PDK-ja nesër e dërgon në Kushtetuese Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës
Partia Demokratike e Kosovës nesër do ta dërgon për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i cili javën e kaluar është miratuar nga Kuvendi.
Avokati i Grupit Parlamentar të PDK-së, Faton Fetahu, ka thënë për gazetën Nacionale se PDK-ja do të kërkojë që propozimet jo kushtetuese në këtë ligj të anulohen.
Ai është shprehur i bindur se ligji në fjalë është në kundërshtim më Kushtetutën e Kosovës.
“Siç e dini, javën që shkoi, shumica parlamentare e miratoi Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, përmes të cilit ligj, përfundimisht për të dytën herë më radhë brenda dy viteve, institucionalizohet përpjekja jokushtetuese për kapjen dhe nënshtrimin e këtij institucioni të pavarur kushtetues. Ashtu siç e kontestuam dy vite më parë vendimin për shkarkimin e anëtarëve të këtij institucioni, edhe tani, mund të konfirmoj se do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit të miratuar një javë më parë, në mënyrë që propozimet jo kushtetuese të tij, të anulohen”, ka thënë Fetahu.

Më tej, ai ka përmendur nenet problematike të ligjit në fjalë.
Sipas tij, heqja e imunitetit të anëtarëve të këtij institucioni, dyfishimi i numrit të anëtareve dhe disa çështje tjera janë jokushtetuese.
“Nuk mund të qëndrojmë indiferent përballë qasjes abuzive dhe autoritare të këtij pushteti, që vendosi tua heq imunitetin anëtarëve të këtij institucioni, të dyfishoj numrin e anëtarëve të tij më qëllim kapjen dhe nënshkrimin me qëllim që të legjitimoj emërimet dhe shkarkimet e paligjshme në administrate, si dhe të heq nga përgjegjësia e kontrollit ligjor të këtij institucioni, pozitat e nivelit të lartë drejtues, me qëllim që emërimet dhe shkarkimet e pozitave më të larta në administratën shtetërore të mos mund të ankimohen fare në këtë institucion kuazi-gjyqësor, i cili sipas kushtetutës, ka përgjegjësi ekskluzive edhe në çështjen e vlerësimeve të ligjshmërisë së procedurave të tilla të larta të adminstratës shtetërore”, ka thënë Fetahu, duke përmendur edhe çështje tjera problematike të ligjit.
“Ky ligj, përmban edhe defekte e shkelje të tjera kushtetuese të cilat do t`i ngrejmë para gjykatës dhe besojmë që të njëjtat të marrin vlerësimin meritor dhe përfundimisht ky ligj, si shumë ligje të tjera, të shpallet jokushtetues dhe të anulohet përfundimisht”, është shprehur Fetahu.
Opozita unike
Javën e kaluar, kur është miratuar ky ligj në Kuvend, të gjitha partitë opozitare e kanë kundërshtuar. Përveç PDK-së, edhe LDK-ja dhe AAK-ja kanë paralajmëruar se ligjin në fjalë do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese.
Sipas tyre, përmes ligjit të ri po synohet të kontrollohet administrata shtetërore.
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se ndryshimet e reja po i konvenojnë Qeverisë.
“Vendimet e Këshillit për ankimim nuk do të jenë definitive, nuk zbatohen. Vendimet e Këshillit nuk vlejnë për pozita të larta. Kjo s’po bëhet për shërbimin civil, kjo po bëhet për qeverinë. Qeverisë i konvenon t’i lodhë vërdallë shërbyesit civilë lart e poshtë. Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar që natyra e vendimeve të Këshillit ka karakter ekzekutiv, pa asnjë kufizim. Kjo që keni sjellur është kufizim”, është shprehur deputetja e LDK-së.
Edhe ajo ka paralajmëruar se LDK-së do të dërgon në Kushtetuese këtë ligj.
“Pse po e bëni këtë? Kërkoni masë të përkohshme dhe kjo nuk e prek më pas rolin ekzekutiv të vendimit të Këshillit. Vetëm e keni përmendur zbraztirë ligjore, dhe asgjë tjetër nuk e keni definu. Jo-aksidentalisht nga 5 sekretarë U.D ndërrohen në ministrat e juaja. Kjo është e mangëta e ligjit. Ky është kundër-kushtetuese. Edhe këtë ligj e ankimojmë, e di që iu japim shkas për seriale. Serialin Vetëvendosja. Imagjinoni të ankoheni që kërkojmë kushtetutshmëri. Skenarin ua kemi mësuar, por është bërë bajat. Bajat bashkë me mjegullën që po e shitni për mirëqenien e sektorit publik”, ka deklaruar Kica-Xhelili.
Kurse, kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, kishte thënë se miratimi i këtij ligji është drejtpërdrejt interferim në kompetencat e KPMShCK-së.
“Votimi në lexim të dytë të këtij propozimi është drejtpërdrejt interferim në një institucion kushtetues, i cili e ka të garantuar pavarësinë e vetë. Nëse deputetët do të merrnin kohë ta lexonin raportin e Institutit për Drejtësi, do ta shihnin shumë qartë, se cili është qëllimi i këtij ligji. Raporti në pak faqe na sjell një vërejtje për deputetët, që kalimi i këtij ligji do të thotë marrje e kompetencave nga një institucion i pavarur për interesa të Qeverisë", ka deklaruar Tahiri.
Kohë me parë, këtë ligj e kishte kritikuar edhe shoqëria civile.
Përmes publikimit të analizës “Tendencat për politizim të KPMShCK”, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kishte vlerësuar se ky ligj ka për synim kufizimin funksionimit të KPMShCK, duke i kufizuar kompetencat dhe përgjegjësitë që i garanton Kushtetuta.
Për këtë arsyeje, sipas IKD-së, ligji mund të rrezohet nga Gjykata Kushtetuese.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i cili përbëhet nga 7 anëtar, shqyrton dhe merr vendime për ankesat e nëpunësve civilë dhe kandidatëve për pranim në shërbimin civil si dhe, monitoron institucionet e administratës publike që kanë të punësuar nëpunës civilë, lidhur me zbatimin e rregullave dhe parimeve të legjislacionit për shërbimin civil.

