Pas raportimit në Nacionale dhe protestës, Prokuroria ankohet për vendimin e Gjykatës që liroi Iljasa Fazliun
Prokuroria Themelore në Gjilan, më 21 nëntor ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit lirues të Gjykatës Themelore në Gjilan, e cila kishte liruar logopedin Iljasa Fazliu nga akuzat për “Trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor”.
Krejt këto zhvillime kanë ardhur pas raportimit të Nacionale për vendimin që lironte Iljasa Fazliun nga akuzat, ku Gjykata Themelore në Gjilan ishte bazuar në një raport të tre ekspertëve nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike, të cilët kishin konstatuar se 4-vjeçares nuk i është përkeqësuar gjendja shëndetësore apo nuk i ishte shkaktuar dëm shëndetësor nga ofendimet dhe sjellja e logopedit Iljasa Fazliut.
Nacionale kishte raportuar ekskluzivisht më 15 nëntor për vendimin e Gjykatës në rastin e logopedit, si dhe raportin skandaloz të IPFK-së, të cilët kishin konstatuar gjendjen shëndetësore të 4-vjeçares pa e takuar asnjëherë për ekzaminim.
Pas këtij raportimi, ishte protestuar tek Gjykata e Apelit më 21 nëntor, ku aktivistët kishin kërkuar heqjen e licencës së logopedit Iljasa Fazliu dhe tre psikiatrave të Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Blerina Hoxha – Gjuraj, Ajet Bunjaku dhe Shpend Haxhibeqiri.
Po atë ditë, Prokuroria Themelore në Gjilan kishte ushtruar edhe ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjilan, e cila më 30 tetor e kishte liruar nga akuza Iljasa Fazliun.
Kujtojmë se në vitin 2022, Prokuroria e Gjilanit kishte akuzuar Iljasa Fazliun se ka përdorur fjalë të ndryshme ofenduese dhe denigruese, ndër të tjerash duke i bërtitur me tone të larta të cilat dëgjoheshin në një audio-incizim që ishte publikuar në media.
Pas kësaj, logopedi Fazliu ishte arrestuar më 27 nëntor të vitit 2022, por i njëjti në Gjykatë nuk kishte pranuar fajësinë. /Nacionale/