Partitë mbyllin fushatën, liderët pretendojnë se pas zgjedhjeve do të hapet një kapitull i ri për Kosovën
Partitë politike sot e përmbyllin fushatën elektorale për zgjedhjet e parakohshme, të cilat do të mbahen nesër( e diele).
Derisa LDK-ja e ka përmbyllur mbrëmë fushatën, një gjë të tillë do ta bëjnë sot Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe subjektet tjera politike.
Partia më e madhe në vend, Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se përmbylljen e fushatës do ta bëjë sot në sallën e madhe të sporteve në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, duke filluar nga ora 18:00.
Kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në tubimin përmbyllës të fushatës, i cili do të mbahen nga ora 17:30, në AMC HALL në Prishtinë.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamza ka shkruar se mbyllim fushatën duke hapur një kapitull të ri për Kosovën
“Qytetarë të dashur, Nesër, më 27 dhjetor, nga ora 17:30, në AMC HALL në Prishtinë, e mbyllim fushatën duke hapur një kapitull të ri për Kosovën. Fushata jonë është për punëtorët që kërkojnë dinjitet, për të rinjtë që duan shpresë, për familjet që meritojnë siguri dhe për një Kosovë që ka nevojë për normalitet, stabilitet dhe zhvillim ekonomik. Bashkohuni me ne. Le ta mbyllim fushatën me pozitivitet, ashtu siç do ta hapim fitoren tonë! Bashkë. Përpara”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur që sot duke filluar nga ora 14:00, ta përmbyll fushatën elektorale në njërin nga hotelet në Prishtinë.
Ndryshe nga këto parit, LDK-ja fushatën e ka mbyllur mbrëmë.
Pas tubimit, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, është shprehur i kënaqur me mbarvajtjen e fushatës.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai është shprehur optimist për 28 dhjetorin.
“Kjo nuk ishte vetëm një fushatë. Kjo është ftesë për t’u ngritur. Për t’u bashkuar. Për t’u kthyer te arsyeshmëria, te maturia, te shteti, te shpresa. Kjo është ftesë për ta ndalur rënien, për ta mbyllur kapitullin e krizës dhe për të hapur kapitullin e një Republike që funksionon, të një shteti që respekton qytetarin, të një Kosove që ecën drejt perëndimit, jo drejt humbjes. Sonte e nisim këtë rrugëtim së bashku. Më 28 dhjetor, do ta vulosim së bashku”, ka shkruar ai.
Nga 17 dhjetorit, partitë politike kanë filluar aktivitet e tyre elektorale.
Gjatë kësaj kohe, subjektet politike përmes dhjetëra takime me qytetarë kanë prezantuar programet e tyre për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.