Pas raportimeve për fletarrestime, Rusia thotë se nuk e njeh Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve - NACIONALE

Pas raportimeve për fletarrestime, Rusia thotë se nuk e njeh Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Moska ka thënë se nuk e njeh juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve në Hagë. Kjo deklaratë erdhi pas raportimeve se gjykata pritet t’i kërkojë fletarrestimet e para kundër individëve rusë për luftën në Ukrainë.

“Ne nuk e njohim këtë gjykatë, nuk e njohim juridiksionin e saj”- tha para gazetarëve të martën në mëngjes zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Gazeta “The New York Times” dhe agjencia “Reuters” raportuan të hënën se prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve do të hapë zyrtarisht dy raste për krime lufte dhe se do të lëshojë fletarrestime për disa rusë që vlerësohen përgjegjës për rrëmbimin masiv të fëmijëve ukrainas dhe shënjestrimin e infrastrukturës civile ukrainase, raporton gazeta “The Guardian”.

Nëse përpjekja bëhet e suksesshme, kjo do të ishte hera e parë që fletarrestime të kësaj gjykate lëshohen për pushtimin rus të Ukrainës. Raportimet për lëshimin e fletarrestimeve vijnë pas rreth një viti pasi prokurori Karim Khan hapi një hetim për mundësinë e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit në Ukrainë. Gjatë 12 muajve të kaluar, ai ka udhëtuar tri herë në Ukrainë dhe i ka vizituar zonat e dyshimta për krime lufte.

Rusia mohon se i lëndon qëllimisht civilët, por Ministria e Mbrojtjes ka pretenduar se e ka vënë në shënjestër infrastrukturën energjetike në Ukrainë.

Federata Ruse e nënshkroi në vitin 2000 Statutin e Romës, me të cilin qeveriset Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve, por kurrë nuk ka ratifikuar ndonjë marrëveshje për t’u bërë anëtare e saj. Rusia e tërhoqi formalisht nënshkrimin nga statuti themelues i gjykatës më 2016, një ditë pasi ky institucion kishte publikuar një raport në të cilin aneksimi rus i Krimesë cilësohet pushtim.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës para më shumë se një viti, Kremlini i ka ashpërsuar marrëdhëniet me disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare, duke e thelluar izolimin e vendit nga Perëndimi.

Në marsin e vitit të kaluar, Rusia u largua nga Këshilli i Evropës, organizatë për të drejtat e njeriut, duke i paraprirë përjashtimit të pritshëm për shkak të sulmimit të Ukrainës.

Lajme të ngjashme