Pasi i goditi mediat para kryeministrit të Spanjës, Kurti vazhdon takimet e ‘nivelit të lartë’ me diasporën në Amerikë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e zgjodhi një tryezë para kryeministrit të Spanjës, për të goditur mediat vendore.
Për ta çuar deri në fund deklaratën e tij skandaloze, Kurti tha se “disa media online në Kosovë marrin para nga regjimi i vjetër”.
“Regjimi i vjetër ka humbur fuqinë e vet politike, por jo edhe paratë e tyre të pista. Të frikësuar nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, që është në proces të bërjes, ata synojnë të frikësojnë edhe të tjerët po ashtu, duke shpërndarë para tek media të caktuara online që krijojnë shumë lajme të rreme e dezinformata. Kështu, kur ne problematizojmë çështjen e lajmeve të rreme e dezinformatave, ndoshta është mirë të ndjekim edhe udhëzimin e vlefshëm amerikan ‘’me i ndjekë paratë’’, për shkak se këta që krijojnë lajme të rreme e dezinformata, nuk e bëjnë këtë në baza vullnetare. Dikush, diku, disi i paguan për këtë, dhe kjo përbën aktivitet kriminal e illegal të cilin ne, si shtete socialiste e socialdemokrate, duhet ta ndjekim.” – ka thënë ai, transmeton Nacionale.
Kjo deklaratë e Kurtit ka nxitur reagime të shumta në Kosovë. Kurti është kritikuar për gjuhën ndaj mediave, duke nxitur edhe reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
Me qëllim ose jo, Kurti duket të ketë qenë i entuziazmuar nga prezenca e kryeministrit të Spanjës. Kjo pasi deri më tash nuk ka pasur takime të nivelit të lartë, siç për shembull, ka pasur presidentja Osmani me Joe Biden.
Në mungesë të këtyre takimeve, Kurti pati takime të “nivelit të lartë” me diasporën në Amerikë.
Takimet me diasporën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po e vazhdon qëndrimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Atje është takuar me organizata e diasporën shqiptare.
Ai i njoftoi edhe me politikat e qeverisë për diasporën, me qëllim përfshirjen sa më të madhe të saj në zhvillimin social dhe ekonomik. Ndër to u theksua Dritarja për Investime të Diasporës, përmes së cilës synohet t'i garantohen huatë e bizneseve me pronarë nga mërgata që duan të investojnë në Kosovë.
Me këtë rast ai u bëri ftesë atyre që të shohin mundësitë që ofron Kosova për investime dhe t'i shohin si mundësi për ta dhe për partnerët e tyre biznesor.
"Nëse para tri dekadave, juve të dashur bashkatdhetarë ju kemi thënë sakrifikoni për të kontribuar, tash ju themi investoni për të fituar", ju tha ai të pranishmëve.
Qendra Kulturore Shqiptaro-Amerikane “STRUGA” lindi si nevojë e komunitetit shqiptar, kryesisht nga Struga në
Kurti në një tjetër takim, e ka njoftuar disaporën shqiptare në Amerikë lidhur me projektin SuperPuna.
“Gjatë bashkëbisedimit me mërgatën, kryeministri Kurti i njoftoi nga afër për të arriturat dhe sukseset e Kosovës, duke theksuar rritjen ekonomike, demokratike e shoqërore. Ai shtoi se vendi ynë me një qeverisje progresiste, ka ngritur platforma që kanë siguruar më shumë vende të reja pune, edhe përmes iniciativave të qeverisë si platforma Superpuna. Ai përmendi edhe mbështetjen për gratë dhe vajzat, për punësimin dhe rritjen e bizneseve të tyre, duke shtuar rëndësinë e fuqizimit të grave brenda shoqërisë. Më tej, kryeministri foli edhe për të arriturat në eksportet dhe investimet, ndërsa potencoi se është rritur buxheti i shtetit dhe është investuar në fushat e sektorët kyç si mbrojtje, arsim, edukim, shëndetësi, bujqësi e teknologji”, thuhet në komunikatë.
Në mesin e takimeve më të rëndësishme për Kurtin, ishte ai me ndihmës-sekretarin O’Brien dhe emisarin Lajçak.