Partitë i kandidojnë gratë për kryetare sa për numër, në komunat ku dinë që s’fitojnë - NACIONALE

Partitë i kandidojnë gratë për kryetare sa për numër, në komunat ku dinë që s’fitojnë

1 vit më parë

nga Besian Beha

Përfundimi i afatit për dorëzimin e listave me kandidatë për kryetarë e kuvende komunale, ka zbardhur edhe në këto zgjedhje lokale, strategjinë e partive për kandidaturat e grave.

Nga pothuajse të gjitha subjektet politike, numri i kandidateve gra për kryetare, është tejet i ulët. Përderisa, të gjitha partitë, publikisht, po lavdërohen me numrin e madh të kandidateve që kanë për Kuvende Komunale.

Megjithatë, edhe në ato pak gra që kanë kandiduar, partitë del se e kanë bërë veç sa për numër.

Kjo pasi në komunat ku subjektet politike kanë kandiduar gra, historikisht në ato komuna, kanë pasur pak gjasa që të triumfojnë.

Nacionale ka analizuar statistikat e zgjedhjeve të fundit qendrore dhe atyre lokale, dhe të dhënat tregojnë që në pjesën më të madhe të komunave ku kandidate janë gra, partitë kanë pasur rezultate tmerrësisht të dobëta.

Lëvizja Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje në mesin e kandidaturave publike të cilat i ka shpallur në rrjete sociale, të vetmen grua e ka kandidaten për kryetare të Drenasit. Fjala është për Egzona Tërdevcin.

Pavarësisht se kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e prezantoi me pompozitet, Drenasi përherë është shquar si bastion i Partisë Demokratike të Kosovës. Si rezultat, gjasat që Vetëvendosje të arrijë ndonjë triumf në këtë komunë, janë pothuajse minimale. Këtë e dëshmojnë rezultatet ndër vite në zgjdhje qendrore e lokale.

Në zgjedhjet parlamentare të këtij viti, Vetëvendosje në Drenas mori rreth 4 mijë e 400 vota, apo 17%. Kurse, në zgjedhjet lokale të vitit 2021, kandidati i kësaj partie, Fejzi Kiqina, kishte pasur 3 mijë e 900 vota, apo 17.10%. Larg me vendin e parë, ku ndër vite triumfon Partia Demokratike e Kosovës.

Marrë parasysh garën që pritet të zhvillohet ndërmjet kandidatit të PDK-së, Petrit Hajdari, dhe Ramiz Lladrovcit, kandidatura e Tërdevcit në Drenas, nuk pritet të ‘trazojë’ ujërat.

Partia Demokratike e Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës ka tri kandidate gra në zgjedhjet që pritet të mbahen më 12 tetor. Gra janë kandiduar nga PDK-ja në Pejë, Kamenicë dhe Mitrovicë të Veriut. Ngjashëm sikur Lëvizja Vetëvendosje, edhe Partia Demokratike e Kosovës në këto tri komuna, ndër vite, nuk tregon rezultate pozitive, apo triumf eventual.

Në Pejë, PDK-ja ka kandidate Arta Nallbanin. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, në këtë komunë, PDK-ja ka pasur rreth 4 mijë e 600 vota apo 10%. Pra, në mesin e subjekteve më pak të votuara. Kurse, në zgjedhjet lokale të vitit 2021, bazuar në tabelat e Komisionit Qendror të Zgjedhje, PDK-ja nuk ka pasur kandidat fare. Në Pejë, për disa zgjedhje me radhë, triumfon pa balotazh, Gazmend Muhaxheri i LDK-së.

Në Kamenicë, vite më parë, PDK-ja udhëhiqte me kandidatin e saj, Begzad Sinanin. Megjithatë, fuqia e kësaj partie në këtë komunë, është zbehur me kalimin e kohës. Garës për të parin e Kamenicës, PDK-ja këtë herë i është futur me kandidaten Jona Arifi. Megjithatë, bazuar në të dhënat nga zgjedhjet e kaluara, nuk pritet që partia e drejtuar nga Memli Krasniqi të jetë faktor në këto zgjedhje. Në zgjedhjet parlamentare të këtij viti në Kamenicë, PDK-ja kishte jo më shumë se rreth 2 mijë e 300 vota apo 16%, kurse në zgjedhjet lokale të vitit 2021, kandidati Muhamet Kallaba kishte 2 mijë e 100 vota, apo 12.6%.

Me një kandidate grua PDK-ja garon edhe në Mitrovicë të Veriut. Atje garës i është futur Flutura Hamza. Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, PDK-ja atje nuk kishte fare kandidat, kurse në zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit 2023, PDK-ja garoi me Taulant Kelmendin. E në procesin që ndodhi këtë vit, në zgjedhje qendrore, Partia Demokratike e Kosovës mori veç 324 vota, apo 4%.

Pra, si Vetëvendosje, as PDK-ja nuk ka ndonjë kandidate grua në komunat ku ndër vite ka pasur performancë të mirë në zgjedhje, apo ku ka pritshmëri për fitore.

Lidhja Demokratike e Kosovës

Me një kandidate grua, garës i është futur në komunat veriore edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Ariana Hasani është emri me të cilin LDK-ja garon në Zubin Potok. Kjo e fundit, është kandidatja e vetme grua nga të gjitha komunat ku ka kandidatë Lidhja Demokratike e Kosovës.

Megjithatë, bazuar në histori, edhe kjo është vendosur ‘sa për numër’. LDK-ja në Zubin Potok në zgjedhjet e vitit 2025 kishte rreth 70 vota, apo 1%. Kurse, në zgjedhjet lokale të vitit 2021, kandidati i LDK-së për kryetar, Qerkin Veseli, mori 259 vota apo 6%.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës gjithashtu ka tri kandidate gra në komuna të ndryshme: Ferizaj, Kaçanik e Fushë Kosovë. Por, në asnjërën prej komunave ku kanë kandiduar gra, partia e Ramush Haradinajt nuk ka qeverisur e as nuk ka pritshmëri për ndonjë triumf eventual.

Në Ferizaj, AAK-ja e ka kandiduar Xhemile Muratin. Në zgjedhjet qendrore të vitit 2025, AAK-ja bashkë me Nismën në këtë komunë, nuk shkoi në mbi 3% të votave. Kurse, kandidati i AAK-së në zgjedhjet lokale të vitit 2021, Arben Halili, mori rreth 1 mijë e 100 vota. Pra, kandidate grua nga AAK-ja, në bastionin e kahmotshëm të PDK-së.

Në Fushë Kosovë, AAK-ja i ka hyrë garës me Vildane Latifin. Në komunën ku prej pasluftës qeverisë Lidhja Demokratike e Kosovës, edhe kjo kandidaturë cilësohet sa për ‘sy e faqe’. Kjo dëshmohet edhe nga shifrat e zgjedhjeve të kaluara. Në ato qendrore të këtij viti, AAK-ja bashkë me nismën mori rreth 600 vota apo 2.72%. Kurse në zgjedhjet lokale të vitit 2021, kandidati për kryetar, Hasan Ismajli, mori rreth 370 vota, apo 2.35%.

AAK-ja në këto zgjedhje ka vendosur të garojë edhe në Kaçanik, për dallim nga para katër vitesh që nuk pati kandidat fare. E në këtë proces, Aleanca i ka hyrë garës. Në komunën ku viteve të fundit triumfon bindshëm Partia Demokratike e Kosovës, AAK-ja në zgjedhje qendrore nuk pati më shumë se 500 vota apo 3.19%.

Pra, as kandidatet gra të AAK-së, nuk janë kandiduar në komunat ku ky subjekt politik ka qeverisur ndër vite p.sh Klinë, Gjakovë, Deçan apo Rahovec.

Nisma Socialdemokrate

Partia e Fatmir Limajt me dy kandidate gra ia ka mësyrë dy komunave jo pak të rëndësishme. Fjala është për Xhevahire Izmakun në Vushtrri e Albulena Balaj-Halimaj në Prizren. Megjithatë, në asnjë prej këtyre komunave, Nisma nuk është favorite për të fituar, si për shembull, në rastin e Malishevës.

Nisma në vitin 2025 ku garoi bashkë me AAK-në, në Vushtrri pati rreth 900 vota apo 2.87%. Kurse, në vitin 2021, në zgjedhje lokale, kandidati për kryetar Albert Maxhuni, kishte marrë rreth 300 vota apo 1%.

Pak më mirë, Nisma kishte performuar para katër vitesh në Prizren, me kandidatin Zafir Berisha. Atje, ‘Zafa’ mori mbi 3 mijë e 500 vota apo 5.7%. Kurse në zgjdhjet qendrore të vitit 2025 bashkë me AAK-në, Nisma nuk shkoi mbi 3 mijë e 500 vota, apo 5.2%. Në këto zgjedhje, Albulena Balaj Halimaj është kandidatja për kryetare, por sërish, me pak gjasa për të garuar me PDK-në, LDK-në apo Vetëvendosje në këtë komunë.

Partia Socialdemokrate

Dy kandidatura të cilat fushatën e kanë nisur shumë herët, dhe po zhvillojnë aktivitete të përditshme, janë nga Partia Socialdemokrate.

Fjala është për Besa Shahinin në Prishtinë, dhe Natyra Kuçin në Deçan.

Megjithatë, bazuar në përvojën e së kaluarës ku Deçani ka qenë bastion i AAK-së, e gara në Prishtinë pritet fort interesante mes LDK-së, VV-së dhe PDK-së, mbetet të shihet efekti dhe numri i votave për Shahinin e Kuçin.

Në mesin e grave të cilat kishin fituar në zgjedhje lokale dhe kishin qeverisur si kryetare, kishte qenë Mimoza Kusari-Lila në Gjakovë.

Lajme të ngjashme