Pas Bislimit, valë reagimesh nga deputetët e pushetit: Marrëveshja për Urën e Ibrit është ndërmjetësuar nga BE-ja - NACIONALE

Pas Bislimit, valë reagimesh nga deputetët e pushetit: Marrëveshja për Urën e Ibrit është ndërmjetësuar nga BE-ja

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar lidhur me paralajmërimet e BE-së për vendosjen e sanksioneve të reja, në rast se hapet Ura e Ibrit.

Bislimi ka shkruar se marrëveshja për Urën e Ibrit është ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke shprehur habinë pse janë kundër hapjes së urës.

“Ne i kemi ndjekur të dyja këto rekomandime. Tani BE-ja po kërcënon Kosovën, në rast se ajo zbaton vetë marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE dhe rekomandimet shtesë. Qeveria e Republikës së Kosovës beson fuqishëm se BE-ja promovon më shumë liri të lëvizjes dhe më pak kufij apo mure ndërmjet etnive”, ka shkruar Bislimi.

“Raporti për Vendin i vitit 2020 nga ana e Komisionit Evropian për Kosovën, nxjerr konkluzionin si në vijim: “Punimet në urën e Mitrovicës kanë përfunduar dhe ura duhet të hapet për qarkullimin e automjeteve pa vonesa apo pengesa të mëtejshme”. Ky është formulimi i BE-së, por marrëveshja është arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Në vizitën e fundit të emisarit Lajçak në Kosovë më 19 qershor, gjatë takimit që e patëm, mbi urën e Ibrit ai deklaroi se nëse Kosova nuk preferon ta diskutojë përsëri këtë çështje në Bruksel, rekomandimi i tij ishte që diskutime të brendshme me serbët lokal në veri të zhvillohen, për të adresuar implikimet e mundshme të sigurisë dhe shqetësimet e tyre lidhur me çështjen. Ndërkohë, një partner i QUINT-it, shtoi kërkesën për inspektime teknike”, ka shkruar ai më tutje.

Pas reagimit të Bislimit, ka pasur shumë postime të tjera nga deputetët e Vetëvendosjes. Deputeti Armend Muja ka komentuar në lidhje me paralajmërimin e ambasadorit Hovenier, për trupat amerikane në Kosovë.

“A kanë emër shkaktarët potencial të dhunës? Hapja e urës dhe shkaktarët e dhunës që janë në pritje të pretekstit duhen ndarë si tema. Nëse ata ekzistojnë dhe janë të organizuar nuk bën të merremi me pretekstin pra urën por me ta”, ka shkruar Muja.

Ka reaguar edhe deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci.

“Pra, e kemi të konfirmuar me aktet e dakorduara ndërmjet Kosovës dhe BE-së, me dokumente, që Qeveria e Kosovës nuk po vepron njëanshëm. Raportet e Bashkimit Evropian po e kërkojnë hapjen e urës, ndërsa ne po zbatojmë rendin tonë kushtetues. Njëanshëm vepron Serbia që po lobon kundër hapjes së qarkullimit normal, ndërsa, BE-ja po e mbështetë njëanshmërinë e Serbisë, duke i kontribuar tensionimit të panevojshëm. Sikurse me proceset tjera, edhe kësaj radhe do të dëshmohet se askush nuk pëson, përkundrazi, fiton rendi dhe ligji, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria. Fitojnë qytetarët, patjetër edhe ata serbë. Humbet mafia dhe krimi i organizuar e në këtë rrjedhë edhe pushteti autokratik në Beograd. Por për ata s'ke çfarë të thuash, por çfarë po kërkon BE-ja në këtë llogore?”, ka shkruar Bajqinovci.

Postimin e Bislimit e kanë shpërndarë edhe zyrtarë të tjerë të VV-së, përfshirë Dejona Mihalin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot paralajmëroi se do të ketë koordinim me ndërkombëtarët për këtë temë, përderisa forca të shtuara të KFOR-it u panë mbi Ibër.

Kurti deklaroi se kjo temë është diskutuar dje në takim me komandantin e KFOR-it. Kurti tha se raportet kanë dëshmuar që Ura e Ibrit është stabile dhe mund të hapet.

“Me të diskutuam edhe për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë, që ne e konsiderojmë si gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë. I kemi mirëpritur raportet preliminare të vlerësimit të qëndrueshmërisë së Urës, rezultatet e raporteve, që i kemi ndarë me komandantin e KFOR-it. Në frymën e konsultimeve dhe koordinimit të vazhdueshëm që kemi”, tha Kurti, raporton Nacionale.

Kryeministri theksoi se hapja e Urës së Ibrit nuk është kundër partnerëve të Kosovës, dhe kundër askujt.

“Qeveria e Kosovës dhe unë besojmë që liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit, si dhe paqja e siguria në anën tjetër, janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet. Ne do të vazhdojmë konsultimet dhe koordinimin me partnerët tanë, hapja e Urës nuk është kundër askujt, aq më pak kundër partnerëve tanë. Kosova është shtet i qytetarëve të saj, dhe urat duhet të jenë të hapura”, tha ai.

Lajme të ngjashme