“Parulla nacionaliste; djali i Vuçiqit”: Çka ndodhi për Vidovdan në Graçanicë? - NACIONALE

“Parulla nacionaliste; djali i Vuçiqit”: Çka ndodhi për Vidovdan në Graçanicë?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Që në mëngjes, serbët e Kosovës filluan të mblidhen Graçanicë pranë Manastirit “Virgjëresha e Shenjtë”. Ky qytet i populluar kryesisht me serbë, e që është pak kilometra larg Prishtinës, u zgjodh si qendra për të festuar “Vidovdanin”, ashtu siç njihet dita përkujtimore e Betejës së Kosovës e vitit 1389. Por çfarë ndodhi e çka u pa gjatë “Vidovdanit” në Graçanicë?

Një ditë pasi lëxuan “Deklaratën e Vidovdanit”, serbët u mblodhën në Graçanicë për të shënuar “Vidovdanin”. Ndryshe nga herët e kaluara, festës iu ndryshua lokacioni i përvjetëm, nga Gazimestani në afërsi të Manastirit të Graçanicës. Për shkak të kësaj zhvendosjeje, u bllokua edhe magjistralja Prishtinë-Gjilan.

“Policia njofton se Festa e Vidovdanit mbahet në Graçanicë duke filluar nga ora (07:00), andaj do të ndërpritet përkohësisht qarkullimi i automjeteve në hyrje-daljet e komunës së Graçanicës, konkretisht në hyrje të fshatit Mramor dhe nga ana tjetër në hyrje të lagjes Veterrniku, ku automjetet do të riorientohen në rrugë alternative deri në përfundim të festës së Vidovdanit.” – njoftoi një ditë më parë Policia.

Megjithatë, e gjithë festa e serbëve për Vidovdan ka kaluar e qetë dhe pa tensione.

Parullat…Danillo i Vuçiqit.

Përveç zhvendosjes së lokacionit, këtë vit nuk kishte kontrolle të detajuara nga Policia e Kosovës, siç kishte herë të tjera. Ndërsa në këtë qytet të Kosovës zbarkuan edhe serbë nga Serbia, të cilët në mënyrë të organizuar me autobus erdhën në Kosovë.

Por si pothuajse gjithnjë, serbët kanë mbajtur parulla nacionaliste e shoveniste. Në raportimin e mediumit Kallxo.com, në Graçanicë janë parë serbë me mbishkrime nacionaliste si: “Nuk e lëshojmë djepin tonë”, “nuk e dorëzojmë djepin tonë”. Ndërsa gjatë ditës qytetarët serbë, të cilët erdhën nga Beogradi për të marr pjesë në festën e Vidovdanit, u panë rrugës duke brohoritur thirrje “Kosova është zemra e Serbisë”.

Ndoshta mysafiri më i rëndësishëm ishte Danilo Vuçiq, djali i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili qëndroi gjatë ditës në Graçanicë. Siç raportoi Koha, ai është parë në këtë qytet në festën e Vidovdanit, teksa mbante një bluzë me mbishkrimin “Dorëzimi nuk është opsion”.

Prezencën e Danilos në Kosovë, e ka konfirmuar babai i tij, presidenti serb Aleksandër Vuçiq, i cili e mbrojti të birin duke i thënë këto fjalë:

“Më lejoni t’ua lehtësojë punën derisa ata janë atje, ndërsa mund të veprojnë aq heroikisht...më lejoni t’u them se kështu mendon secili prej nesh, se kështu mendon shumica e Serbisë, dorëzimi nuk është opsion për ne.”

Ndërsa para serbëve të mbledhur, patriarku i Kishës Ortodokse, Pofirije, deklaroi se duhet të bëhen lutje për paqen e serbëve në Kosovë.

"Për ju vëllezër dhe motra që jetoni në Kosovë, ne kemi ardhur të lutemi me ju, t'i përulemi forcës dhe vendimit tuaj për të ruajtur vendet tona të shenjta. Kjo nuk do të ishte e mundur pa besim në shpirtrat tuaj. Me lutjen tuaj dhe qëndrueshmëria dhe ne të tjerët shërohemi nga brenda, lindim përsëri.” - theksoi ai.

Tutje, ai nuk harroi të urojë edhe festën e Kurban Bajramit.

"Sot është një ditë e gëzuar. Ne festojmë Princin e Shenjtë Lezar dhe Dëshmorët e Shenjtë të Kosovës, dhe sot vëllezërit myslimanë festojnë Kurban Bajramin. Duke e lutur Zotin për të gjithë njerëzit e botës, Zoti i dhëntë të gjithëve gëzim dhe paqe.” - tha ai.

Lajme të ngjashme