Parisin e mbulon bërlloku, Macroni në drekë me kryeministren
Drejtuesit e trenave, punëtorët e rafinerive të naftës, grumbulluesit e mbeturinave dhe punëtorë të tjerë e vazhduan grevën edhe të mërkurën në Francë kundër planit të presidentit Emmanuel Macron për ngritjen e moshës së pensionimit në 64 vjeç.
Për ta shënuar 8 Marsin - Ditën Ndërkombëtare të Grave, të mërkurën priten protesta të përqendruara te gratë dhe te ndikimi i reformës pensionale te nënat që kanë vende pune. Aktivistët feministë e cilësojnë reformën pensionale të padrejtë ndaj grave, sepse, sipas tyre, reforma do t’i thellonte edhe më shumë pabarazitë gjinore, me të cilat gratë ballafaqohen gjatë karrierës.
Sindikatat kanë kërkuar që reforma të tërhiqet, por ajo do të debatohet në Senat këtë javë, raporton mediumi “France24”.
Të mërkurën në mëngjes, qarkullimi i trenave dhe metroja e Parisit mbetën me shumë pengesa për shkak të grevës së punëtorëve.
Autoriteti i hekurudhave, SNCF, tha se vetëm një e treta e linjave të trenave të shpejtë pritet të funksionojë në mbarë vendin. Linjat e trenit për në Spanjë janë ndalur dhe disa anulime i prekin edhe linjat për në Britani e Belgjikë.
Një e pesta e fluturimeve janë anuluar në aeroportin “Charles de Gaulle” në Paris, ndërsa rreth një e treta në aeroportin “Orly”.
Dërgesat e naftës u ndërpretë për të dytën ditë radhazi për shkak të grevës së punëtorëve në rafineritë e kompanive “TotalEnergies” dhe “Esso ExxonMobil”, sipas sindikatës CGT.
Edhe grumbulluesit e mbeturinave në Paris e vazhduan grevën e tyre të mërkurën.
Për më tepër, punëtorët grevistë po e bllokojnë qasjen në portet e qyteteve perëndimore, Rouen e Le Havre.
Presidenti Macron është zotuar se projektligji i reformës pensionale do të miratohet, duke e cilësuar kyç për politikat ekonomike pro bizneseve.
Sindikatat e punëtorëve kanë bërë thirrje për një ditë të re të protestave gjithëkombëtare të shtunën.
Ndërkohë sipas uebfaqes zyrtare të Presidencës së Francës, presidenti Macron kishte një drekë me kryeministren Elisabeth Borne në orën 13:15.

