PDK-ja mohon se ka bërë marrëveshje me VV-në: Hendeku ynë me ta është i madh - NACIONALE

PDK-ja mohon se ka bërë marrëveshje me VV-në: Hendeku ynë me ta është i madh

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Liderishipi i PDK-së e ka mohuar në mënyrë kategorike se në takimin me kryeministrin Albin Kurti kanë bërë marrëveshje për bashkëqeverisje në mandatin e ardhshëm.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, dhe shefit i Grupit Parlament të PDK-së, Abelard Tahiri, të cilët kanë qenë në darkë me shefin e qeverisë, kanë bërë me dije se atë natë kanë diskutuar vetëm për mundësinë e zgjedhjeve të reja.

I pari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka bërë me dije se hendiku i PDK-së me VV-në është i madh.

Më të thanë të drejtën unë rezervohem nga kualifikimet, por këto komente janë qesharake, po hajt se i kuptoj se u jemi afru zgjedhjeve. Koalicionet janë tema të partive e të analistëve, por s’janë halle të qytetarëve. Ne jemi të interesum me ua paraqit qytetarëve ofertën tonë. Hendeku jonë i madh me VV-në nuk kryhet me dy orë.”, ka thënë Krasniqi në një intervistë në “Rubikon” në Klan Kosova.

Ai ka bërë me dije se partitë tjera opozitare nuk duhet të shqetësohen shumë për mashtrimin e PDK-së nga Kurti.

Nuk jemi ne fëmijë me na mashtru Albini, në analiza është më ndryshe. Ne me zotërinë Haradinaj e kemi pasur edhe listën e përbashkët, nuk e kemi absorbu njëri-tjetrin, ky prapë i ka votat e tij, PDK-ja i ka të vetat, e le më që nuk ka kurrfarë koalicioni. Te LDK-ja nuk i ka absorbu Kurti, por i ka absorbu Vjosa Osmani, sepse kandidatja e LDK-së, që e ka pasur rezultatin më të madh LDK-ja me të, ka shku ia ka udhëheqë listën Kurtit”, është shprehur ai, duke shtuar se ka kush kujdeset për PDK-në. “Gjërat janë pak më të qarta dhe më të thjeshta dhe në fund të fundit më takon mua dhe lidershipit të PDK-së me i bajtë dertet e PDK-së dhe ne tjetër punë nuk kemi. Unë nuk i frikësohem Albin Kurtit bash hiç, as politikisht as në asnjë formë, jam ulë me Kurtin me e pru kërkesën time të zgjedhjeve”, është shprehur Krasniqi.

Ndër të tjera, ai ka treguar se shpërndarja e Kuvendit mund të bëhet vetëm nëse këtë gjë e duan LDK-ja dhe AAK-ja.

Ai ka bërë me dije se nuk e preferon një shpërbërje të Kuvendit vetëm me votat e VV-së dhe të minoriteteve.

Sa i përket kësaj çështje unë kam preferu nga fillimi që ne të ishim si parti opozitare të trija në mënyrë që ta iniciojmë që të dalim edhe para opinionit publik që s’kemi dallime sa i përket jetëgjatësisë së Qeverisë Kurti, prandaj besoj se e njëjta formë duhet të jetë kjo, nuk besoj se përkundër numrit mbi 80 duhet që vetëm PDK dhe LVV ta shpërndajnë kuvendin”, ka thënë Krasniqi.

Mundësinë e marrëveshjes me VV-në e ka mohuar edhe shefi i Grupit Parlament të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili ka qenë prezent në darken me Kurtin.

Ai ka bërë me dije se në atë takim është diskutuar vetëm për agjendën parlamentare dhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

Jo, s’ka marrëveshje. Kjo darkë nuk ka ndodhur për bashkëqeverisjen e ardhshme me LVV-në. Aty kemi diskutuar për agjendën parlamentare, ne iu kemi përgjigj ftesës se vazhdimisht kërkojmë zgjedhje, nga korriku i vitit të kaluar kemi kërkuar që Kuvendi të shpërndahet dhe vendi t’u drejtohet kutive të votimit. E tani nga ajo ditë në Kosovë diskutohet vetëm për zgjedhje, komplet ajo darkë ka shku duke diskutuar për mundësitë e shkuarjes në zgjedhje”, ka thënë Tahiri për “Frontal”.

Pas takimit të Memli Krasniqit me kryeministrin Albin Kurti janë shtuar zërat për një marrëveshje të mundshme në mes të PDK-së dhe VV-së për mandatin e ardhshëm. Dyshime të tilla kanë shprehur edhe dy partitë opozitare, LDK-ja dhe AAK-ja, të cilat kanë qenë të ftuara në këtë takim, por nuk kanë shkuar.

Lajme të ngjashme