Hapi përfundimtar: Parlamenti Evropian voton nesër për liberalizimin e vizave për Kosovën
Parlamenti Evropian do të votojë në seancë plenare të martën, më 18 prill, liberalizimin e vizave për Kosovën, që është edhe votimi i fundit dhe përfundimtar. Njoftimi është bërë i ditur në draftin e rendit të ditës të miratuar nga Konferenca e Kryetarëve dhe është publikuar në faqen zyrtare të Parlamentit Evropian.
Votimi do të zhvillohet sipas procedurës urgjente të votimit të propozuar nga deputeti Thijs Reuten, i cili është raportues për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Ky akt ligjor duhet të nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së, si Komisioni Europian, Këshilli Evropian, Komisioni Evropian dhe Parlamenti Europian. Pas nënshkrimit, vendimi duhet të publikohet në gazetën zyrtare dhe liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi në afatin e dakorduar. Pas votimit, vendimi botohet në Gazetën Zyrtare të Parlamentit Evropian.
Rreth tre javë më parë, Komiteti për të Drejtat Civile, Drejtësi, dhe Punët e Brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian kishe pro liberalizimit duke i hapur rrugën kështu hapit tjetër. 47 kanë dhënë votën për, tetë votuan kundër dhe pati katër abstenime.
This week in #Eplenary (17-20/4)
— LIBE Committee Press (@EP_Justice) April 14, 2023
- Short-stay visa freedom between 🇪🇺 and Kosovo🇽🇰 (rapp. @thijsreuten): endorsement Tue
- Resolution on progress towards a horizontal anti-discrimination directive (rapp. @AliceBahKuhnke): vote Wed
1/5
Vendimet për vizat
Më 30 nëntor, ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Pas kësaj, negociatat filluan menjëherë.
Më 12 dhjetor të vitit 2022 u mbajt një takim teknik, ndërkaq dy ditë më vonë, trilogu politik u mblodh në Strasburg. Dy ligjvënësit arritën një marrëveshje duke gjetur një kompromis për disa çështje të pazgjidhura të identifikuara në nivel teknik.
Ndërkaq, më 20 dhjetor 2022, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm analizoi tekstin final me synim arritjen e marrëveshjes dhe e konfirmoi atë.
Më 12 janar 2023, Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe punët e Brendshme (Komiteti LIBE) konfirmoi marrëveshjen politike dhe më 13 janar 2023 kryetari i LIBE i dërgoi një letër Kryetarit të Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm duke konfirmuar se, nëse Këshilli miraton Rregulloren në lexim të parë, pas rishikimit ligjor gjuhësor, Parlamenti do të miratojë qëndrimin e Këshillit në leximin e tij të dytë.
Më 9 mars 2023, Këshilli Evropian me shumicë votash, duke përfshirë edhe nga vendet që s’e njohin Kosovën, votoi pro liberalizimit të vizave, duke lënë edhe shumë pak hapa deri kur vendimi të hyjë në fuqi.
Ndërkohë, krejt ky proces së fundi ishte kushtëzuar me sistemin ETIAS, çështje të cilën e kishte shpjeguar për Nacionalen përfaqësuesja e përhershme e Çekisë, Edita Hrda.
“Ekziston një marrëveshje në nivel Këshilli që qytetarët e Kosovës nuk do të kenë nevojë për vizë pasi të jetë funksionalizuar Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), kjo pritet të jetë në nëntor të vitit 2023. Por meqenëse ne donim që qytetarët e Kosovës të kishin një garanci, ne kemi vendosur 1 janar 2024 si datën më të fundit për liberalizimin e vizave. Kjo është më tepër një masë sigurie në rast se ka ndonjë vonesë administrative me ETIAS.” – kishte thënë për Nacionalen përfaqësuesja e përhershme e Çekisë, Edita Hrda.
Vlen të theksohet, se mes gjithë këtyre vendimeve, në një prej takimeve kryesore të grupit COREPER ku do të vendosej për vizat, çështja ishte larguar nga agjenda për shkak të tensioneve në veri të vendit në fund të vitit që lamë pas.
