PDK “e shkel” VV-në me ndjekës në Tik Tok: Qysh po i ecë partisë së Krasniqit kjo nismë? - NACIONALE

PDK “e shkel” VV-në me ndjekës në Tik Tok: Qysh po i ecë partisë së Krasniqit kjo nismë?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kohë më parë, gazeta Nacionale ka raportuar rreth futjes së Lëvizjes Vetëvendosje në Tik Tok, rrjetit social më të ndjekur në botë. VV-ja i hyri kësaj platformeje të re, gati 3 vite pasi e nisën pasuksesshëm kanalin zyrtar të televizionit në Youtube. Rrugën e VV-së, së fundmi, e ka ndjekur edhe PDK-ja, partia më e madhe opozitare që udhëhiqet nga Memli Krasniqi. Qysh po i shkon kjo nismë PDK-së?

Në fakt, PDK-ja postimin e parë në këtë platform e ka në 18 korrik të vitit 2022, e që është një prononcim i Vlora Çitakut, nënkryetare e PDK-së, ku i kritikon udhëtimet e shpeshta jashtë vendit të kryeministrit Albin Kurti.

PDK duket se e ka marrë seriozisht punën dhe marketingun politik në rrjetin Tik Tok, pasi është shumë aktiv, duke postuar shpesh. E një gjë e tillë u është shpërblyer, pasi së paku në Tik Tok, PDK-ja e ka mposhtur VV-në me ndjekës. Më saktësisht, PDK ka arritur të mbledh 4628 ndjekës, ndërsa VV-ja i ka vetëm 895 ndjekës.

Çka po poston PDK?

PDK-ja është goxha aktive në Tik Tok, duke postuar video të ndryshme, përfshirë fjalime të kryetarit të saj, nënkryetares e zyrtarëve të tjerë të partisë. Ndër videot më të shikuar (32 mijë e 500 shikime), është ajo e Krasniqit, i cili tregon prapaskenat e përgatitjes për një emision televiziv, ku dha intervistë ditë më parë.

Ndërsa zonja Çitaku është po ashtu goxha e shikuar në një video të PDK-së në Tik Tok, duke marrë mbi 23 mijë shikime, teksa tregon për agjendën e saj partiake. PDK-ja ka postuar edhe shumë video të shkurtra të Krasniqit nëpër emisione të ndryshme ku ai ka marrë pjesë, si Rubikon, Oxygen e Debat Plus.

Natyrisht, PDK ka postuar disa video edhe nga Marshi për Drejtësi, të cilën e organizoi “Liria ka emër”, ku morën pjesë dhjetra mijëra qytetarë, duke kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Në total, PDK-ja deri tani ka marrë 65 mijë e 700 pëlqime. Edhe në këtë fushë, ajo qëndron shumë më mirë se VV-ja, e cila ka marrë vetëm 13 mijë e 800 pëlqime, ndonëse partia e Kurtit është shumë më pak aktive në Tik Tok.

Ndryshe, deri tani, në TVVLevizja, sic quhet llogaria e LVV-së në Tik Tok, janë postuar 41 video. Siç shkroi javë më parë Nacionale, videoja e parë e postuar në këtë kanal, duket të ishte zgjedhur me vëmendje e paramendim. Më 10 shkurt, dita e protestës së vitit 2007, ishte data kur partia më e madhe në Kosovë e botoi videon e parë. Përmbajtja e vidoes ishte kuptueshëm fjalimi i Kurtit për ditën e themelimit në afërsi të pllakatës që përkujton vrasjen e Arben Xheladinit e Mon Balajt.

Në pjesën e parë të fjalimit, Kurti e kundërshton themelimin e Asociacionit, teksa në pjesën e dytë të video, jepen sekuenca nga fjalimi i Kurtit në protestën e shkurtit të 2007, e cila kundërshtonte Pakon e Ahtisarit.

Në fakt, shumica e videove janë fjalime e replika të Kurtit në Kuvend, intervista për televizione e prononcime për media. Por në TVVLevizja ka edhe video të Glauk Konjufcës, Liburn Aliut, Arben Vitisë e të Artane Rizvanollit.

Megjithatë, LDK-ja e AAK-ja, dy parti opozitare, ende nuk kanë hapur një llogari në Tik Tok (ose së paku Nacionale nuk ka arritur të gjejë një llogari të këtyre dy partive paralemtare).

Lajme të ngjashme