Paralajmërimi i OEA-s dhe AKB-së: Tensionet në veri dhe moskoordinimi frikësojnë investitorët e huaj
Që nga maji i vitit 2023, situata në veri të Kosovës ka qenë fragjile. Në shtator të vitit 2023, një grup i armatosur serb, i udhëhequr nga Milan Radoiçiq, i kërkuar tash ndërkombëtarisht nga Kosova, e vrau një polic në Banjskë të Kosovës. Ndërsa këto ditë të fundit, çështja e hapjes së Urës së Ibrit është rikthyer si një pikë e mundshme eskalimi. Krejt këto tensione, nga njohës të ekonomisë, po shihen si problematike.
Në një intervistë për Kosovapress, Arian Zeka, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka vlerësuar se çështja e veriut dhe tensionet e vazhdueshme në atë pjesë të vendit, e vështirësojnë thithjen e investimeve të huaja direkte.
“Çështjet në veri dhe tensionet e vazhdueshme në pjesën veriore të vendit, natyrisht bëjnë që Kosova të dëmtohet mëtej në aspektin e reputacionit të vetë që e ka dhe t’i humbet mundësitë për tërheqjen e investimeve të huaja direkte që është synimi parësor edhe i institucioneve qendore, pra i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe neve si aktorë ose hisedarë joshtetërore, por që kemi një rëndësi ose rol për të luajtur në tërheqjen e investimeve të huaja direkte” – ka thënë Zeka gjatë një intervistë për Kosovapress.
Ndërsa Aleanca Kosovare e Bizneseve, përmes një postimi në Facebook, shkrpi se bizneset janë të “frikësuara nga veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës me partnerët nga ShBA-ja dhe BE-ja”. Tutje, AKB-ja ka ngritur shqetësimin për këtë temë.
“Qeveria duhet të mendon mirë për humbje e mbështetje nga komunitetit ndërkombëtar e jo për një grushtë vota më shumë a më pak në Kosovë.
Investitorët e huaj do të jenë më larg nga Kosova nëse ende do të ballafaqohemi me sanksione ekonomike dhe politike nga faktori ndërkombëtar si BE dhe ShBA.
Qeveria të ndegjoi zërin e komunitetit të bizneset për zhvillim ekonomik e të faktorit ndërkombëtar për atë politik e integrues së Kosovës” – ka shkruar tutje në reagimin e tyre AKB-ja.
Në intervistën për KP, Zeka ka folur edhe për mungesën e koordinimit në mes të Qeverisë së Kosovës dhe ShBA-së e aleatëve të tjerë, teksa ka përmendur edhe mundësinë e masave ndëshkimore të reja.
“Vetëm mundem ta përsëris atë që është thënë nga përfaqësuesit e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, DASh-it, por edhe të përfaqësuesve të ShBA-së në Kosovë, se cilësia e raporteve ndërmjet Qeverisë Amerikane me Qeverinë e Kosovës, nuk është e mirë. Dhe kjo falë veprimeve të njëanshme, të pakoordinuara të Qeverisë së Republikës së Kosovës, jo vetëm me ShBA-të si aleati më i rëndëisshëm që vendi ynë ka, por edhe me aleatët e tjerë…Secili veprim tjetër natyrisht që çon në masa ndëshkimore, siç të tjerët u referohen si sanksione, qoftë nga BE-ja apo edhe aleatët e tjerë” – tha ai.
Sjellim ndër mend që Banka Qendrore e Kosovës ka parashikuar një rritje ekonomike prej vetëm 3.9 për qind për vitin 2024.