P(at)R(iotizmi) i VV-së në KQZ: Perëndimi dënon manovrat politike me Srpska-n, “minim i partneritetit”
- “T’u e kru vetllun, ia nxjerrin synin Kosovës”.
Dënime të vazhdueshme ndërkombëtare Kosova vazhdon të merr për çështje nëntë deputetësh të pakicës serbe në manovrimeve politike në Komisionin Qendror Zgjedhor. Dy anëtarë të Vetëvendosjes në KQZ shtrojnë skenën: hiqe Listën Serbe, trumbeto në publik për P[at]R[iotizëm], shko çështja në PZAP, riktheu nga fillimi, miratohu pa kamera ndezur por me ushqim të dhënë për kacafytje politike në publik. Anëtarë të partive tjera politike të mbiperformuar ‘patriotikisht’ nga Sami Kurteshi e Alban Krasniqi të Vetëvendosjes, abstenojnë. Repriza e pesë-a-gjashtë e këtij të filmi të dhënë më 2025-ën u luajt edhe të shtunën kur KQZ nuk njohu rezltatin zgjedhor të Listës Serbe, për çka këta të fundët iu drejtuan PZAP-së. Dënimet ndërkombëtare pasuan shpejtë.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e ka kritikuar veprimin e KQZ-së–Tre anëtarë kanë votuar për, dy kundër nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe anëtarët tjerë kanë abstenuar–duke iu kthyer fjalëve të kahershme për “gërryerje të partneritetit” Kosovë – ShBA. Ambasada tha për Radion Evropa e Lirë se kjo është “në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre” dhe vijoi të thotë se “çdo përpjekje për të shkelur këtë parim bazë minon partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”.
Bashkimi Evropian ka reguar poashtu duke shprehur “shqetësim të thellë” për vonesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në miratimin e rezultateve nga zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë. Një zëdhënës i BE-së ka kërkuar depolitizimin e menjëhershëm të këtij institucioni, duke u bazuar në rekomandimet e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve, siç e citoi “Koha.net”. Gjithashtu, BE-ja i bën thirrje të gjitha partive politike të bashkëpunojnë në kuadër të Kushtetutës. “Është me rëndësi që të gjithë deputetët e zgjedhur të marrin ulëset e tyre në Kuvendin e ri të Kosovës. BE rikujton se legjislatura e ardhshme e Kosovës duhet të përshpejtojë reformat e lidhura me BE-në dhe të ratifikojë marrëveshjet nga Plani i Rritjes, që është në pritje, në dobi të popullatës së Kosovës”.
Për çështje të suspendimit të përfaqësimit politik Kosova është sanksionuar nga Bashkimi Evropian më 2023 duke humbur qindra miliona euro dhe për t’i hequr ato vetëm pas tranzicionit të pushtetit lokal në komunat veriore me shumicë serbe, ndërsa ShBA-ja ka suspenduar Dialogun Strategjik me Kosovën saktësisht pas manovrave në KQZ me Listën Serbe, duke e cituar si “vijë të kuqe” si dhe duke ia përshkruar veprimin “krejtësisht qeverisë në detyrë”.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) poashtu ka denoncuar ashpër veprimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke i cilësuar ato si "absurde" dhe të motivuara nga interesa politike. Në një postim në Facebook, Cakolli ka akuzuar KQZ-në për shkelje të rënda procedurale, duke filluar me shpalljen e rezultateve pa pritur përfundimin e afatit ligjor për ankesa, e më pas me publikimin e rezultateve "të pjesshme".
Ai mes tjerash ka kritikuar edhe anëtarët e partive tjera në KQZ që votuan kundër ose abstenuan, duke theksuar se ata që kishin dyshime të vërteta duhej të ankoheshin nëpër institucione, jo të bllokojnë vendimet brenda KQZ-së. "Situata nuk zgjidhet me votim politik brenda KQZ-së," ka deklaruar Cakolli, duke sugjeruar që disa anëtarë e shtynë vendimmarrjen duke e njohur epilogun ligjor të mundshëm në PZAP ose Gjykatën Supreme.
- “T’u e kru vetllun, ia nxjerrin synin Kosovës”.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka cilësuar skenarin e përsëritur të moscertifikimit të Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si një "taktikë primitive e lexueshme lehtë", duke paralajmëruar pasoja të rënda për shtetësinë e Kosovës dhe marrëdhëniet me aleatët strategjikë. Në një intervistë për "DPT me Fidan Jupollin", profesori i së drejtës ndërkombëtare e ka konsideruar lojë të rrezikshme që buron nga mosvetëdijesimi për dëmin real ndaj vendit. Sipas tij, vendimmarrësit mendojnë se me një radikalizim të kontrolluar mund të sjellin përfitime politike, pa e kuptuar se kjo qasje mund të ketë efekte katastrofike afatgjata.
Hasani e quajti këtë strategji një "lojë të një nacionalizmi primitiv të dukshëm e të lexueshëm lehtë", të cilën pushteti shpreson ta konvertojë në kapital politik përballë Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Duke përdorur metaforë popullore "po e kruajnë vetullën, por mund t'ia nxjerrin sytë Kosovës", ai ilustroi rrezikun e përfitimeve të çastit kundrejt dëmit afatgjatë. Profesori theksoi se kjo qasje është "tërbësisht e gabuar dhe e rrezikshme", pasi nëse të gjithë fillojnë të luajnë të njëjtën letër të nacionalizmit populist, sistemi i krijuar deri më tani do të prishej dhe vendi do të hyjë në një fazë të paqartë politike.
Paralajmërimi më i rëndë i Hasanit lidhet me rrezikun që partnerët strategjikë të Kosovës, si Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja, të kalojnë në një qasje cinike të "Realpolitikës". Nëse politika e caktuar i vendos këta aleatë në pozitë të vështirë, ata mund të vendosin të luajnë sipas rregullave të tjera, duke i lënë Kosovën të përballojë pasojat e vetëmarrjes me Kushtetutën dhe rendin kushtetues. Kjo, sipas tij, do të ishte një kthesë e rrezikshme që do të minonte të gjitha arritjet e deritanishme të shtetndërtimit.