq prej procesit në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok është se nuk munden me garantu më shku në ndërtesat e komunave. Nuk munden”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka bërë me dije se dy kryetarët nga partia e tij do të betohen javën e ardhme.
“Përgatitjet që i kanë bërë dhe ftesat që i kanë dorezu për Zveçan dhe Zubin Potok, nëse nuk gaboj është date 26 maj, pra java e ardhshme”, ka thënë Krasniqi.
“Kryetarët s’e kanë me patjetër të betohen në objektet komunale"
Edhe ndërkombëtaret kanë ftuar palët që procesi i betimit të kryetarëve të rinj në veri të bëhet në mënyrë të qet.
Vendet e QUINT-it përmes një komunikate për medie kanë bërë me dije se nuk ka kërkesë që kryetarët e komunave të bëjnë betimin në zyrat komunale.
“Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve që urgjentisht të punojnë së bashku midis të gjitha palëve të interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme përfaqësuese pjesëmarrëse në këto komuna. Nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa – përfshirë kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale – që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet. Kjo përfshin ushtrimin e më shumë se kompetencave administrative dhe procesin e marrjes së detyrës pasi nuk ka kërkesë që kryetarët e komunave të bëjnë betimin në zyrat komunale. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, është thënë në komunikatën e këtyre vendeve.
Për situatën ka reaguar edhe KFOR-it.
Ky mision ka bërë me dije se do të jetë në vëzhgim të situatës.
“Me rastin e betimit të kryetarit të Mitrovicës dhe situatës në përgjithësi sigurinë do ta bëjë Policia e Kosovës. KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën dhe të mbajë një nivel të lartë të gatishmërisë së njësive të tij për të përballuar çdo skenar të mundshëm, duke pritur që institucionet në Kosovë ta trajtojnë situatën në mënyrë efikase.”, është thënë në një përgjigje të KFOR-it për RTV 21.
Zgjedhjet për kryetarët e katër komunave veriore janë mbajtur më 23 prill. Mbajtja e këtyre zgjedhjeve është bërë në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Megjithatë, bojkotimi i këtij procesi nga komuniteti serb ka zbehur legjitimitetin politik të këtyre zgjedhjeve.

