Pas SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, as Britania e Madhe s'e mbështet krijimin e Republikës Serbe në Kosovë - NACIONALE

Pas SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, as Britania e Madhe s'e mbështet krijimin e Republikës Serbe në Kosovë

3 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Britania e Madhe nuk do të mbështesë formimin e Republikës Serbe në Kosovë, tha kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Britanik, Alicia Kearns, duke komentuar planin franko-gjerman për Serbinë dhe Kosovën, i cili synon normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve.

“Paqartësia e gjuhës në planin franko-gjerman është problematike. Flitet për vetëqeverisje. Çfarë do të thotë? A do të thotë kjo degën e ujit, rrymës dhe gazit, apo vetëqeverisje do të thotë struktura të veçanta qeverisëse? Ne nuk duhet të lejojmë Republikën Serbe në Kosovë”, tha Kearns për Aida Hadžimusić të Al Jazeera.

“Ne jemi të vetëdijshëm se kjo çon në konsolidimin e etno-nacionalizmit dhe nuk çon në unitet”, shtoi ajo.

Në përpjekjet e Perëndimit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008, Beogradi këmbëngul që në Kosovë të formohet Asociacioni i Komunave Serbe si pikë kyçe për vazhdimin e dialogut.

Kryeministri i Republikës së Kosovës Abin Kurti thotë se çdo asociacion i ardhshëm mund të formohet vetëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk mund të ketë autoritet për të bllokuar vendimet e qeverisë në Prishtinë, ashtu siç entiteti Republika Srpska mund të bllokojë vendimet e qeverinë shtetërore në Bosnje dhe Hercegovinë.

Sipas Kearns, Britania e Madhe mbetet absolutisht e përkushtuar ndaj stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, si dhe "të mos pengohet në rrënjosjen e etno-nacionalizmit".

Kearns thotë se ka folur me ministrin e Jashtëm të Kosovës

“Ka pjesë të mira të planit franko-gjermano-amerikan, por formimi i një enklavë serbe është diçka që Britania e Madhe nuk e mbështet.

Kujtojmë se Kryeministri Kurti vazhdon të theksojë se propozimi frank-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është një bazë e mirë dhe një platformë e fortë për të avancuar përpara në dialog. Megjithatë, shtoi se ky dokument nuk është një marrëveshje finale dhe për të ardhur në këtë pikë duhet edhe një raund negociatash.

“Propozimi i BE-së është një propozim që ne kemi thënë që është bazë e mirë dhe platformë solide për të ecë përpara, ne nuk mund të shkojmë prapa. Unë kam konsideruar që ky propozimi franko –gjerman, apo evropian, i mbështetur edhe nga ShBA-ja është një bazë e mirë për këtë gjë. Kjo nuk është marrëveshje finale, i ka pesë fjali në preambulë dhe i ka 10 nene. Ajo që më ka pëlqyer menjëherë në këtë tekst, , është se është propozim evropian dhe demokratik dhe është propozim që thirret në koncepte universale”, - tha Kurti.

Kryeministri u krenua edhe me paraqitjen e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, duke thënë se në vitin 2022 emri i Kosovës nuk ka qenë asnjëherë më i përmendur në arenën ndërkombëtare që nga pavarësia e saj. Këtë Kurti e atribuoi si sukses duke i thënë meritë stilit të tij në politikën e jashtme dhe në dialogun me Serbinë. /Nacionale/

Lajme të ngjashme