Pas raportimit të Nacionales, Komuna e Prishtinës ia ndal punimet MPJD-së që e ndryshoi strukturën e objektit
Pas raportimit të Nacionales, Komuna e Prishtinës ka ndaluar punimet në objektin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), për shkak të mos respektimit të lejës për zhvillim të punimeve. Nacionale kishte raportuar se MPJD-ja nuk po respekton lejen për punime dhe kishte tejkaluar atë duke ndërtuar në kundërshtim me kriteret që ishin paraparë me lejen e lëshuar nga kryeqyteti.
Drejtori a e Inspektorati të Prishtinës, ka ndaluar punimet në objektin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
Këto punime janë ndalur pas raportimit të Nacionales ku raportohej se MPJD-ja po kryen punime në kundërshtime me lejën e lëshuar nga Komuna e Prishtinës për ndërtim.
Kësisoj pas raportimit Inspekorati i Prishtinës ka dalë në terren dhe ka ndërprerë punimet në këtë vend-punishte.
Lajmi është konfirmuar nga Komuna e Prishtinës, të cilët kanë bërë të ditur se janë ndalur punimet dhe deri më tani MPJD-ja nuk ka kryer ndonjë punë.
“Inspektorati i ndërtimit në Kryeqytet ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura konform kompetencave dhe autorizimeve ligjore me c ‘rast është vendosur shiriti ndalues dhe me Procesverbal nr. 22/01663 dt.25.09.2024 është konstatuar gjendja faktike në teren dhe janë masat e propozuar, përfundimisht inspektori përgjegjës ka nxjerre Aktvendim për ndërprerjen e të gjitha punimeve ndërtimore dhe deri më tani pala, në këtë rast MPJ nuk ka zhvilluar asnjë punë ndërtimore duke respektuar urdhrin e inspektoratit. Inspektorati i ndërtimit do të vazhdoj të mbikëqyrë sikurse të gjitha rastet tjera edhe rastin në fjalë!” – thuhet në përgjigjen e tyre, duke ia bashkëngjitur edhe fotografi nga vendosja e shiratave ndalues.


Nacionale kishte raportuar se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) kishte filluar procedurat për fasadimin e objektit dhe rinovimet e tjera, mirëpo në vendim për lejimin e punimeve, i lëshuar nga Drejtoria e Urbanizimit e Komunës së Prishtinës, askund nuk përmendet që MPJD-ja mund t'i shtojë aneks-ndërtimi objektit aktual, që do ta ndryshonte gjendjen e objektit ekzistues.
Në lejen e lëshuar nga Komuna parashihen rinovimi dhe punët që MPJD-ja lejohet t’i bëjë në objekt.

Pika II e vendimit për lejimin e zhvillimeve të punëve parasheh: "Punët e demolimit dhe pastrimit, Punët e rikonstruktimit dhe adaptimit”.
Ndërsa në punët e planifikuara që mund të bëhen, askund - aq sa kuptohet - nuk parashihet ndërtimi i ankesit shtesë pranë objektit ekzistues.
Ndërkaq, pika III e këtij vendimi thotë qartë që nuk duhet të cenohet gjendja ekzistuese e ndërtesës dhe nuk duhet të dëmtohet infrastruktura ekzistuese nën dhe mbi tokë.
“III.Zhvillimi i punimeve te pershkruara ne piken II. te dispozitivit te ketij akti, duhet te behet nga ekipet profesionale, duke mos cenuar gjendjen ekzistuese te nderteses dhe duke mos demtuar infrastrukturen ekzistuese nen dhe mbi toke (me mbikeqyrje te profesionisteve te lemive perkatese), dhe sipas dokumentacionit ndertimor/projektit ideor te prezantuar,nga kompania projektuese "DEA GROUP", dhe i cili do te jete pjese perberese e ketij vendimi” – thuhet në vendimin e Komunës së Prishtinës.
Gjithashtu, vendimi për lejim të punimeve parasheh që çdo punë që bëhet jashtë kësaj leje do të cilësohet si ilegale, ndërsa mbetet të kuptohet nëse Komuna e Prishtinës do të shkatërrojë këtë objekt.

“VI. Nese kerkuesi nuk i permbahet ketij vendimi/pelqimi, dhe kryen punime tjera nga ato te pershkruara ne piken I. te dispozitivit te ketij akti, ky vendim/pelqim pushon se vlejturi, ndersa punimet do te trajtohen ilegale” – thuhet në pikën gjashtë të vendimit.
Nacionale do t’ju mbajë të informuar për këtë temë.