Mjekët kosovarë tmerrojnë me përgjigjet se a është homoseksualiteti sëmundje
Ne pyetëm tre mjekë kosovarë të profileve të ndryshme se a është homoseksualiteti sëmundje, në mënyrë që një herë e mirë edhe qytetarët por edhe deputetët konservatorë t'i hiqnin dilemat. Për fat të keq, edhe pse të tre u përgjigjën se nuk ishte, ata nuk i rezistuan 'tundimit' që t'i jepnin etiketa (dy prej tyre) derisa i treti thjesht tha se nuk i mbështeste.
Projekt-Kodi Civil ka ekspozuar një ndasi të thellë që kapërcente vijat partiake në Kosovë: homoseksualët. Deputetë të pushtetit e të opozitës dolën kundër bashkëpartiakëve të tyre dhe shprehën qëndrime të papajtueshme me vitin në të cilin jetojmë, 2022-shin. Disa prej tyre shkuan aq larg sa e quajtën edhe "devijim", "sëmundje" e "çrregullim". Mu para fytyrës së kryeministrit tonë, Albin Kurtit.
Në fakt, edhe Kodi i ri Civil i propozuar nga pushteti ishte një kompromis shumë i dhimbshëm për të drejtat e komunitetit LGBTQI+. E drejta e martesës u mohohej pakicave seksuale dhe në vend të saj propozohej e ashquajtura “bashkësi e regjistruar civile”. “A po martohesh me mua?” – mund ta pyes një burrë të dashurën e tij grua. Por, një burrë homoseksual të dashurit të tij burrë mund t’i propozonte veç me “A po bëjmë bashkim të regjistruar civil?” Sidoqoftë, as kjo nuk kaloi në Kuvendin e Kosovës.
Deputetja Labinotë Demi-Murtezi [VV] në kundërshtim e sipër u shpreh si vijon: “Standardi i moralit shoqëror në vendin tonë e dikton si të pranueshme vetëm martesën e gjinive të kundërta, çdo lidhje jashtë këtij kombinimi konsiderohet shthurje dhe degjenerim moral.”
Në të njëjtën vijë qëndronin edhe të tjerë deputetë si Eman Rrahmani, Mërgim Lushtaku, Burim Karameta që ka hequr katër shkronjat e para nga mbiemri i tij po për arsye seksuale e morale dhe të tjerë.
Homoseksualiteti shihej si sëmundje e çrregullim. Dhe prandaj, të drejtat që u takonin ‘të shëndoshëve’ nuk duhej t’u takonin edhe ‘të sëmurëve’. Por, cili është realiteti? Të paktën, realiteti mjekësor.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) prej 17 majit 1990 nuk e njeh si çrregullim homoseksualitetin. Pra, qe 32 vjet.
Por, Kosova është botë më vete dhe gazeta Nacionale prandaj pyeti disa mjekë vendorë të profileve të ndryshme në mënyrë që t’i qartësonte më shumë deputetët në fjalë si Karameta.
Neurologu Valdet Bajraktari u tregua shumë i prerë në qëndrimin e tij.
“[Homoseksualiteti] Është diçka krejt tjetër e që nuk ka lidhje aspak me sëmundje. Por shoqëria jonë është pak konservatore, dhe ka të tilla debate. Çështja për këtë punë mund të jetë pak hormonale, diçka psikologjike. Por aspak sëmundje", na tha ai.
A po dëgjon znj. Labinotë? Prit, hormonale e psikologjike? Mund të jetë? Prej kur flet shkenca me hamendje e me “mund të jetë”?
Më pas, për të marrë më shumë qartësi pyetëm edhe neuropsikiatrin më të njohur të vendit, Sami Rexhepin.
Edhe ai na tha që homoseksualiteti nuk është sëmundje, por fatkeqësisht i hyri 'lakrave', doli matanë terrenit të profesionit të tij dhe i dha një etiketë të rëndë “eksperiment”.
“Puna e prindit një, prindit dy [të seksit të njëjtë], atëherë kemi me pasë vështirë se qysh me i rritë fëmijët. Ky është një eksperiment që nuk kisha pasë qef me ndodhë në Kosovë. Lidhet me edukim, shprehi, identifikimin e vajzës me nanën e të djalit me babain. Çështja e termit “sëmundje” është hjekë. Kujtojmë se në klasifikimin ndërkombëtar ka qenë si sëmundje. Por, është hjekë dhe më nuk trajtohet si sëmundje por si preferencë. Mua nuk më pengon. Ajo është e drejtë e tyre. Veçse është çështja tek familja,”
Pashë familjen?
Doktori me emrin Hamdi Ramadani ndërkohë nuk e quan sëmundje homoseksualitetin por – pa sqaruar shumë – e etiketon si “temë të veçantë dhe specifike” dhe të cilën nuk e mbështet.
‘‘Por normalisht që secili individ ka të drejtë ta bëjë jetën e tij. Unë nuk e quaj këtë sëmundje, nuk e kategorizoj të tillë", përfundon Ramadani.
Sidoqoftë, bota është më e madhe e më e qartë se Kosova jonë e vogël me mjekë të paqartë.
Mjekët u pyetën nga Halim Kafexholli dhe Mentor Dinosha.