Pasi i dështoi televizioni, VV-ja hap llogari në Tik Tok: Qysh po i ecë kjo nismë? - NACIONALE

Pasi i dështoi televizioni, VV-ja hap llogari në Tik Tok: Qysh po i ecë kjo nismë?

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Gati 3 vite pasi e nisën pasuksesshëm kanalin zyrtar të televizionit në Youtube, Lëvizja Vetëvendosje i ka hyrë tash edhe një platformeje të re. Më saktësisht, LVV-ja, partia e udhëhequr nga Albin Kurti, që është edhe kryeministër i Kosovës, ka hapur një llogari në Tik Tok, rrjetin social më të popullarizuar në botë. Ndonëse ka më shumë se një muaj që ka postuar videon e parë, në kohën e shkrimit të këtij teksti, kanali i VV-së në këtë rrjet ka vetëm 529 ndjekës, absolutisht pak për gati dy muaj ekzistencë.

Deri tani, në TVVLevizja, sic quhet llogaria e LVV-së në Tik Tok, janë postuar 22 video. Video e parë e postuar duket të jetë zgjedhur me vëmëndje e paramendim. Më 10 shkurt, dita e protestës së vitit 2007, ishte data kur partia më e madhe në Kosovë e botoi videon e parë. Përmbajtja e vidoes ishte kuptueshëm fjalimi i Kurtit për ditën e themelimit në afërsi të pllakatës që përkujton vrasjen e Arben Xheladinit e Mon Balajt.

Në pjesën e parë të fjalimit, Kurti e kundërshton themelimin e Asociacionit, teksa në pjesën e dytë të video, jepen sekuenca nga fjalimi i Kurtit në protestën e shkurtit të 2007, e cila kundërshtonte Pakon e Ahtisarit.

Në fakt, shumica e videove janë fjalime e replika të Kurtit në Kuvend, intervista për televizione e prononcime për media. Por në TVVLevizja ka edhe video të Glauk Konjufcës, Liburn Aliut, Arben Vitisë e të Artane Rizvanollit.

Deri më tani, në total llogaria e VV-së në Tik Tok ka marrë 8104 pëlqime, që nuk janë shumë bazuar në volumin e videove të postuara. Videot e Kurtit, lehtësisht e rrokshme, janë më të popullarizuara, duke mbledhur shikime e pëlqime më së shumti. Në fakt, videoja më e shikuar e Kurtit në llogarinë e VV-së në Tik Tok ka mbledhur 179 mijë shikime, ku shefi i ekzekutivit flet ng Ohri para takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ndërsa një video tjetër e Kurtit, në të cilin shefi i VV-së “tallet” me opozitën, është shikuar mbi 90 mijë herë.

Televizioni i dështuar…

Më 6 gusht të vitit 2020, LVV-ja dha lajmin se ka hapur një kanal zyrtar në Youtube. Ndonëse u filluar me shumë bujë, u realizuan disa intervista, televizioni i VV-së, që u quajt TVV, mund të shpallet një projekt i dështuar. Në total plasuan krejtësisht 11 video, përfshirë një intervistë me Albin Kurtin, kryetar i VV-së e tash edhe kryeministër i Kosovës, ndërsa në fund, dështoi tërësisht, duke mos ngarkuar asnjë video që 2 nëntori i vitit 2020.

Siç shkroi Nacionale muaj më parë, përkundër thirrjes, vetëm 2,000 persona u abonuan në TVV. Ndërsa, sa i përket shikimeve në total, TVV është një dështim i madh, pasi në total, të gjitha 11 videot e publikuara morën 112,826 shikime.

Ylli i TVV-së, sa i përket shikimeve, është Kurti, që e udhëheq VV-në që nga themelimi i saj, përjashtimisht 3 vite, kur kryetari ishte Visar Ymeri. Ai ka më shumë se 2/3 e shikimeve në total që mori kjo nismë e VV-së, ndërsa nga 11 videot e publikuara nga TVV, 5 ishin të z.Kurtit.

Kujtojmë që kur u hap TVV-ja ngjalli shumë reagime, përfshirë atë të AGK-së dhe rrjetit evropian të gazetarisë, të cilët e cilësuan si sulm ndaj fjalës së lirë.

“Televizioni i ri online TVV në Kosovë, është i krijuar drejtpërdrejtë nga një parti politike. Kjo nuk është gazetari. Kjo është propagandë në shërbim të politikanëve”, thuhej në reagimin e Federatës Evropiane të Gazetarisë, e cila lëshoi një cicërim në Twitter.

Përkundër dështimit në TVV e duket se edhe në TVVLevizja në Tik Tok, Kurti e VV-ja mund të ngushëllohen nga një thënie orëelliane: nga dështimi në dështim, drejt fitoreve të mëdha.

Lajme të ngjashme