"Pas shkeljeve të rënda": Lulzim Hetemi shkarkon nënkryetaren Milletiq pas publikimit të videove ku ajo merrte kokainë
Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ka shkarkuar nga detyra nënkryetaren e komunës, Dragana Miletiq, e cila në pamjet që ka publikuar dje gazeta Naciomale shihet duke konsumuar drogë.
Në vendimin e shkarkimit, që e ka siguruar RTK, thuhet se shkarkimi është bërë për shkak të shkeljeve të rënda të punës dhe mosrespektimit të pozitës së saj në komunë.
“Shkarkimi nga detyra e nënkryetares sipas nenit 1 të këtij vendimi, bëhet për shkak të shkeljeve të rënda të punës dhe mosrespektimit të pozitës së saj si nënkryetare dhe mos përmbushjes së detyrave të punës”, është thënë në vendim, i cili është nënshkruar nga Hetemi.

Dje, gazeta Nacionale nga burime të ndryshme ka siguruar disa video-incizime ku nënkryetarja e komunës, Dragana Miletiq, shihet duke konsumuar lëndë narkotike.
Njëra prej videoeve duket të jetë realizuar në një nga banjot e objektit të komunës së Leposaviqit.
E në një tjetër video nënkryetarja e Leposaviqit shihet teksa konsumon drogë në zyrët e komunës, bashkë me një tjetër punëtor.
Nacionale ka kontaktuar edhe me nënkryetaren e komunës, Miletiq, për të marrë një qëndrim nga ajo për këto video-incizime. Ajo nuk ka folur direkt për përmbajtjen, por e ka akuzuar Listën Serbe.
“Të rreme. Të gjitha këto janë të shpikura prej qytetarësh të Listës Serbe për të kërcënuar emrin dhe pozitën time në Komunë (të Leposaviqit), si dhe punëtorët në Komunë të Leposaviqit”, ka thënë nënkryetarja e Leposaviqit për Nacionalen.
“Nuk është e vërtetë. Që nga fillimi i përfshirjes sime në këtë vend (në Komunë) ata kanë thurrur tregime të ndryshme vetëm për të më rrënuar mua, dhe veturës sime ia vunë flakën. Është e pabesueshme se sa presion kanë bërë mbi mua dhe emrin tim. Por, do të luftoj gjer në fund. S’më frikësojnë”, tha ajo.
Që nga atëherë, ajo ka shërbyer në objektin e komunës bashkë me një staf serbësh e shqiptarësh, të udhëhequr nga Lulzim Hetemi, kryetar i komunës.
Megjithatë, që nga koha kur nisi detyrën, nënkryetarja e komunës duket se nuk ka funksionuar krejt në përputhje me ligjin.
Madje, është përfshirë në veprimtari ilegale e vepra penale të dënuara me ligjet e Kosovës.
Prokuroria në Mitrovicë del me njoftim për nisjen e hetimeve
Prokuroria Themelore në Mitrovicë sot ka dalë me njoftim pas publikimit të videoincizimeve nga gazeta Nacionale, ku nënkryetarja e Leposaviqit, Dragana Miletiq, shihej duke konsumuar drogë.
Nga Prokuroria, përmes një njoftimi kanë konfirmuar, siç bëri të ditur edhe Nacionale më herët, nisjen e hetimeve.
Po ashtu, do të mblidhen prova duke përfshirë identifikimin e personave, videoincizimet e Nacionales dhe prova të tjera relevante.
Krejt këto, sipas Prokurorisë, janë në drejtim të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin se përkitazi me publikimin e video incizimit të portalit Nacionale, publikuar me datë 29 janar 2024, me qëllim të ndriçimit të gjitha fakteve dhe rrethanave, ka autorizuar Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prishtinë, që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me hetimin e këtij rasti, që ka të bëjë me persona të përfshirë që shihen në videot e publikuara, përfshirë identifikimin e të gjithë personave, pastaj mbledhjen e provave – video incizimeve të portalit Nacionale, dhe provave tjera relevante që janë të nevojshme për hetimin dhe ndriçimin e këtij rasti, në drejtim të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 pika 1.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – thuhet në njoftim.