Paqartësitë rreth marrjes së mandateve nga kryetarët e rinj në veri, ç'pritet të ndodhë? - NACIONALE

Paqartësitë rreth marrjes së mandateve nga kryetarët e rinj në veri, ç'pritet të ndodhë?

11 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Më 27-28 maj shterrohen afatet kohore kur kryetarët e rinj të zgjedhur në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe do të duhet të marrin mandatet e tyre. Dështimi për të bërë betimin brenda afatit një mujor do të rezultonte pashmangshmërisht në humbjen e mandateve. Pikëpyetje të shumta mbesin.

Për shkak të bojkotit pothuajse absolut të komunitetit serb në këto zgjedhje, situata karakterizohte me një paqartësi të madhe. Si do të marrin udhëheqësinë komunale Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës?

Në takimin e Nivelit të Lartë më 2 maj në Bruksel ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, fascilituesit evropianë kishin propozuar “një zgjidhje të përkohshme” duke kërkuar që të digjen mandatet e katër kryetarëve të rinj, por që pala kosovare nuk e ka konsideruar një opsion të tillë.

Kjo ishte konfirmuar edhe nga një këshilltar i kryeministrit Kurti, Jeton Zulfa, se ka pasur një propozim të tillë nga ana e BE’së, por kishte shtuar se “kërkesa të tilla nuk mund të parashtrohen”. Presidenti serb Vuçiq me këtë propozim të BE’së u pajtua.

Kurti refuzoi të komentojë “propozimin” e BE’së për djegien e mandatave. Megjithatë, për kryetarët e rinj ai tha se ata do të jenë “udhëheqës me ‘u’ të vogël” dhe se ka kërkuar vet që të mos tregohen triumfalizëm në këtë gjë.

Ata nuk do të jenë udhëheqës komunal me U të madhe, por udhëheqës me ‘u’ të vogël. Unë kam dhënë instruksione të mos ketë tirumfalizëm pas këtyre zgjedhjeve, por këta kryetarë duhet të formojnë qeverisje multietnike dhe t’u shërbejnë qytetarëve pa dallim”, tha Kurti.

Arkitektura e shtetit të Kosovës nuk lejon që qytetari të ngelet pa komunë. Andaj tash i kemi kryetarët e komunës dhe do të doja të kishim rrethana të tjera dhe të mos kishim dalje të ulët, por kjo vjen si pasojë e braktisjes së institucioneve nga Lista Serbe dhe bojkotit të zgjedhjeve”.

Nga kjo situatë e krijuar, Kurti tha se është Lista Serbe ajo që ka gabuar me bojkotim të zgjedhjeve dhe se shteti i Kosovës nuk do të paguajë për gabimet e tyre.

Sido që të jetë, jemi këtu ku jemi, nuk do jetë mandat i plotë”, u shpreh ai.

Dy ditë më parë me këtë çështje, ndonëse rezervueshën, u mor edhe vetë Përfaqësuesi Special i BE’së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ky i fundit mohoi se do të kërkojë djegien e mandateve, por as kryetarët e rinj të këtyre komunave nuk i takoi ndonëse në veri shkoi.

Për media tha diçka-diçka, por mjegullazi, ndërsa vizitës së atjeshme ia dha vlerësimin e një rëndësie të madhe për të. “Për mua ishte e rëndësishme të kalojë kohë në veri dhe të flas me njerëzit në mënyrë që të marrë përshtypje autentike rreth asaj se si qëndrojnë gjërat, cilat janë problemet dhe çfarë mund të pritet”.

Ajo çfarë dëgjova në takimet në pjesën veriore të Kosovës, “më la të shqetësuar”, tha Mirslav Lajçak.

Këtu buronte “shqetësimi” i Lajçakut, tha Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit të sotëm në Beograd me Lajçakun.

Lajaçku pa vendosmërinë e serbëve për t’i bërë ballë Albin Kurtit, andaj edhe është i shqetësuar”, tha ai, ndërsa për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tha se po "dëshiron të bëhet hero kombëtar shqiptar".

Në lidhje me takimet e zhvilluara matanë Urës së Ibrit, Lajçak ka trejtuar edhe çështjen e këtyre zgjedhjeve, përkatësisht mandatet e reja. Por, më shumë nuk është thënë.

Megjithatë, Nacionale merr vesh se situata, tash për tash, “është mirë”. Burimet tona na thonë se Lista Serbe është në preson të madh për të dorëzuar objektet komunale, veturat dhe pajisjet e tjera dhe beson që gjërat po shkojnë në atë drejtimr.

Kështu siç qëndrojnë gjërat “nuk ka nevojëtë merren ato” ngase pritet që ato “do të lëshohen”. Sepse në një rast të tillë ato objekte do të kërkonin mbrojte nga policia kosovare, gjë që veç normale nuk do të ishte.

Lajçaku dhe ekipi i tij janë njerëz serioz, mund të shihen që ata situatën e njohin mjaft mirë, e madje edhe në baza ditore. Situata, tash për tash, është ‘mirë’, por Lista Serbe është në trysni të madhe”, thotë një burim i Nacionales.

Megjithatë, ndonëse nuk shprehet i sigurt, thotë se “shpreson” që gjithçka do të bëhet në mënyrë paqësore më 27 dhe 28 maj. “Nuk mendoj se ndërtesat/objektet janë aq të rëndësishme për kryetarët e rinj tash për tash”, thotë ai./Nacionale/

Lajme të ngjashme