Partitë pranojnë rezultatet, shprehen të gatshme për bashkëpunim: A do të kemi institucione të reja apo krizë të re?
Partitë politike kanë pranuar rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit. Pas shpalljes se rezultateve preleminare, liderët e partive politike janë shprehur të hapur për bashkëpunim.
Megjithatë, nuk janë treguar shumë të qartë se çka nënkuptojnë me këtë bashkëpunim.
Në adresimin e parë pas zgjedhjeve, lideri i VV-së, Albin Kurti, ka vazhduar kritikat ndaj ish-partive opozitare.
Para mbështetësve të tij, ai ka thënë se është i gatshëm të takohet dhe të komunikoi me partitë tjera.
“Kosova e ka edhe presidenten, ushtruesen e detyrës së presidentes, ajo çka i mungon shtetit të Kosovës nuk është qeveria e presidenca, por i mungon Kuvendi. Blloku opozitar nuk shkon në punë, ne jemi të interesuar që edhe blloku opozitar të shkojë sa më shpejt në punë… Në javët në vijim, do të komunikojmë e do t’i takojmë, dhe do të bisedojmë me të gjitha subjektet politike”, ka thënë Kurti.
Për ish-deputetin e VV-së, Afrim Kasolli, ky fjalim i Kurtit është paralajmërim i një krizë të re.
“Zgjedhjet e 7 qershorit u imponuan per shkak se Kuvendi Kosovës deshtoi per ta zgjedhur Presidentin e ri. Mirëpo sipas mesazhit te kryeministrit drejtuar mbështeteteseve te tij ne shesh e kuptuam se Kosova paska President. Me qarte se kaq nuk mund te thuhet. Albin Kurti nuk e paska shqetësim zgjedhjen e Presidentit dhe as te Qeverisë, por rikthimin e opozitës ne vendet e punes. Nuk kemi pare asgjë nga kriza qe po na troket”, ka shkruar ai.
Pas rezultateve preleminare, para media ka dalë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ai ka thënë se partia e tij s’ka vija të kuqe për bashkëpunim pas zgjedhjeve.
“Siç e kemi thënë në fushatë vazhdon të qëndrojë, ne jemi të interesuar stabilitet vendit, institucione të qëndrueshme, linjën e vetme të kuqe e kemi për Listën Serbe. LDK-ja e ka kandidatin e vet për presidente dhe kjo do të jetë pikënisje e bisedimeve të ardhshme”, është shprehur ai.