Paragrafi 162 i Aktgjykimit e jep zgjedhjen e presidentit para qeverisë, Kurti jep indikacione që do t’i bjerë kontra
Me numërimin e votave me postë të diasporës që pritet t’i sigurojnë Lëvizjes Vetëvendosje mandatin e 52-të, Albin Kurti duket se po i afrohet shumicës minimale për qeveri të re.
Me 52 deputetë dhe nëntë deputetë të komuniteteve joserbe që konsiderohen të mirëqena, Vetëvendosje arrin në 61 vota, minimumi i nevojshëm për zgjedhjen e ekzekutivit.
Por rruga drejt qeverisë nuk është edhe rruga që ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese në Aktgjykimin e fundit për çështjen e Presidentit.
Gjykata Kushtetuese ka sqaruar fare thjeshtë renditjen e detyrimeve kushtetuese kur vendi hyn në një legjislaturë të re pa president të zgjedhur.
Në paragrafin 162, Gjykata ka konstatuar se, “procedura për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojë nga dita e konstituimit të Kuvendit dhe të përfundojë më së largu brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve”.

Interpretimi i Gjykatës nënkupton se konstituimi i Kuvendit aktivizon menjëherë afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve, shpërndarjhet Kuvendit dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Megjithatë, deklaratat e Albin Kurtit nuk kanë dhënë të kuptojë se do të shkojë simbas këtij rendi kushtetues të gjërave.
I pyetur për hapat pas certifikimit të rezultatit, Kurti u shpreh optimist për krijimin e institucioneve.
“Unë jam optimist që gjërat do të shkojnë mbarë e mirë edhe sa i përket konstituimit të Kuvendit edhe sa i përket formimit të qeverisë”, tha ai.
Ai shtoi se Vetëvendosje “do të jetë bartëse e themelimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të”.
Kurti po ashtu la të kuptohet se nuk sheh nevojë për ndryshim të kursit politik dhe as për ndërtim të domosdoshëm të një koalicioni paszgjedhor.
“Vendi ka qeveri, vendi ka president, por çka nuk ka, nuk ka Kuvend”, kishte deklaruar ai më herët.
Kjo qasje po përplaset me interpretimin e disa juristëve kushtetues.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i është referuar drejtpërdrejt paragrafit 162 të aktgjykimit, duke argumentuar se rendi kushtetues i veprimeve është i qartë: “Konstituimi i Kuvendit dhe më pas procedura për zgjedhjen e presidentit.”
“Aty bëhet e qartë si loti, se çdo herë që nuk ka president, që është vakant, ai zgjedhet i pari, siç është rasti konkret...ky nuk është mendimi im, është normë e vendosur nga Gjykata Kushtetuese,” tha Hasani në Kosovapress.
Në anën tjetër, Vigan Qorolli, zyrtar dhe jurist i Vetëvendosjes, pretendon tjetër gjë, duke kundërshtuar leximin se zgjedhja e presidentit duhet të paraprijë formimin e qeverisë.
Në një reagim që aludon në deklarimet e Enver Hasanit, Qorolli pretendon se ai foli “sipas dëshirës për t’u shtuar atyre fjali që Gjykata nuk i ka shkruar.”
“Albulena Haxhiu mund ta caktojë Albin Kurtin mandatar për formimin e Qeverisë. Ky është zbatim tekstual i normës kushtetuese,” shkroi ai.
Nëse Kurti formon qeverinë me 61 vota, por dështon të sigurojë kuorumin prej 80 deputetësh për procedurën e zgjedhjes së presidentit, vendi mund të përballet me një cikël të ri zgjedhjesh brenda pak më shumë se dy muajsh.