Para 10 dite e kritikoi: Pse e mbështeti përnjëherë Komandant Remi kryeministrin Kurti? - NACIONALE

Para 10 dite e kritikoi: Pse e mbështeti përnjëherë Komandant Remi kryeministrin Kurti?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një prej komandantëve më të njohur të luftës së fundit në Kosovë, Rrustem Mustafa, i dha mbështetje Albin Kurtit në politikat e tij për veriun. Por, cili është mendimi i tij politik?

“Në Evropë apo në Europë” – është dilema e famshme gjuhësoro-politike e shtruar prej tij në një libër të shkruar pas lufte. Është Evropë, meqë ra fjala. Dhe është Europë, sipas Rrustem Mustafës.

Mbështetja për Kurtin

Në kohën kur miqtë më të mëdhenj të Kosovës po marrin masa ndëshkuese dhe po e qortojnë Kurtin, komandant Remi i dha mbështetje. Dhe jo çfarëdo mbështetje. Mbështetje duke ia sulmuar rëndë edhe kritikët, aq sa e zuri në befasi secilin, ndoshta edhe simpatizantët e VV-së.

Në atë mbështetje, ai argumentonte se e kaluara dëshmonte se ne “gjithnjë jemi bashkuar në kohë të vështira dhe si të tillë kemi dalë fitimtarë.” Pra, duhej bashkuar në mënyrë që të fitonim.

Ai aty akuzoi opozitën dhe mediat e analistët.

“Një gjë jam i sigurt, se pavarësisht se çfarë opinioni prodhojnë mediat, analistët apo edhe opozita, Kryeministri Kurti është në rrugë të drejtë në synimin e tij për të shtrirë pushtetin në tërë territorin e Kosovës.” – shkruante z. Remi.

Më tej, ai thirret në disa miq ndërkombëtarë duke thënë që ata e mbështesin ende Kosovën.

“Përpjekja e Qeverisë për të vënë rend dhe drejtësi në gjithë vendin do ta ketë përkrahjen nga unë në çdo kohë, strategjia për shtrirjen e sovranitetit nga qeveria do të ketë suksesë në ruajtjen rendit dhe ligjit, analistet dhe mediat që po gozhdojnë pandershëm misionin për rend dhe ligj do të perfundojne pandershëm.” - u shpreh tutje komandanti i Llapit.

Fjalët e tij ishin të befasishme veçanërisht pasi ai nuk kishte mbështetur deri tash Kurtin dhe sulmuar kritikët e tij.

Anatomia E FJALËVE

Nga llogaria e tij në Facebook na shfaqen shumë postime ku Remi glorifikon luftën e UÇK-së.

Vetëm një javë para se të mbështeste Kurtin, Mustafa e ka publikuar një fotografi me rivalin e madh politik të kryeministrit, Hashim Thaçin.

Ai aty shprehej se ende kishte në Kosovë njerëz të lidhur me sisteme të kaluara që po vazhdonin të “prodhonin telashe të natyrave të ndryshme.”

“UÇK ka pranuar si aleat boshtin e së mirës dhe kemi vendosur bashkë me miqtë, modelin e suksesit. Për fat të keq, në vazhdimësi këto 20 vite eshtë sulmuar nga po ato mendesi të liga modeli i mirë.”

Blloku aleat, i prirë nga ShBA, duhet t'u kundervihet këtyre kategorive të së keqes.

Ndërkohë, edhe më i çuditshëm është një postim i bërë më 16 qershor, në të cilin paraqet qëndrimet e tij për kryeministrin Albin Kurti.

Ai i kërkonte Kurtit që të mos binte ndesh me projektet amerikane dhe as kundër vlerave të UÇK-së derisa e shpërndante një video të para një viti ku shprehej:

“...veprimet e z. Kurtit janë kundër projekteve amerikane për vendin tonë. Po dihet mirëfilli. Dhe janë kundër perspektivës kundër kategorisë së UÇK-së. Unë nuk them se është anti-UÇK por po vepron kundër vlerave. Nuk është anti-amerikan por po vepron kundër projekteve amerikane.” – shprehej z. Mustafa, që e quan Kurtin edhe “bashkëluftëtar”.

Mustafa kishte qenë prej pak komandantëve të UÇK-së që e kishte mbrojtur edhe në të kaluarën veprimtarinë patriotike të kryeministrit aktual të Kosovës.

Kujtojmë se kryeministri Kurti kishte kërkuar që të pyetej pikërisht Rrustem Mustafa se a kishte qenë në UÇK.

“Se a kam qenë UÇK pyete Sylejman Selimin dhe Rrustem Mustafën – dy komandantat të tregojnë.”iu kishte thënë Kurti disa deputetëve të PDK-së në një seancë të Kuvendit.

Kujtojmë se Komandant Remi kishte deklaruar më 1 korrik se kishte marrë ftesë për të dëshmuar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Lajme të ngjashme