Paraliza parlamentare: Kurti thërret konferencë për media si “Kryeministër në Detyrë” pavarësisht Supremes - NACIONALE

Paraliza parlamentare: Kurti thërret konferencë për media si “Kryeministër në Detyrë” pavarësisht Supremes

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Paraliza institucionale e plotë.

Të premten në ora 23:59 godet ora e fundit kushtetuese kur Vetëvendosja duhet ta konkludojë zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, për çka veçse fillimi i javës vendimtare shënoi mbylljen e 50 arbitrare të seancës konstitutive nga kryesuesi thjesht ceremonial moshor, Avni Dehari.

Dy a tre minuta është intervali kohor mes dy fjalive antitetike “ka kuorum, mund të vazhdojmë” dhe “nuk ka kuorum, mbyllet seanca” nga Avni Dehari që kundër çdo logjike, ligji dhe parametri kushtetues.

Nga 48 deputetë që ka Vetëvendosja, 40 prej tyre i kanë votat për t’u zgjedhur. Por, vetëm Albulena Haxhiun dhe vetëm votim të fshehtë mbetet qëndrimi tash e 50 seanca që mbyllen nga Dehari.

Çka po presin partitë tjera politike?

Aspak zgjidhje as në ditët në vijim nuk pret kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumnir Abdixhiku. Ky i fundit tha se pritjet i ka te lënda e re (e lëndës së vjetër) në Gjykatë Kushtetuese që kanë adresuar, pasi Vetëvendosja Aktgjykimit të fundit i bëri lexim skajshmërisht alterantiv dhe solipsist.

“Aktgjykimi ka thënë se lejohet votimi i fshehtë”, është lajtmotivi i Vetëvendosjes për t’u betonizuar edhe më tej, ani pse ai komision për votim të fshehtë nuk ka kaluar mbi 40 herë.

Abixhiku tha se “është tragjik fakti” që Vetëvendosja as pas 50 përpjekjeve nuk arrin që të ndërtojë një shumicë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.

“Qëndrimet e LDK-së i dini, pozicionet e LDK i dini, por ajo që është e rëndësishme është se po bëhet një kauzë që nga vendimi i Gjykatës Supreme, që e konstaton përfundimisht që ministrat dhe kryeministri janë uzurpatorë të qeverisë. Prokuroria duhet të veprojë, sepse është e paparë. Sa i përket krizës politike në vend, është vërtet tragjike fakti që pas 50 ditëve nuk arrin një parti që ka 48 deputetë të bëjë një shumicë, edhe pse ka alternativa shumë”, tha Abdixhiku.

“Nuk i lë hapësirë zhvillimit demokratik, as fjalës së lirë të deputetëve nëpërmjet uzurpimit të ulëseve të Kuvendit. Nuk pres ndonjë zgjidhje as në ditët e mbetura. Ajo që pritet pas afatit 30-ditor që kalon më datë 25, është të kemi një interpretim të ri nga Gjykata Kushtetuese. Ne një interpretim e kemi, sikur nuk kemi një respektim të saj”, u shpreh Abdixhiku.

Time Kadrijaj, Shefe e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duket më e shpresshme në pritshmëri: ajo pandeh se “me gjasë” Gjykata Kushtetuese mund t’ia kalojë të drejtën e propozimit për kryetar kuvendi një partie tjetër, pasi Vetëvendosja qe gati 4 muaj dështon.

“Afati po afrohet, 26 është shumë afër, dhe Kurti e ka shansin e fundit për konstituim të Kuvendit. E nëse pas 30 ditë të moskonstituimit, me gjasë do t’i jepet e drejta dikujt tjetër. Unë me gjasë i kam ra pishman edhe për ato që i kam thanë, me gjasë nuk do ta votoj asnjë kandidat të LVV-së”, tha Time Kadrijaj.

Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se 162 ditë kanë kaluar që nga kur janë kryer zgjedhjet.

Ajo tha se Albin Kurti po synon përmbysjen e rendit kushtetues.

“162 ditë janë shumë për pensionistin, për mësimdhënësin që ndihet i përbuzur, për mjekët që u mungojnë barnat esenciale, për punëtorët e sektorit privat, për ndërmarrjet, për ndërmarrësit që po u mbyllen bizneset për shkak të rrymës. Po për kënd nuk janë shumë 162 ditë? Për Albin Kurtin. Sepse për të, kjo kohë është pjesë e planit për përmbysjen e rendit kushtetues, dhe zhbërjen e vetë ADN-së të shoqërisë tonë. Ai po synon krijimin e një rendi të ri ku nuk ka më norma, ambicie kolektive”, tha Çitaku.

Pavarësisht paralizës së plotë, Albin Kurti, që legalisht është veç deputet i Kuvendit të Kosovës ka thirrur konferencë për media në ndërtesë së Qeverisë së Kosovës si “Kryeministër në Detyrë”.

Lajme të ngjashme