Paralajmërimi i Jasharajt: Kurtin e Qeverinë do t’i zë mallkimi i minatorëve - NACIONALE

Paralajmërimi i Jasharajt: Kurtin e Qeverinë do t’i zë mallkimi i minatorëve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Rrahman Jasharaj, kryetar i SBAShK-ut, ka bërë një reagim relativisht të gjatë në lidhje me situatën e minatorëve të Trepçës, të cilët janë që pesë ditë në grevë.

Ai e ka përshkruar vizitën e tij, ndërsa ka bërë një paralajmërim interesante. Sipas Jasharajt, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe qeverinë e tij do t’i zë mallakimi i minatorëve.

“Kryeministër Kurti ty dhe Qeverinë do t’ju zë mallkimi i minatorëve. Kryeministër Kurti ty nuk po të lë hapësirë në këtë shkrim se je shumë i zënë me dialogun, por anëtarët e Qeverisë që ti drejton dhe ca deputet nga partia jote do t’i zë mallkimi i minatorëve grevistë që mezi marrin frymë në galerinë 800 metra nën tokë. I vizitova dje dhe teksa po pritnim të lëshoheshim në brendësitë e tokës , nga atje nxorën grevistë me gjendje të renduar shëndetësore e ata mallkonin institucionet dhe mendje e kishin të kolegët e tyre në thellësitë e nëntokës së Kosovës.” – ka shkruar Jasharaj.

Tutje, z. Jasharaj e ka përshkruar udhëtimin e tij për të zbritur në galerinë që është 800 metra nën tokë, duke treguar për vështirësitë shëndetësore të grevistëve.

“Kryeministër me këtë gjendjen time të rënduar shëndetësore bashkë me kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Shërbyesve civilë Ali Gashi dhe nënkryetarin e BSPK-së Skënder Lushtaku po bëheshim gati për të zbritur në galeri 800 metra nën tokë , por duhej pritur se ekipet kujdestare po nxjerrin goxha me vështirësi grevistë për t’i dërguar në institucione shëndetësore e ata të stërlodhur kundërshtonin të ndaheshin nga shokët grevistë, por edhe mallkonin. Mallkonin Qeverinë dhe udhëheqësit që nuk po qajnë kokën për ta e për kushtet tmerr të punës në minierë.” – shkruan ai.

Në shkrimin e tij, Jasharaj ka përmendur edhe Dimal Bashën, deputet i VV-së, i cili dje shkroi se rroga e minatorëve është më e larta në rajon.

“Kryeministër, ti nuk ke kohë për minatorët, por dërgoje këtë farë Dimal Bashën, që është i asgjëdijshmi, e që bën propagandë kundër minatorëve grevistë për pagat e tyre.

Kryeministër ata janë në grevë thellë nën tokën e Kosovës sepse as edhe një herë nuk janë të sigurt se do të marrin pagat e tyre.

Kur ke pak kohë të lirë o kryeministër Kurti , në vend që të pini çaja e të bëni reklama koti, merre Qeverinë dhe shumë ushtarë të face bukut dhe vizitoni minatorët me apo pa grevë.” – shkruan Jasharaj.

Lajme të ngjashme