Rrugë të bllokuara, bërlloku pa u hequr: Franca në kaos nga greva e punëtorëve
Punëtorët për grumbullimin e mbeturinave, drejtuesit e trenave, kontrollorët ajrorë e shumë punëtorët të tjerë po mbajnë grevë të martën në Francë për ta shprehur zemërimin e tyre kundër ngritjes së moshës së pensionimit, të cilën sindikatat e shohin si kërcënim më të gjerë ndaj modelit social francez.
Më shumë se 250 protesta pritet të mbahen në Paris dhe në mbarë vendin në atë që organizatorët shpresojnë se do të jetë shfaqja më e madhe e forcës kundër legjislacionit të propozuar nga presidenti Emmanuel Macron. Projektligji do të jetë pjesë e debatit në Senatin e Francës këtë javë, raporton agjencia “Associated Press”.
Sindikatat kanë kërcënuar se do ta ngrijnë ekonominë e vendit me ndërprerje pune në shumë sektorë. Më e dukshmja është greva e punëtorëve të hekurudhave. Udhëtarët u grumbulluan në numër të madh në njërin prej trenave të rrallë që shkoi drejt Parisit para agimit. Qeveria i ka inkurajuar njerëzit që të punojnë nga shtëpia, nëse kanë mundësi.
Një e pesta e fluturimeve u anuluan në aeroportin “Charles de Gaulle” në Paris dhe një e treta në aeroportin “Orly”. Pritet që trenat për Gjermani dhe Spanjë të ndalen, ndërsa ata për në Britani do të pakësohen për një të tretën e linjave, sipas autoritetit të hekurudhave.
Më shumë se 60 për qind e mësuesve në shkolla fillore pritet të jenë në grevë, por edhe punëtorë të tjerë të sektorit publik.
Sipas masave të propozuara, mosha e daljes në pension do të ngrihej nga 62 në 64, ndërsa do të kërkoheshin 43 vite përvojë pune për ta siguruar pensionin e plotë. Ky plan është propozuar në kohën që popullsia e Francës po plaket e jetëgjatësia po shtohet.
Në bazë të rezultateve të anketave, shumica e votuesve francezë e kundërshtojnë ndryshimin në sistemin pensional. Ligjvënësit e së majtës thonë se kompanitë dhe të pasurit duhet të dhurojnë pë shumë për ta financuar sistemin pensional.