PDK-ja vazhdon "reformimin", rikthehet në TV Dukagjini
Pas gati dy vitesh, Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur t’i kthehet komunikimit me televizionin Dukagjini.
Në janar të vitit 2021, PDK-ja kishte vendosur t’a shkëpuste komunikimin me këtë televizion, pasi vlerësonin se të njëjtit po bënin propagandë mediatike.
Përmes një konference për media, me 21 janar të vitit 2021, sa vendi ishte në fushatë zgjedhore, anëtari i kryesisë së PDK-së Betim Gjoshi kishte njoftuar se subjekti nuk do të ketë komunikim me RTV Dukagjinin.
PDK akuzonte këtë televizion se kishin kohë që po i shërbenin Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit.
Ndërkaq kundërpërgjigja e televizionit ishte se ata janë platformë që i japin hapësirë të gjitha partive politike.
Mirëpo, tashmë kjo shkëputje e raporteve duket se ka marrur fund, pasi që sonte i ftuar në emisionin “Debat Plus” ishte Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Ndërkaq, hera e fundit kur Krasniqi ka qenë i prezent në këtë televizion ishte prilli i vitit 2020.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi deklaroi sonte në “Debat Plus” se PDK-ja ka bërë transformimin e Kosovës dhe sipas tij është kjo parti që ka bërë organizimin e institucioneve të vendit.
“PDK e ka tranfsormu Kosovën, e ka marrë një Kosovë që ka qenë pa asnjë perspektivë zhvillimore në vitin 2007 me një buxhet prej 700 milionë eurosh. E kemi drejtu procesin e pavarësisë që ka qenë mëritë e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Krasniqi në Debat Plus.
