Pasi mposhti çdo kryeministër, a po e shpall fitoren Rrahman Jasharaj edhe ndaj Kurtit?
Kishte fituar ndaj Thaçit I, Thaçit II, Mustafës e Haradinajt. A fitoi sot Rrahman Jasharaj edhe ndaj Albin Kurtit?
Kur flitet për arsimin, shkencën e kulturën dhe të drejtat e punëtorëve të këtij sektori, personi që na bie ndërmend, i cili gjithmonë është i zëshëm karshi kërkesave të punëtorëve të sindiktatës së tij, është Rrahman Jasharaj, kryetari i SBASHK-ut.
Ai gjithmonë gjatë mandatit të tij, që disa vite që është në krye të kësaj Sindikate, ështe përballur me çdo qeveri. Por, si duket përballjen me qeverinë Kurti e ka pak më të vështirë. Të paktën ai vet e ka thëne një gjë të tillë, kohë pas kohe. E kjo ka ndodhur krejt si shkak i temës për ligjin e pagave. Për të cilin po duket se qeveria nuk ka fort interesim njëherë.
Pikërisht për ligjin e pagave të premten e kaluar protesuan të gjitha Sindikatat, madje të njëjtat thanë se nga 20 prilli do të mund të hyjnë në greva nëse nuk realizohen kërkesat e tyre. Një ndër kërkesat ishte që të ndaheshin nga 100 euro për të gjithë punëtorët e arsimit.

I pyetur nga gazeta Nacionale nëse do të anulojnë grevën e paralajmëruar me 20 prill, Jasharaj nuk thotë as po e as jo, ai pret të konsultohet me anëtarësinë.
“Nuk mund të them asgjë. Anëtarësia vetë do ta analizojnë. Nuk po dimë asgjë zyrtare për ligjin e pagave, madje as me këto 100 euro që pritet të ndahen. Nëse kjo shtesë me 100 euro nuk vazhdon edhe për muajt e ardhshëm dhe heshtet për ligjin e pagave përsëri në arsim, e mban një situatë të tensionuar dhe të mjegulluar”, tha kryetari i SBASHK-ut.
Ani pse qeverinë Kurti, e ka cilësuar si qeverinë me të cilën ka pasur më së shumti telashe, Jashari zotimin për ndarjen e 100 eurove e cilëson si hap pozitiv, madje thotë se qeveria mund të ketë ndryshuar qëndrim karshi sindikatave.
“Është një hap pozitiv i qeverisë më në fund, pas një pozicionimi të tyre të gabuar ndaj kërkesave të sindikatave. Uroj që tani e tutje të kemi një çasje tjetër të qeverisë. Ndoshta qeveria sot i dha këto 100 euro duke thënë se “me 100 po fillojmë e pastaj me ligjin do të vazhdohet në pafundësi”, që të mos realizohet. Por, uroj që qeveria Kurti të ketë ndryshuar qëndrimin e vet ndaj sindikatave ose së shpejti t’i thërrasë përfaqësuesit e Sindikatave që bashkarisht të punojnë në ligjin e pagave dhe që qeveria ta dëgjojë zërin e përfaqësuesve të Sindikatave”, u shpreh Rrahman Jasharaj për Nacionalen.
Takimi që u premtua nga ministri Sveçla e që kurrë nuk u realizua
Duket se fati i grevës së paralajmëruar me 20 prill, ende nuk dihet, kryetari i Sindikatës, Rrahman Jasharaj përkundër kësaj thotë se nuk do të ndalen, deri të realizohet ligji i pagave.
Madje sipas tij është e çuditshme se si asnjëherë minstri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk u doli në fjalë për takimin që do ta mbanin.
“Është e çuditshme, sepse ministri Sveçla na kishte premtuar me 30 nëntor dhe kishte kërkuar që të mos bëjmë greva e protesta që komisioni të punojë pa presion. Na kishte kërkuar afatin dhjetor, janar, shkurt duke na premtuar se në fund të shkurtit versioni i parë do të jetë i kryer dhe pastaj marsi do të jetë muaji ku do të ketë takime intensive me Sindikatat për ta arritur një marrëveshje për ligjin e pagave. Marsi iku, po shohim që edhe prilli po shkon dhe nuk kemi asnjë informacion zyrtar dhe asnjë takim nuk e kemi pasur as me komisionin as me ministrin Sveçla për këtë ligj. Kjo po krijon huti, dhe dyshime që a është duke punuar rreth këtij ligji”, shtoi Jasharaj.
Kërkesa e sindikatave për të cilat kanë paralajmëruar edhe greva nëse nuk realizohen nga qeveria janë:
- Miratimi i Ligjit për Paga;
- Nisja e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore;
- Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti; dhe
- Nënshkrimi i marrëveshjes kolektive gjithëpërfshirëse.
Po Bashkimi i Sindikatave të Pavarura çfarë tha pas deklarimit të qeverisë Kurti për ndarjen e 100 eurove për pensionistët, punëtorët e sektorit publik e privat, studentët dhe për personat që janë në asistencë sociale?
Në rrjetin e tyre social Facebook, BSPK e kanë mirëpritur dialogun, siç e quajnë ata, nga qeveria Kurti.
“Protesta e së premtes, e 8 prillit 2022, ishte e qetë e tejet paqësore dhe Partneri Social i Qeverisë, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i parashtroi para Partnerit Social – Qeverisë kërkesat e arsyeshme dhe të realizueshme, dhe si duket kjo u kuptua, dhe në Deklaratën e sotme, e martë, 12 prill 2022, i Pari i Qeverisë iu drejtua të gjithëve duke deklaruar se kërkesat e parashtruara do të përmbushen.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, mirëpret dialogun edhe kur ai vjen në formë të deklaratës nga i pari i Qeverisë, po pret që kjo të mos mbetet vetëm deklaratë që thuhet po të realizohet dhe të rrisë sado kudo mirëqenien ekonomike dhe sociale të punësuarve dhe të qytetarëve që e ndërtojnë dhe e duan këtë vend”, thuhet në reagimin e tyre.
Tutje BSPK ka shkruar se presin miratimin e kërkesave të tyre, të arsyeshme.
Çfarë mori vendim qeveria sot?
Qeveria e Kosovës, gjatë ditës së sotme mori vendim që t’i ndajë nga 100 euro shtesë për pensionistët, punëtorët e sektorit publik e privat, studentët, dhe për personat që janë në asistencë sociale.
Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se 100-euroshi për pensionistët pritet të shpërndahet në fund të kësaj jave, ndërsa për punëtorët e sektorit publik në fund të muajit.
Murati tha se për studentët dhe punëtorët e sektorit privat, pritet të hapet një proces i aplikimit në ditët në vazhdim që do të marrë më shumë kohë.