Papunësia pambuk "vetëm 4%" e Vetëvendosjes: Qe pse jo - NACIONALE

Papunësia pambuk "vetëm 4%" e Vetëvendosjes: Qe pse jo

1 vit më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Nuk është hera e parë që partia në pushtet – Vetëvendosje – mburret me shifrat e punësimit edhe atyre të uljes së papunësisë. Kësaj radhe Vetëvendosje ka cituar “Barometrin Ballkanik 2024” që sipas tyre, Kosova ka nivelin më të ulët të papunësisë nga vendet e rajonit. Mirëpo, të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë që papunësia është më e lartë se sa është thënë aty, ndërkaq, shifrat e personave joaktivë duket se qëllimshëm nuk përmenden nga zyrtarët e pushtetit e që kanë rëndësi kur përmendet këto shifra.

Vetëvendosje me mburrje ka prezantuar një grafikë, duke thënë se Kosova ka nivelin më të ulët të papunësisë në rajon.

Sipas kësaj matje të publikuar nga partia që udhëheqë me vendin, del se niveli i papunësisë në Kosovë është 4 për qind. Në anë tjetër, të dhënat shtetërore thonë se papunësia është 10.7 për qind.

“Barometri Ballkanik 2024: Kosova me nivelin më të ulët të papunësisë Mesatarja rajonale e papunësisë është 11%. Niveli më i ulët i papunësisë rezulton në Kosovë 4%, në Serbi me 7%, Malin e Zi 9%, Maqedoninë e Veriut 13% dhe Bosnjë, 11%. Në 1000 persona të pyetur Kosova kishte nivelin më të lartë të të punësuarve me pagë me 65% të të pyeturve, Serbia me 54%, Bosnja me 52, Maqedonia e Veriut me 48% dhe Mali i Zi me 52%.” – thuhet në këtë postim në Facebook.

Çka thonë të dhënat e ASK-së?

Mirëpo, të dhënave Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), tregojnë që papunësia në Kosovë del të jetë 10,7 për qind.

Sipas shifrave të ASK-së të publikuar këtë e vit e që janë të vitit 2023, tregojnë se shkalla e papunësisë është 10,7 për qind.

Ndërsa, shkalla e punësimit ishte 37,8 për qind apo sipas ASK-së, 3,8 për qind më e lartë sesa në periudhën e njëjtë të vitit 2022.

Në rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për tre mujorin e katër të vitit 2023, thuhet se rreth 1 milionë e 174 mijë janë popullsi në moshë pune.

Nga këta, del që persona të punësuar në Kosovë janë 444 mijë e 186 persona, sipas ASK-së, 45 mijë e 252 persona më shumë se në në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Ndërsa, persona të papunësuar ishin 53 mijë apo 299 më pak se periudha e njëjtë me vitin e kaluar.

Por ajo që duhet të theksohet, është se kemi rreth 677 mijë persona që janë joaktivë, që do të thotë se nuk janë deklaruar që punojnë apo nuk janë të përfshirë në tregun e punës, e as nuk kërkojnë punë, e as nuk janë lajmëruar si të pa punë.

Ndërkohë, ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ka “dyfishim të rinjve të punësuar”, por sipas të dhënave të ASK-së, shkalla e papunësisë tek të rinjtë ishte identike sikurse në periudhën e njëjtë të vitit paraprak me 19,0 për qind.

Kujtojmë se papunësia mbetet një ndër problemet më të mëdha të kosovarëve.

Në Pulsin Publik të UNDP-së, në anektën e muajit maj 2024, thuhet se varfëria (16.6%), papunësia (16.3%) dhe çmimet për furnizimet thelbësore (12.7). %) janë identifikuar si tre problemet kryesore me të cilat po përballet Kosova.

Lajme të ngjashme