PDK-ja miraton Deklaratë Politike: Shprehet shqetësim për zhvillimet në Hagë, Qeveria Kurti akuzohet për stagnim të vendit - NACIONALE

PDK-ja miraton Deklaratë Politike: Shprehet shqetësim për zhvillimet në Hagë, Qeveria Kurti akuzohet për stagnim të vendit

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur një mbledhje të Këshillit Drejtues, ku është miratuar një Deklaratë Politike që përmbledh vizionin dhe angazhimet e partisë në pesë pika. Deklarata thekson përkushtimin ndaj drejtësisë, sigurisë kombëtare dhe një udhëheqjeje më të përgjegjshme, duke akuzuar qeverinë Kurti për "mundësitë e humbura dhe dështim për të përmbushur reformat e rëndësishme."

Në pikën e parë, PDK-ja ka shprehur shqetësimin për zhvillimet në Dhomat e Specializuara të Hagës, duke theksuar rëndësinë e një procesi të drejtë dhe të paanshëm ish-krerët e UÇK-së.

“1.Shqetësimet për Hagën: PDK shpreh shqetësimet e saj lidhur me zhvillimet në Dhomat e Specializuara në Hagë. Ne kërkojmë drejtësi dhe paanshmëri ndaj procedurave gjyqësore, dhe një qasje me standarde evropiane, e cila garanton të drejtat themelore të secilit individ. Çdo përpjekje për t’i dhënë tjetër kahje të vërteës së luftës çlirimtare të popullit tonë, rrezikon të minojë jo vetëm legjitimitetin e drejtësisë, por edhe të cenojë trashëgiminë e sakrificës së shenjtë për liri.” – thuhet në komunikatë.

Partia më e madhe opozitare ka dënuar sulmet ndaj institucioneve dhe infrastrukturës kritike të Kosovës, duke theksuar nevojën për hetim të plotë dhe dënimin e përgjegjësve.

Gjithashtu, PDK ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar reagim "kundër veprimeve armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës."

“2. Drejtësi për Kosovën: PDK i ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në vend. Kërkojmë hetim të plotë, përgjegjësi dhe dënim të kriminelëve të cilët kryen sulmin terrorist ndaj infrastrukturës kritike dhe institucioneve në Kosovë. PDK i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagoj me vendosmëri kundër veprimeve armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës dhe në dëm të stabilitetit rajonal.” – thuhet aty.

Te Siguria Kombëtare dhe Inegrimit, PDK ka kërkuar të forcojë bashkëpunimin me aleatët strategjikë, veçanërisht ShBA-në dhe Bashkimin Evropian, për të avancuar integrimin euro-atlantik.

“3. Siguri Kombëtare dhe Integrim: Për Partinë Demokratike të Kosovës, fuqizimi i sigurisë kombëtare të Kosovës mbetet prioritet. PDK thekson nevojën për të mbrojtur sovranitetin shtetëror dhe për të fuqizuar bashkëpunimin me aleatët tanë strategjikë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e BE-së. Krahas ofrimit të sigurisë për vendin dhe qytetarët, Kosova duhet të intesifikoj koordinimin me aleatët e saj në rrugën e integrimit euro-atlantik. Ky është i vetmi drejtim dhe qëllim politik i Kosovës.”

Në vzhdim të deklaratës, PDK-ja akuzon qeverinë aktuale për stagnim dhe mungesë vizioni në katër vitet e fundit, duke përmendur dështimet në ekonomi, arsim, shëndetësi dhe diplomaci.

“4. Kosova mundet ma mirë: Gjatë katër viteve të fundit, Kosova ka pasur një qeveri të cilën e definojnë stagnimi, mundësitë e humbura dhe dështimi për të përmbushur reformat e rëndësishme. Mungesa e përparimit në zhvillim ekonomik, shëndetësi, arsim, diplomaci dhe në fusha të tjera, i ka lënë qytetarët tanë të frustruar dhe vendin tonë pa e përmbushur potencialin e plotë. Njëjtë sikur qytetarët e Kosovës, ne besojmë se Kosova mundet ma mirë. Me lidership vizionar, qeverisje profesionale dhe një program të qartë për zhvillim, Kosova mund të përballoj me sukses sfidat e sotme dhe të nisë ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët e saj. Ky është misioni i PDK-së.”

Më tej, PDK-ja ka theksuar angazhimin e saj maksimal për zgjedhjet e përgjithshme. “PDK është plotësisht e mobilizuar për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit. Partia Demokratike e Kosovës është e inkurajuar nga mbështetja e madhe e qytetarëve, brenda dhe jashtë vendit, për kandidatin tonë për kryeministër, Bedri Hamzën. Me kandidatin, programin dhe ekipin më të mirë të kandidatëve për deputetë, PDK-ja angazhohet për fitore më 9 shkurt. PDK qëndron e bashkuar në misionin e saj për të ndërtuar një Kosovë më të zhvilluar, më të sigurt dhe më të mirë.” – thuhet në Deklaratë.

Lajme të ngjashme